Përballja e dy mbretërve të fuqishëm, Bardhylit të ilirisë dhe Filipit të II të Maqedonisë

Autorët

  • Tolin Kona

Abstract

Artikulli “Përballja e dy mbretërve të fuqishëm mbretit Bardhyl të Ilirisë dhe Filipit të II të Maqedonisë, ka në qendër të tij situatën politike dhe diplomatike midis Mbretërisë ilire dhe asaj të Maqedonisë antike në shek IV p.e.s. Kjo situatë paraqitet në sfondin e lindjes dhe zhvillimit të shtetit ilir nga ana politike dhe ekonomike-shoqërore, por edhe të përpjekjeve të mbretërisë maqedonase për t'u fuqizuar.
Në këtë pikë, interesat e këtyre dy shteteve u përplasën në krahinën ilire të Lynkestias e cila prej kohësh i bënte qëndresë pushtimit maqedon. Këto përplasje u shoqëruan me konflikte ushtarake në të cilat u evidentuan edhe dy figurat kryesore: Mbreti i ilirëve Bardhyli dhe Filipi II i Maqedonisë.
Bardhyli i cili nga qymyrxhi ishte bërë mbret i ilirëve kishte fituar respektin e luftëtarëve për shkak të personalitetit të tij si njeri i drejtë dhe i paanshëm. Ai brenda një kohe të shkurtër e fuqizoi shtetin ilir duke e ndërtuar atë me shumë komponentë përbërës si: aparatin shtetëror, ushtrinë profesioniste etj.
Në kohën e tij mbretëria Ilire shfaqet si nje fuqi në rajonin e Ballkanit dhe gjatë konflikteve ushtarake me Maqedoninë për çështjen e Lynkestias ushtria ilire thyen disa herë ushtrinë maqedonase, njëkohësisht pushton edhe një pjesë të territoreve të saj, duke marrë edhe tribute vjetore nga mbretërit maqedonas.
Përballë figurës së Bardhylit shfaqet Mbreti i ri Filipi II i Maqedonisë, djali i mbretit Amynta II i mundur nga Bardhyli. Filipi për disa kohë kishte qenë peng në Iliri dhe më pas në qytet-shtetin grek të Tebës. Në Tebë e cila në atë kohë ishte një fuqi ushtarake, Filipi mësoi shumë nga arti i luftës. Në momentin kur ai u kthye në Maqedoni mori me vete edhe modelin e organizimit ushtarak Teban të cilin e vendosi në ushtrinë maqedonase duke e përmirësuar edhe më tej atë. Njëkohësisht ai futi në ushtrinë maqedonase një frymë të re, ku stërvitja dhe disiplina ishin shtyllat kryesore të saj. Me këtë ushtri të ndërtuar Maqedonia u shfaq si një fuqi ushtarake dhe Filipi vendos të rimarrë përsëri territoret maqedonase nën sundimin ilir, si dhe të fusë nën kontroll krahinën e Lynkestias. Kështu ai u ndesh me mbretin Bardhyl në një betejë e cila ka ardhur deri në ditët tona nga autori antik Diodori.
Beteja mes dy mbretërve përshkohet nga trimëria e të dy ushtrive dhe nga taktikat ushtarake që përdorën Bardhyli dhe Filipi si dy strategë të talentuar. Ajo është dinamike dhe anon herë nga ilirët herë nga maqedonasit. Megjithatë në fund fiton falanga maqedonase dhe strategjia e Filipit II, i cili edhe pse fitues ngurron ta ndjekë nga pas ushtrinë ilire e cila tërhiqet me disiplinë pa e prishur formacionin e saj kuadrativ mbrojtës. Kështu Filipi II rimerr territoret maqedonase nën sundimin ilir dhe vë nën kontroll krahinën e Lynkestias. Bardhyli ngrihet disa herë kundër Filipit por me pas emri i tij nuk përmendet më në burimet historike. Ndërkohë Maqedonia nën Aleksandrin e Madh djalin e Filit II kthehet në një superfuqi të botës antike.
Për ilirët këto kohëra dhe situata patën një ndikim të madh në evidentimin e tyre si komb dhe qytetërim më vete në mes popujve të tjerë të Mesdheut.

Keywords:

mbretër, Iliria, Maqedonia, mbret Filipi II, mbreti Bardhyl

Downloads

Download data is not yet available.

References

  1. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Instituti i Historisë.

  2. Dervishi, Shaban. Greqia e lashtë, Shtëpia botuese “ Albapress”, Tiranë, 2001.

  3. Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë. Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë: ” Ilirët dhe Iliria nga autorët antikë, Tiranë, 1965.

  4. Islami, Selim. Historia e ilirwve, Botimet “Toena ”, “Albanian Heritage”, Tiranë, 2008.

  5. Historia e popullit shqiptar, Vëllimi i parë, Botimet “ Toena”, Tiranë, 2002.

  6. Vajgal, Artur. Aleksandri i Madh, Shtëpia Botuese Enciklopedike, Tiranë, 1993.

Published

2023-12-30

How to Cite

Kona, Tolin. 2023. “Përballja E Dy mbretërve Të fuqishëm, Bardhylit Të Ilirisë Dhe Filipit Të II Të Maqedonisë”. Univers 18 (18):109-17. https://albanica.al/univers/article/view/3112.

Numër

Section

Horizonte Shoqërore