Hutbeja si bartëse e mesazhit hyjnor në botën moderne
DOI:
https://doi.org/10.59164/univers.v21i21.1189Abstrakti
Komunikimi është bërthama elementare e shpalljes hyjnore e po ashtu edhe e dërgesës pejgamberike. Teksti i shpalljes dhe porositë profetike janë të thëna, me qëllim që t’i komunikohen në trajta të ndryshme gjinisë njerëzore. Pikërisht për këtë, metodologjia e komunikimit të diskursit hyjnor dhe atij profetik ka ngjallur interesin e veçantë të filozofisë së gjuhës kuranore dhe të haditheve të Pejgamberit (a.s.). Gjithashtu edhe një nga problemet dhe defektet kryesore të gjuhës fetare në botën bashkëkohore, është mangësi (defekt) e komunikimit joadekuat dhe i trajtës jofetare të përdorimit të gjuhës së shpalljes dhe bisedës profetike.
Hutbeja është media më e përhapur dhe më e rëndësishme islame. Vlera e hutbes pasqyrohet në faktin se ka një rëndësi të veçantë në thirrjen islame. Ajo është një mjet i saj tradicional, mirëpo njëkohësisht edhe bashkëkohor. Për shkak të lidhjes me namazin e xhumasë, ku bëhet takimi javor i myslimanëve, ajo vazhdon t’i mbijetojë çdo kohe dhe çfarëdo zhvillimi. Madje, për shkak të karakteristikave që disponon, vazhdon të mbetet si mjeti më efikas në bartjen e mesazhit islam te besimtarët. E kjo, në njëfarë forme, na detyron që hutbes, në përgjithësi, t’i kushtojmë vëmendje dhe rëndësi.
Duke pasur parasysh se institucioni i hutbes është paraqitur menjëherë pas paraqitjes së Islamit dhe vetë i Dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s.), ka qenë hatib-ligjërues, vlera historike e këtij lloji të komunikimit i tejkalon të gjitha llojet e tjera specifike të retorikës islame (vazet, derset etj.), për shkak se, krahas bisedës dhe komunikimit të realitetit fetar, ngërthen edhe përmasën e adhurimit dhe përkushtimit ndaj Zotit.
Hutbeja është komunikim i drejtpërdrejtë që i bashkon jo vetëm fjalët dhe mendimet e njerëzve, por edhe frymën dhe gjallërinë e tyre, prandaj edhe mund të konsiderohet si forma më me ndikim në besimin dhe etikën e njerëzve, në krahasim me mediat e shkruara dhe elektronike. Përpos kësaj, ligjëratat verbale kanë fuqi që të kaluarën ta “konservojnë” dhe ta transformojnë sipas nevojës. Duke i pasur parasysh mangësitë dhe përparësitë e diskursit të përdorur në komunikimin e hutbes, gjithsesi, çdo hatib duhet që, krahas diturive fetare, të ketë edhe njohuri elementare të komunikologjisë bashkëkohore