Lugina e piramidave të Bosnjës
Abstract
Në Prill të vitit 2005 për herë të parë po udhëtoja për në qytezën Visoko, njëzet milje në veri-perëndim të Sarajevës, kryeqytetit të Bosnje-Hecegovinës. Gjatë rrugës më bënë përshtypje dy kodra me forma të rregullta, të cilat më vonë i quajta Piramida Boshnjake e Diellit dhe Hënës.
Për mijëra vjet me radhë, banorët vendas i kanë menduar këto kodra si diçka të krijuar nga dukuritë natyrale për arsye se ato ishin të mbuluara me rreth një metër trashësi dheu dhe bimësie. Megjithatë kur i pashë për herë të parë faqet e tyre në formë trekëndëshe, pjerrësi të njëjtë, kënde të dukshme dhe orientim të saktë kundrejt pikave të horizontit, e kuptova se duhet të ishin ndërtuar nga një fuqi tjetër përveç asaj të natyrës. Ngaqë isha duke hulumtuar piramida për dhjetëvjeçarë të tërë, e dija që piramidat e zbuluara në Kinë, Meksikë, Belizë, Guatemalë apo El-Salvador, paraqisnin një rast të ngjashëm të piramidave të mbuluara nga dheu dhe bimësia. Në vitin 2005 filloi puna në këtë projekt dhe pagova kompani ndërtimi dhe gjeologë për të bërë shpime dhe analiza gjeomorfologjike.
Në një konferencë shtypi të mbajtur në Sarajevë në Tetor të vitit 2005 e shpalla botërisht zbulimin e Piramidës se Parë në Europë. Fill pas kësaj ne themeluam Parkun Arkeologjik jo fitimprurës: “Fondacionin Piramida Boshnjake e Diellit” dhe që nga ajo kohë, hulumtimi i piramidave të Bosnjës është kthyer në projektin ndër-disiplinor më të madh në botë të fushës së arkeologjisë.



