Projekti
Rreth Platformës
Zhvillimet në fushën e internetit dhe të mediave online kanë krijuar mundësi të reja për një akses gjithnjë e më të gjerë të studjuesve, pedagogëve, studentëve dhe publikut të gjerë në produktet e punës akademike dhe shkencore. Platforma Albanica vjen përpara jush pikërisht me këtë qëllim: të krijojë një hapësirë online ku të gjithë të interesuarit të gjejnë artikujt dhe revistat akademike shkencore shqiptare. Deri më sot, kjo pasuri e dobishme intelektuale kombëtare e krijuar në Shqipëri, Kosovë dhe në gjithë hapësirën mbarëshqiptare gjendej vetëm në raftet e bibliotekave universitare dhe personale dhe aksesi masiv në të ka qenë i kufizuar. Me Albanica krijohet mundësia që çdo i interesuar të gjejë brenda pak çastesh në kompjuterin apo pajisjen e vet digjitale revistën apo artikullin e kërkuar
Albanica përfaqëson një inisiativë intelektuale që synon një njohje dhe shpërndarje gjithë-kombëtare të produkteve të punës së studjuesve dhe të trupës akademikë shqiptare. Ajo është e hapur për të gjitha institucionet universitare dhe akademike duke shpresuar një mirëkuptim të gjerë të të gjithë aktorëve për krijimin e kësaj hapësirë të domosdoshme dhe tejet të dobishme.
Duke marrë në konsideratë zhvillimet e reja që lidhen me globalizimin e dijeve dhe të njohurive, Albanica ka marrë përsipër dhe ka të gjitha kapacitetet e duhura për ta hapur punën kërkimore dhe studimore shqiptare edhe për botën akademike dhe publikun ndërkombëtar. Përmes shërbimeve të indeksimit, Albanica synon të ngrejë në një nivel të ri vizibilitetin global të produkteve të kësaj pune dhe shndërrimin e saj në një burim bibliografik të vlerësuar dhe të cituar edhe nga studjuesit dhe akademikët në të gjithë botën. Në këtë mënyrë, puna kërkimore-shkencore shqiptare do të bëhet pjesë integrale e korpusit global të dijes dhe të shkencës.
Platforma krijon mundësi për aksesimin e revistave shkencore sipas universiteteve, fakulteteve dhe departamenteve, Gjithashtu ajo mundëson edhe kërkim sipas autorëve, sipas numrave të revistës apo sipas periudhës kohore. Por kërkimi mundësohet edhe përmes fjalëkyçeve në të gjithë platformën në përgjithësi si dhe në çdo revistë në veçanti.
Albanica ofron hostim të revistave me garanci të përhershme, përpunim teknik dhe publikim në disa lloje formateshe të artikujve, si PDF, HTML dhe XML. Ajo mundëson një numër shërbimesh për të gjithë të interesuarit, duke nisur që nga redaktimi e korrektimi dhe deri tek përkthimi profesional në gjuhë të huaj i artikujve apo i abstrakteve të tyre.
Platforma operon në përshtatje me të gjitha aktet ligjore dhe administrative që lidhen me të drejtën e autorit, me mbrojtjen e pronësisë intelektuale, me privacinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe me aspekte të tjera formale që lidhen me këtë fushë.