Gjeçovi, etnolog dhe studiues i shquar i kulturës popullore
Abstrakti
Ky punim synon t’i identifikojë disa prej çasteve më të rëndësishme të jetës së Shtjefën Gjeçovit bazuar në dorëshkrime të dokumenteve të botuara që ruhen në Fondin 58 të Arkivit Qendror Shtetëror. Shqyrtimi i sipërfaqshëm i dokumenteve të këtij fondi krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me një personalitet që ka lënë gjurmë të thella dhe kontribut të vlefshëm në zhvillimet e kohës gjatë së cilës jetoi, në dekadën e fundit të shek. XIX dhe tri dekadat e para të shek. XX. Koha kur jetoi dhe veproi Gjeçovi ishte periudha më e rëndësishme për çlirimin kombëtar, periudhë kyçe për krijimin dhe konsolidimin e shtetit të Shqipërisë së pavarur. Gjeçovi u bashkua dhe veproi në bashkëpunim me shumicën e personali-teteve të shquara të Rilindjes të cilët u përpoqën ta zgjonin bashkimin kombëtar të shqiptarëve përmes zhvillimit të arsimit dhe kulturës në gjuhën shqipe, duke theksuar traditat e njohura dhe prejardhjen e popullit shqiptar, si dhe përmes përpjekjes për liri dhe pavarësi. Veprimtaria e tij klerikale i jepte mundësinë ta njihte drejtpërdrejt jetën e popullsive të zonave ku punonte dhe jetonte. Në të njëjtën kohë ishte vëzhgues i vëmen-dshëm i gjithçkaje rreth tij. Gjeçovi shënonte në fletoret e tij gjendjen e vështirë në të cilën jetonin shqiptarët, doket e zakonet që rregullonin marrëdhëniet në mes të njerëzve, sjelljen përballë autoriteteve qeveritare, sjelljen ndaj pushtuesve etj. Të gjitha këto i përdori për studimet e tij me karakter letrar dhe fetar. Këto janë pjesërisht të botuara, dhe pjesa më e madhe e tyre ruhet në dorëshkrimet e tij në Arkivin Qendror Shtetëror. Studimet dhe botimet e Gjeçovit mbulojnë shumë fusha, por në këtë punim tonin do të marrim parasysh ato me karakter etnologjik. Për të kryer këtë punim jam përpjekur t’i përzgjedh dokumentet që paraqesin në mënyrë sa më dinjitoze këtë personalitet të Lëvizjes Kombëtare Shqip-tare. Po ashtu, pavarësisht prej faktit se për Shtjefën Gjeçovin ka shumë botime që paraqesin aspekte të ndryshme të veprimtarisë së tij krijuese dhe patriotike, mbështetur në dokumentet e pasura që ruhen në fondin e tij, duhen kryer studime më të thella për të bërë të njohur kontributin e tij.