29 nëntori nuk është datë e çlirimit të Shkodrës dhe as festë kombëtare e Shqipërisë

Autorët

  • Kasem Biçoku

DOI:

https://doi.org/10.62609/ks.vi20-21.5381

Abstract

Datat përkujtimore, veçanërisht ato që kremtohen si festa zyrtare, nuk mund të caktohen rastësisht, por u përkasin episodeve më të rëndësishme e më përfaqësuese të ngjarjeve madhore të historisë, që mund të jenë fillimi, kulmimi e finalizimi i tyre si procese historike, si marrëveshje politike etj. Datat përkujtimore, duke mbartur vlera të dyfishta të ngjarjeve madhore historike dhe të episodeve më të qenësishme të tyre, shndërrohen në simbole të historisë që përcjellin emocione dhe mesazhe mbarëkombëtare e më gjerë kur ata kanë pasur përmasa të tilla. Për këtë mjafton të kujtohen disa episodë të Luftës së Dytë Botërore.

Si datë përkujtimore e mbarimit të Lutës së Dytë Botërore dhe e fitores së Koalicionit të Madh Antifashist në Evropë, pjesë e të cilit ka qenë edhe Lufta Çlirimtare Antifashiste e popullit shqiptar, nuk u caktua 2 maji i vitit 1945, kur trupat sovjetike morën Berlinin, as datat 7 e 8 maj, kur komanda e ushtrisë gjermane nënshkroi aktin e kapitullimit, përkatësisht me përfaqësuesit e ushtrisë anglo-amerikane dhe të asaj sovjetike, por 9 Maji i vitit 1945, dita kur garnizoni gjerman i Pragës u detyrua me luftë të dorëzohej. Pas kësaj ngjarjeje ushtritë gjermane i ndërprenë përfundimisht veprimet luftarake edhe pse do të vazhdonin të qëndronin për disa kohë në Çekinë Perëndimore dhe në rajone të tjera. 9 Maji i vitit 1945 kremtohet kudo nëper Evropë si ditë e fitores së përbashkët të Koalicionit të Madh Antifashist. Edhe në Shqipëri, qysh në mbrëmjen e asaj dite, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-çlirimtar, vendosi që 9 Maji të shpallet festë kombëtare dhe si e tillë u kremtua për shumë vite në vendin tonë. Pas pak, krahas 9 Majit, u vendos, jo pa kundërshtime, që të përkujtohet si festë kombëtare edhe dita e Çlirimit të Shqipërisë.

Meqenëse në Shqipëri fitorja e forcave antifashiste, në Luftën e Dytë Botërore kremtohej si festë zyrtare, nëpërmjet dy episodeve e datave të ndryshme, pas disa vitesh, u vendos që njëra prej tyre të hiqej. Është e kuptueshme se në kuadrin e politizimit it dhe të shtrembërimit gjithnjë e më të thellë që po i bëhej historisë në përshtatje me qëndrimet délirante të Enver Hoxhës, u hoq 9 Maji. Në vendet komuniste evropiane, krahas 9 Majit, qysh në tillim u përkujtuan episodet kryesore nga periudha e Luftës II Botërore që kishin të bënin me rrugën që ndoqën forcat komuniste për të ardhur në pushtet. Në Jugosllavi si festë e madhe kombëtare, siç cilësohej edhe në pritjen e dhënë me rastin e kremtimit të saj nga Legata Jugosllave në Tiranë më 1945, (gaz. "Bashkimi”, 30 nëntor 1945), kremtohej 29 Nëntori i vitit 1943, dita kur në Jajcë të Bosnjes u bë Mbledhja II e Këshillit Antifashist Nacional-çlirimtar të Jugosllavisë (AVNOJ), ku u hodhën themelet organizative të shtetit komunist.

Downloads

Download data is not yet available.

Downloads

Published

2024-09-19

How to Cite

Biçoku, Kasem. 2024. “29 nëntori Nuk është Datë E çlirimit Të Shkodrës Dhe As Festë kombëtare E Shqipërisë”. Kosova, no. 20-21 (September). Prishtinë, Kosovë:237-47. https://doi.org/10.62609/ks.vi20-21.5381.

Numër

Section

Materiale