2026: Bibliografi e revistës Kosova 1972-2025

Revista shkencore Kosova, botim i Institutit të Historisë “Ali Hadri”, doli për herë të parë në vitin 1972, duke u shndërruar ndër vite në një nga botimet më të rëndësishme shkencore në fushën e historisë dhe historiografisë në Kosovë.

Rrugëtimi i revistës Kosova nuk ka qenë i lehtë. Revista është përballur me pengesa të shumta, sidomos gjatë viteve ’90, kur pushteti serb ushtroi masa të dhunshme ndaj institucioneve kërkimore-shkencore dhe arsimore shqiptare në Kosovë. Vendosja e masave të dhunshme në Institutin e Historisë më 1991 dhe suprimimi i tij më 1993 krijuan rrethana tepër të vështira për vazhdimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe botuese. Për pasojë, revista pati një ndërprerje të detyruar prej gjashtë vitesh. Megjithatë, studiuesit shqiptarë vazhduan angazhimin e tyre shkencor edhe në kushte okupimi. Rifillimi i botimit të revistës me numrin 18-19, në vitin 1996, dëshmoi vendosmërinë për ta vazhduar traditën e krijuar dhe për ta ruajtur identitetin shkencor të revistës.

Gjatë këtyre pesë dekadave, revista Kosova ka shërbyer si një platformë e rëndësishme për studim, debat dhe dokumentim shkencor. Botimi i numrit jubilar 50 të revistës Kosova paraqet një moment të veçantë për Institutin e Historisë “Ali Hadri” dhe për komunitetin shkencor shqiptar në përgjithësi. Me këtë rast botohet edhe kjo bibliografi, e cila paraqet në mënyrë të sistemuar gjithë veprimtarinë botuese të revistës nga viti 1972 deri në vitin 2025.

Për të mundësuar një shfrytëzim sa më të lehtë dhe funksional të materialit, njësitë bibliografike janë organizuar në këto rubrika: Artikuj, kumtesa, referate dhe dokumente; Kritika dhe recensione; Aktivitete shkencore; Letra; Fjalë përshëndetëse; Diskutime; Promovime; Projekte dhe raporte; In memoriam, si dhe Treguesi i autorëve.

Rubrika Artikuj, Kumtesa, Referate dhe Dokumente përfshin studime origjinale shkencore, kumtesa të mbajtura në konferenca e simpoziume, referate me karakter studimor, si dhe dokumente arkivore të botuara në faqet e revistës. Kjo pjesë përbën boshtin kryesor të përmbajtjes shkencore të revistës.

Në rubrikën Kritika dhe Recensione janë përfshirë vlerësime, analiza dhe shqyrtime të botimeve shkencore, monografive dhe veprave të tjera.

Rubrika Aktivitete Shkencore përmbledh informacione për konferenca, simpoziume, sesione shkencore, tryeza, jubile dhe veprimtari të tjera akademike të organizuara nga Instituti i Historisë apo institucione të tjera shkencore.

Rubrika In Memoriam përmban shkrime përkujtimore kushtuar studiuesve, personaliteteve dhe bashkëpunëtorëve të shquar, duke vlerësuar jetën dhe kontributin e tyre në fushën e shkencës.

Bibliografia e revistës Kosova është pasuruar edhe me Treguesin e Autorëve, ku paraqiten në mënyrë alfabetike të gjithë autorët e përfshirë në revistë. Secilit autor i janë shënuar numrat rendorë ashtu siç i mbajnë në bibliografi, duke lehtësuar kërkimin, identifikimin dhe orientimin e studiuesve dhe lexuesve.

Kjo bibliografi synon të jetë një udhërrëfyes i dobishëm për studiuesit, profesorët, studentët dhe të gjithë të interesuarit për historinë tonë kombëtare. Përmes sistemimit të materialeve, ajo synon të lehtësojë hulumtimin shkencor, kërkimin bibliografik dhe njohjen më të plotë të kontributit që revista Kosova ka dhënë në studimin dhe trajtimin e historisë sonë, nga antika deri në vitin 2008.

Bibliografi e revistës Kosova 1972-2025
2026
Publiée: 2026-05-23