E shkuara historike në trajtën e suvenirëve

Autorët

  • MA Kristi Kaba

Abstract

Pikëtakimi me ngjarjet apo figurat kryesore të historisë kombëtare nëpërmjet suvenirëve është një grishje e kahershme që ka mikluar jo vetëm të pasionuarit pas të kaluarës dhe koleksionistët, por cilindo që parapëlqen mediumet e personalizuara si përqasje kundrejt shkencës së Herodotit. Dokumentet historike janë gjerësisht të qasshme dhe të prirët ndaj formatit autentik apo riprodhimeve të tyre motivohet më së shumti nga interesa studimore apo arsye të përngjashme të natyrës së hulumtimit vetjak. Vija ndarëse mes këtyre konservuesve statikë dhe sendërtuesve të kujtesës së lëvizshme, e çformalizon komunikimin e domethënies së miniaturuar në suvenir: një njësi përfaqësuese e kompleksit dokumentar nis të gjejë dobi edhe në një kontekst ndërpersonal. Praktika e koleksio-nimit të suvenirëve të parafabrikuara gëzon popullaritet në radhët e mbarë bashkëkombësve, veçanërisht te sivëllezërit shqiptarë të përtej kufirit dhe të diasporës, pa dallim statusi social, pasi që i jep trajtë një lidhjeje fizike dhe emocionale të zotëruesit me aksh objekt, i cili shërben parësisht si mbartës i momentumeve historike.
Në epilog të vitit që lamë pas Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ndërmori nismën e stilizimit të suvenirëve të plazmuar me imazhet e dokumenteve apo të figurave historike më të rëndësishme, që ruhen si asete të paçmueshme në korpusin e fondeve të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSh). Akti i Pavarësisë së Shqipërisë, fermanët, dekoratat mbretërore, riprodhimi artizanal i kodikëve, si dhe dokumente të tjera simbole të trashëgimisë kombëtare, gjenden të ekspozuara në “Këndin e suveni-rëve” në hyrje të Sallës së Studimit të DPA-së. Njëherësh, çdo qytetar i interesuar mund të informohet mbi objektet edhe online. Përveç promo-vimit të vlerave arkivore të përjetësuara, kjo praktikë novatore synon edhe gjenerimin e një kuote kontributesh për buxhetin e shtetit.
Në brendi të këtij punimi tematika shpaloset fillimisht mbi një bazë teorike disa disiplinore, që ndërfut në një spektër shtjellues fushën e historisë, të arkivistikës, si dhe të antropologjisë, me qëllim identifikimin e zanafillës së suvenirëve, si objekte që asociohen me një prapakuptim të caktuar. Trajtesa do të marrë edhe karakter konkret duke i kushtuar hapësirë të posaçme risisë “Dhuro historinë”, që eksteriorizon dokumentet nën administrim të AQSh-së, në funksion të bashkëndarjes së një pasurie të përbashkët, siç është e kaluara historike.

Downloads

Download data is not yet available.

Downloads

Published

2023-05-18

How to Cite

Kaba, K. (2023). E shkuara historike në trajtën e suvenirëve. Arkivat Shqiptare, 57(1-2), 167–172. Retrieved from https://albanica.al/arkivat/article/view/812