Shtypi i fshehtë-gazeta si instrument komunikimi dhe rezistence nga organizatat e fshehta me karakter çlirimtar në Kosovë gjatë vitit 1970-1981

Auteurs

  • Fatmir Arifi
  • Dorina Daiu

DOI :

https://doi.org/10.62609/ks.vi50.7924

Résumé

Ky studim synon të ofrojë një analizë të thelluar të tipologjisë së komunikimit të organizatave të fshehta me karakter çlirimtar në Kosovë gjatë periudhës 1970-1981, duke vendosur në epiqendër rolin që ka luajtur shtypi i fshehtë si formë alternative dhe e domosdoshme e komunikimit politik, ideologjik dhe kombëtar me masat e gjera popullore. Në një kohë kur aparati shtetëror jugosllav kontrollonte të gjitha kanalet zyrtare të informacionit dhe përdorte propagandën për të delegjitimuar çdo përpjekje emancipuese shqiptare, jashtë doktrinës jugosllave të vëllazërim-bashkimit, shtypi i fshehtë u shfaq si mjeti i vetëm për të artikuluar qëndrime, për të prodhuar diskurs kundër-hegjemonik dhe për të krijuar hapësira të reja të ndërgjegjësimit politik. Studimi fokusohet veçanërisht në veprimtarinë e organizatës së fshehtë me karakter çlirimtar, “Grupi Revolucionar i Kosovës-GRK”, e cila më vonë mori emrin Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës - OMLK, një ndër subjektet më aktive në prodhimin, shpërndarjen dhe institucionalizimin e shtypit të fshehtë shqiptar gjatë viteve ’70 dhe fillimit të viteve ’80. Në qendër të analizës tonë studimore do të vendosim rolin dhe funksionimin e gazetave të fshehta si “Zëri i Kosovës”, “Pararoja” dhe “Liria”, të cilat nën drejtimin e kësaj organizate u shndërruan në platforma informuese, edukuese dhe mobilizuese në hapësirën shqiptare jashtë Shqipërisë londineze. Përkundër rrezikut të përhershëm të penetrimit të shërbimit sekret jugosllav dhe të kushtëzuar nga ruajtja e konspiracionit të thellë, ky shtyp arriti të krijojë një sistem të qëndrueshëm komunikimi alternativ, ku ndërthureshin ideologjia, analiza politike dhe kërkesat për të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Ai shtyp përçoi një narrativë të qartë emancipimi, duke përhapur ide mbi të drejtën e vetëvendosjes, çlirimin politik dhe projektin e bashkimit kombëtar shqiptar. Në mungesë të një hapësire publike të lirë, shtypi i fshehtë funksionoi si një formë e krijimit të opinionit paralel, ku diskursi politik shqiptar merrte trajtë të artikuluar dhe të pavarur nga mekanizmat e kontrollit shtetëror. Studimi do të ndërtohet mbi disa shtylla kryesore analitike. Së pari, trajtohet konceptualizimi teorik i shtypit të fshehtë dhe ndikimi i tij në kontekste represive, duke e vendosur rastin e Kosovës në një panoramë më të gjerë të rezistencave politike në Evropën Juglindore. Së dyti, në kuadër të këtij shtypi do të analizohet zanafilla e shtypit të fshehtë shqiptar në Kosovë dhe viset e saj nën Jugosllavi, duke shqyrtuar kushte kontekstuale, ndikimin e mërgatës dhe rrjetet e shpërndarjes. Së treti, në kuadër të këtij studimi do të bëhet një analizë e thukët e përmbajtjes së gazetave të përmendura, me synimin për të zbërthyer gjuhën politike, strukturën argumentuese dhe temat qendrore të diskursit të tyre. Së fundi, do të shqyrtohet rëndësia socio-politike e këtij shtypi, ndikimi i tij në mobilizimin e rinisë, roli në procesin e politizimit të shoqërisë dhe kontributi në krijimin e një identiteti politik kolektiv në prag të demonstratave shqiptare të vitit 1981. Një tezë thelbësore e hulumtimit do të jetë krahasimi midis shtypit të fshehtë shqiptar dhe shtypit zyrtar jugosllav, duke evidentuar dy pole diskursive antagoniste: njëri i ndërtuar mbi kontroll, delegjitimim dhe unifikim të realitetit sipas modelit shtetëror jugosllav, e tjetri i ngritur mbi rezistencën, kritikën dhe projektin e lirisë kombëtare. Ky kontrast i dy botëkuptimeve do të shërbejë për të kuptuar jo vetëm rolin historik të shtypit të fshehtë, por edhe mekanizmat e prodhimit të dijes politike në kushte të një fshehtësie të thellë të organizuar.

Mots-clés :

Komunikim politik, shtypi i fshehtë, GRK, rezistencë, Jugosllavi, vetëvendosje, bashkim kombëtar.

Téléchargements

Les données relatives au téléchargement ne sont pas encore disponibles.

Références

  1. Arkivi i Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme (AMEPJ).

  2. Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës (ASHAK).

  3. Arkivi i Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës.

  4. Arkivi Shtetëror i Sllovenisë.

  5. Hajrizi M., “Historia e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981”, Tiranë: Botime Toena, 2008.

  6. Zeqiri R., “Format specifike të komunikimit të organizatave të fshehta shqiptare gjatë monizmit jugosllav”, Tetovë, 2020.

  7. Hajrizi M., Syla G., “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”.

  8. Pollo S., Pulaha S. (përg.), Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878–1912 (memorandume, vendime, protesta, thirrje), Tiranë: Akademia e Shkencave e RSP të Shqipërisë – Instituti i Historisë, 1978.

  9. Hajrizi M., “Mehmet Hajrizi në shtypin klandestin të Lëvizjes Kombëtare”, dorëshkrim i pabotuar.

  10. Dobruna A., “Konferenca e Bujanit, gurthemel i shtetësisë së Kosovës, 31 dhjetor 1943 dhe 1–2 janar 1944”, Prishtinë: Instituti i Historisë, 2023.

  11. Rilindja, gazetë.

  12. Zëri i Kosovës, nr. 1, 1 shkurt 1974.

  13. Pararoja, 1979.

  14. Zëri i Kosovës, nr. 2, prill 1974.

  15. Liria, gazetë.

  16. Intervistë me Mehmet Hajrizin, 2019.

  17. Konsultim me veprimtarin dhe studiuesin Bardhyl Mahmutin dhe Ramadan Avdiu.

Téléchargements

Publiée

2026-02-02

Comment citer

Arifi, Fatmir, et Dorina Daiu. 2026. « Shtypi I Fshehtë-Gazeta Si Instrument Komunikimi Dhe Rezistence Nga Organizatat E Fshehta Me Karakter çlirimtar Në Kosovë Gjatë Vitit 1970-1981 ». Kosova, nᵒ 50 (février). Prishtinë, Kosovë:323-54. https://doi.org/10.62609/ks.vi50.7924.

Numéro

Rubrique

Artikuj