Arti dhe e bukura në Islam
Abstract
Nëse do t’i qëndrojmë besnik përcaktimit më të njohur dhe më të vjetër të estetikës, si disiplina mbi të bukurën ose shkenca mbi të bukurën, mund të themi se bukuria në civilizimin arabo-islam, përbën një prej temave dhe qëllimeve kryesore të trajtimit dhe filozofisë së artit.
Kur në artet islame flitet për të bukurën, kjo nuk nënkupton një bukuri sipas koncepteve perëndimore, objektiviste ose subjektiviste, por nënkupton “bukurinë absolute”, dhe shfaqjen e saj në gjithësinë e dukshme.
Për artistin musliman e bukura nuk është meritë e vetvetes, por ajo është meritë e krijimit hyjnor, e përsosmërisë së Krijuesit, i Cili si veti të krijimit të Tij, ka përsosmërinë dhe bukurinë e krijesës. Trëndafili nuk është i bukur prej natyrës së tij, e as se është përjetim i vetes sonë në të. Bukuria e trëndafilit përbën manifestimin e cilësisë hyjnore të bukurisë (xhemal).
Ndërsa e shëmtuara, që në civilizimin perëndimor është antiteza e të bukurës, në artin islam nuk përjetohet si e tillë, sepse duke qenë se bukuria është absolute, e shëmtuara nuk ekziston.
Ndryshe nga ideja e Kantit (të cilën e zhvilloi tek Kritika e gjykimit – pjesë e veprës Tre kritikat) për një estetikë autonome ku ndahet objekti nga subjekti, si dhe nga ajo e Hegelit, ku arti një ditë duhet të vdesë, estetika islame sipas estetit Omar Nasim, nuk është e tillë, ajo synon të bashkojë në një; objektin me subjektin, të bukurën me Krijuesin, absoluten me njerëzoren dhe socialen me individualen.
Në këtë formë estetika islame, nuk mund të ndahet as prej kuptimit të përgjithshëm të një vepre arti dhe as prej kuptimit që i jep asaj autori.
Në përgjithësi veprat e artit islam anojnë me kahje nga individualja drejt sociales ose nga individualja drejt absolutes, prandaj edhe ideja e një estetike sociale, që vihet në shërbim të të tjerëve – por, të cilës nuk mund t’i heqësh kurrë frymëzimin dhe botkuptimin që i jep autori veprës si dhe këndvështrimin sipas të cilit ai e ka punuar atë – është në pikësynimin e çdo artisti musliman.
Ashtu siç çdo art edhe arti islam në vetvete është mbështetur dhe i ka gjetur rrënjët e tij në të kaluarën personifikuese ose në ambientin, ku është shprehur energjia dhe gjeneza e kësaj feje hyjnore.
Sigurisht gjeneza e kësaj feje na çon drejt burimit të përhershëm të frymëzimit të besimit Islam, ajo na shpie drejt e tek Kurani dhe Qabeja, libri më i lexuar dhe monumenti më i vizituar sot në botë.
Artistët muslimanë e panë Kuranin si burim të pashterur frymëzimi për subjektet e tyre letrare dhe poetike si dhe për veprat e tjera të artit. Ndërsa Qabeja, monumenti i pare i traditës islamike, u ndërtua si një objekt kulti në të cilin do të madhërohej Zoti i Ibrahimit dhe Ismailit. Më pas arti islam u mbështet fuqishëm mbi vlerat që mbartte dhe ngrinte lart xhamia – mesxhidi –, si element thelbësor i kësaj feje.
Në përgjithësi arti islam si koncept, përmbledh në vete, të gjitha artet me origjinë islame, të prodhuara ose konsumuara në ato vende ku muslimanët zhvillojnë aktivitetin e tyre.
Arti islam karakterizohet prej disa ndryshimeve në krahasim me artet e tjera, sepse ai nuk vihet vetëm në shërbim të fesë, por synimi i tij është që të vihet në shërbim të të gjithë kulturës islame.
Arti islam nuk mund të jetë domosdoshmërisht krijim vetëm i muslimanëve, kjo për të vetmen arsye se një pjesë e veprave të këtij arti janë krijuar edhe prej artistësh jomuslimanë, të vënë në shërbim të sundimtarëve të ndryshëm muslimanë.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me civilizimin islam. Aq e fortë ka qenë lidhja ndërmjet besimit, adhurimit dhe dëshirës për ta shprehur këtë universalitet dhe unitet, sa muslimanët u rrekën me qindra vjet që kredon e tyre të besimit në një Zot, ta përkufizonin në çdo aktivitet dhe qelizë të jetës.
Prej këtij përkufizimi nuk shpëton as arti, i cili nën kredon islame të absolutizmit dhe unitetit hyjnor do të shkapërderdhej prej Gadishullit Arabik në të gjitha drejtimet.
Ky art e shtriu ndikimin e tij larg (nga Mauritania në Kinë dhe nga Jemeni në Hungari) sa që ishte e vështirë që të dalloje tiparet kryesore dhe formuese të artit islam nga një trevë në tjetrën dhe nga një kulturë në tjetrën.
Popuj të ndryshëm duke rënë në kontakt me Islamin, shfrytëzuan të gjithë burimet e tyre frymëzuese dhe krijuese për t’i dhënë hov e jetë kësaj trajte dhe stilistike të re arti që vinte nga Lindja.
Edhe në Shqipëri ky art hodhi rrënjë dhe u trajtua në të gjitha format, teknikat dhe stilet si art islam. Fillimisht në ndërtimin e xhamive të vogla e të thjeshta, më pas në shkrimin me dorë të librave të pakët që qarkullonin dhe që ishin pronë e atyre pak dashamirësve të dijes, më pas me ngritjen e Mesxhideve të mëdha, me minare elegante e kupola të shndërritshme prej plumbit që shkëlqenin që përtej qytetit, me bukurshkrimin (kaligrafinë) e dokumenteve sulltanore (fermanëve) etj.
Ky art sa dominues aq edhe paqësor, u shkri dhe “u përkthye” prej ndërtuesve, ustallarëve dhe arkitektëve vendas shqiptarë, të çdo treve dhe krahine në mënyrën më të bukur dhe më të thjeshtë.
Nëse do të shikojmë me vëmendje objektet e ndërtuara prej ustallarëve shqiptarë, qartazi do të vëmë re se autori “i veprës”, përveç faktit që është anonim, nuk lë asnjë shënim për të zbuluar diçka nga personaliteti i tij.
Ndërkaq vepra e tij edhe pse e bukur dhe madhështore, vihet në shërbim të së tërës, publikes, individëve dhe sublimes, që në rastin konkret është Absoluti (Zoti).
Ky tipar spikat në trevat shqiptare për shumë arsye. Autori asnjëherë nuk ka dashur të njihet prej njerëzve, pasi ai kërkon që të njihet prej vetë Krijuesit.
Arti islam është sa anonim aq edhe personifikues, mjafton të themi këtu se vetëm prej arkitekt Mimar Sinanit ne njohim mbi 300 vepra të mëdha arkitekturore dhe publike në të gjithë botën islame.
Ato i përkasin autorit, por asnjëherë autori nuk ja dedikoi vetvetes.
Ai ja dedikoi Absolutit.
Shumë vepra arkitekturore dhe artistike kanë jetuar shumë gjatë dhe janë trashëguar nga brezi në brez, por pa njohur autorin, arkitektin dhe punuesin e tyre.
E të njëjtës trajtë është edhe xhamia e Et’hem Beut në Tiranë. Të gjithë e njohim porositësin, por askush nuk njeh dorën e atij arkitekti dhe ndërtuesi që ka derdhur mundin dhe artin bashkë, për të ndërtuar një vepër kaq të madhe e të bukur.
Askush nuk ka pyetur ndonjëherë se kush është punuesi dhe ndërtuesi i kësaj vepre kaq të bukur, por gjithnjë është lëvduar dora dhe teknika e anonimit.
Pasi është pikërisht anonimi, ai që ndërton për të qenë gjithnjë anonim dhe për t’u shkrirë me veprën. Personaliteti i tij, shprehet vetëm në detaje.
Pothuajse të gjitha veprat arkitekturore dhe artistiko-islame në Shqipëri kanë mbetur anonime dhe pa autor (ndonjëherë edhe sepse emrat e tyre nuk janë ruajtur), shpesh për to thuhet se u ndërtuan nga (porositësit) që ishin Et’hem bejt, Mirahorët, Bushatllitë etj., por në fakt, askush prej tyre nuk skaliti gurët e lumit, askush nuk ngriti kupola dhe minare; ata vetëm shijuan madhështinë e veprës.
Rëndom ata madje edhe u varrosën bashkë me veprën, në krahë të saj (Siç është rasti i Et’hem Beut dhe gruas së tij Belkizës).



