Era digjitale në lëmin e arkivistikës
Abstract
Për ta rrokur rëndësinë e digjitalizimit të materialeve arkivore, nevojitet, pikësëpari, kuptimi i qëllimit të këtij procesi që ka revolucionarizuar qasjen e publikut në dokumentacione. Për këtë arsye, në saje të thellimit në literaturë, me këtë punim të ndarë në dy kapituj, kryejmë fillimisht një analizë të përparësive që ka mundësuar digjitalizimi, si forma më bashkëkohore e për qasje në pasuritë arkivore. Mandej, për t’i dhënë trajtesës karakter empirik, do t’i kushtohet një hapësirë e posaçme shqyrtimit të filozofisë së re të ndërveprimit që ka adaptuar përftimi kompjuterik i informacionit mes qytetarit/studiuesit dhe institucionit që ruan dhe vë në gatishmëri arsenalin dokumentar. Ky kapërcim prej teorisë në rrafshin praktik do të konkretizohet duke marrë në konsideratë tërësinë prej rreth 2000 studiuesish, duke i bashkëngjitur grupmoshën së cilës i përket sekush prej tyre, të regjistruar në Sallën e Studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) që prej janarit të vitit 2019, kohë që shënon pikën e kthesës në drejtim të shfrytëzimit të pasurisë dokumentare. Në vazhdën e zhvillimit teknologjik në disiplina të shumta, shpejtësia, cilësia e lartë imazherike dhe disponueshmëria e menjëhershme, janë bërë pjesë edhe e leksikonit të arkivistikës të këtij shekulli. Krahas këtyre tipareve të lartpërmendura, digjitalizimi synon, mbi të gjitha, të sigurojë jetëgjatësinë dhe pacenueshmërinë maksimale të integritetit fizik të dokumenteve të hershme. Në këtë fushëpamje në kreun e parë do të nxirret në pah se nëpërmjet diversifikimit të kanaleve të transmetimit të materialeve, është impaktuar ecuria e punës kërkimore. Sakaq, piku i epokës digjitale ka ridimensionuar predispozitën e publikut për të hulumtuar. Në pjesën e fundit të këtij punimi do t’i referohemi një qëmtimi të hollësishëm që synon të evidentojë përmes shifrave të konvertuara në përqindje, peshën që zë secila prej kategorive moshore në frekuentimin e Sallës së Studimit të DPA-së, pikënisje e nevojshme për të konkluduar më pas në formën e një sinteze, ndër të tjera, mbi aftësinë adaptuese të qytetarëve/studiuesve me mënyrën e re të shqyrtimit të dokumentacioneve. Kësodore, në saje të këtij pasqyrimi, do të mund të arrihet edhe në konfigurimin e projeksioneve në terma afatmesëm, që parashohin bazuar në të dhënat aktuale, trendin e bashkësisë së shqyrtuesve të përmbajtjeve arkivore, që priren kah formës digjitale të përftimit të informacionit.



