Gjuha alegorike e "të fshehurit"

Autorët

  • Prof. Dr. Arian Kadiu

Abstract

Në gjuhën shqipe, të dy dialektet ngërthejnë në vetvete një pasuri të madhe leksikore. Në dialektin e Veriut, bën pjesë edhe e folura e Dibrës. Pa marrë në hulumtim problemet e tjera, këtu do të ndalemi në grupet e të folurit me nënkuptime ose me fshehje të mendimit. Kjo mënyrë të shprehuri përbëhet nga njësi më të vogla, në të cilat gëlojnë edhe mjaft fjalë të krahinës përkatëse, karakteristikë e disa zonave të veçanta. Kjo e bën atë një gjuhë të veçantë, që më shpesh është quajtur të folurit alegorik, duke marrë kështu dhe disa emërtime të tjera, që përdoren rëndom në sociolinguistikë, si: të folurit “me rrotulla”, “me mesele” apo të folurit “me shifër”, sikurse i thonë më tepër në Dibër etj. Vetë alegoria në koncept përmban në thelb kuptimin e nënkuptuar, i cili, kryesisht, ka të bëjë me kuptimin “e fshehur”. Nënkuptimi në këtë të folur varet nga rrethanat e komunikimit; lidhet me gjykimet dhe opinionet publike, të cilat përmes frazave të shkurtra, transmetojnë një mesazh, ide ose zgjidhje. Të folurit e nënkuptuar bazohet në thënie të vjetra ose histori të shkurtra të shpikura në moment, madje mund të jetë ndonjë anekdotë e ndryshuar që përmban një lloj shprehjeje artistike.

Në Dibër, ky lloj të foluri është më i zhvilluar në Dibrën e Poshtme se në Dibrën e Sipërme. Në fshatrat e Dibrës së Poshtme, është i zhvilluar në Malësi ku kushtet natyrore i kanë detyruar banorët ta përdorin atë. Ky lloj të foluri ka lindur apo është krijuar prej pak njerëzve. Atyre ua kërkonte nevoja jetësore, arsyet familjare a shoqërore për t’u marrë vesh doemos me njëri-tjetrin për të dalë prej rrezikut në një moment të vështirë. Po me këtë mënyrë të foluri dërgoheshin mesazhe kushtrimi e besatimi, kur dihet se fshatrat janë larg.

Shpesh njerëzit duan të dëgjojnë mesele me të folur me shifër dhe, kur në shtëpi, në rreth miqësor u vjen ndonjë njeri që dihet se është i zgjuar apo ndonjë që di shumë mesele me shifër, përpiqen ta ngacmojnë që të dëgjojnë se si do të përgjigjet.

Tregojnë se në një familje vjen një mik dhe, për ta nderuar, ata therin një qengj. Kur vjen koha e darkës, sigurisht që koka i vihet përpara mikut. Ai e hapi kokën dhe e pa se ishte pa tru. Të gjithë prisnin se si do të vepronte: a do të bërtiste se po talleshin me të apo do të zgjidhte ndryshe. Por, miku tha: “O i zoti i shtëpisë! Unë e di që njerëzit e këtij katundi janë pa tru, por që edhe gjëja e gjallë këtu qenka pa tru, tani e mora vesh”.

Fjalori i tyre është i kursyer, i zgjedhur, me ngjyresa artistike. Me përdorimin e fjalëve dialektore dhe krahinorizmave, jo vetëm që synohej të qëllohej drejt e në shenjë, por “fshihej” edhe çelësi që i hapte ato, sepse fjalët ishin të gjalla, plot vlagë, se mendja e tyre çmohej nga populli si “tel” dhe zgjidhjet ishin aq të shkëlqyeshme, ashtu siç janë edhe perlat.

Keywords:

të folurit e koduar, alegoria, dialekti, mesazh

Downloads

Download data is not yet available.

References

  1. Gjovalin Shkurtaj, Sociolinguistika, Tiranë, 2003.

  2. Anton Çeta: ”Prozë popullore nga Drenica”, I, Prishtinë, 1972.

  3. Haziz Ndreu, Rreth të folurit alegorik në Dibër, në “Dibra dhe dibranët”, kumtues nr. 1, Peshkopi, 1981.

  4. Gjovalin Shkurtaj, Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës shqipe, Tiranë, 2003.

  5. Zeqir Kadriu: “Dialektet dhe të folurit e shqiptarëve në Maqedoni”. Tetovë, 2002.

  6. E. Hysa, Gj. Shkurtaj etj: “Gjuha shqipe 1” për shkollat e mesme. Tiranë, 2003.

Published

2025-03-22

How to Cite

Kadiu, Prof. Dr. Arian. 2025. “Gjuha Alegorike E ‘të Fshehurit’”. Univers 9 (9):46-60. https://albanica.al/univers/article/view/4930.

Numër

Section

Studime