Vlera urbanistike arkitekturore e Beratit
Abstrakti
Për vlerat e tij të rëndësishme historiko-kulturore, Berati është një prej qendrave qytetare më të spikatura të hapësirës shqiptare dhe asaj evropiane më gjerë. Kjo qendër ruan vlera të rëndësishme historiko-kulturore në fushën ndërtimore, që prej shek. IV p.e.s. deri në ditët tona. Gjatë historisë së pandërprerë 24 shekullore, në Berat u ndërtuan shumë vepra, shumë prej të cilave ruhen në gjendje të mirë, ose pjesërisht në rrënoja, duke qenë kështu një dëshmi e rëndësishme dokumentare për historinë.
Vlerat arkitektonike të beratit përfshijnë fortifikimin, ndërtesat e kultit dhe kategorinë e banesave.
Kalaja e Beratit - themeluesja e qendrës së banuar qytetare, e ndërtuar në shek. IV p.e.s, ngrihet mbi një lartësi kodrinore e cila bie me faqe të thepisura drejt ultësirës, veçanërisht në faqen jugore në drejtim të Osumit. Konturi i mureve rrethues, i pajisur me një hyrje kryesore në veri dhe me shumë kulla, zhvillohet lirshëm për të ndjekur formën e truallit shkëmbor mbi të cilin ngrihet. Kalaja e Beratit, pra muret rrethues, me histori 2400 vjeçare kanë pësuar shkatërrime të madhësive të ndryshme dhe rindërtime të shumta, me synim riparimin dhe përfshirjen e elementeve të reja fortifikuese në vazhdën e zhvillimeve të reja me teknikat e kohës.
Ndërtimet e kultit kristian, si kisha, i ndeshim thuajse në mbarë qytetin, por ato të ngritura në brendësi të kalasë dhe pranë saj shquajnë për kohën e hershme të ndërtimit dhe vlerat arkitekturore.
Një kategori krahasimisht të re të ndërtimeve të kultit me fillesa në shek. XV , paraqesin ato të kultit musliman. Kjo kategori ndërtimore, krahas llojit kryesor, xhamisë, përfshin edhe teqe, turbe, medrese, varre monumentale etj. Xhamitë e para janë ndërtuar prej mecenatësh të huaj, siç është Xhamia e Kuqe, ndërtuar në shek. XV, Xhamia Mbret (Xhamia Mbret) dhe Xhamia e Begarëve (Xhamia e Beqarëve), Teqeja e Helvetëve, janë disa nga ndërtesat me vlerë të besimit mysliman në Berat.
Kategoria ndërtimore më masive e qytetit është natyrshëm banesa, e cila përbën elementin thelbësor jetësor dhe i jep tiparet dalluese kësaj qendre me histori shekullore, si rrallë qendra të banuara në hapësirën shqiptare dhe më gjerë. Banesat që ruhen ende sot në Berat, u përkasin kohësisht, kryesisht shek. XVIII-XIX, por tipologjikisht shumica e tyre përsërisin arritje pararendëse, të cilat kanë qenë njohur më herët, madje dhe para pushtimit osman të vendit. Në Berat, krahas tipologjisë tradicionale, siç janë banesat me gardhe, ndeshim shpesh banesa me hapësira të vogla dhe mesatare, të cilat ngrihen kryesisht në lagjet Mangalem, Goricë dhe Kala.
Qendra Historike e Beratit zë një vend të veçantë në trashëgiminë historiko-kulturore të etnosit shqiptar si për jetëgjatësinë e pandërprerë shumëshekullore, ashtu edhe për dëshmitë e shumta urbanstiko-arkitekturore. Për vlerësimin e trashëgimisë historiko-kulturore të Beratit tashmë kujdeseshin institucione të specializuara në fushën e monumenteve, sipas kritereve bashkëkohore.
Që prej vitit të shpalljes së Beratit qytet-muze dhe, veçanërisht pas vitit 1965, me krijimin e Institutit të Monumenteve, në Berat janë kryer punime sistematike restauruese në mbarë gjinitë e monumenteve, në radhë të parë, në banesat tradicionale. Në sajë të këtyre ndërhyrjeve, Berati ruan vlerat, për të cilat është vënë në mbrojtje si një dëshmi e prekshme historiko-kulturore e popullit shqiptar. Duke vlerësuar pasuritë kulturore të Beratit, të cilat ndjeshëm i kalojnë kufijtë shqiptarë, është ndërmarrë hartimi i dosjes përkatëse, sipas normave të UNESCO-s për përfshirjen e Qendrës Historike të këtij qytetit të lashtë në listën e Pasurisë Botërore.
Historia e pandërprerë 2400- vjeçare e kësaj Qendre, e shfaqur qartazi edhe nëpërmjet dëshmive të shumta vlerëplota historiko-kulturore në fushën ndërtimore, është dhe do të jetë një arritje madhore e etnosit shqiptar në shekuj, e cila pritet të konfirmohet edhe në plan ndërkombëtar.
Fjalët kyçe:
Berati, trashëgimia historiko-kulturore, ndërtesa kulti, banesat tradicionaleShkarkimet
References
-
A. Baçe, A. Meksi, E. Riza, "Berati historia dhe arkitektura", Tiranë, 1988.
-
A. Baçe, A. Meksi, E. Riza, Gj. Karaiskaj, P. Thomo, "Historia e arkitekturës shqiptare", Tiranë, 1980.
-
A. Meksi, "Tri Kisha bizantine të Beratit", Monumentet, 2/1974.
-
A. Meksi, "Ndërtimet e kultit mysliman në Shqipëri", Studime historike, Tiranë, 1/1980.
-
E. Riza, "Qyteti-muze i Beratit, arritje dhe perspektiva", Monumentet, 2/1990.
-
E. Riza, "Lagjja Mangalem, një ansambël me vlera madhore", Monumentet, 2003.
References
A. Baçe, A. Meksi, E. Riza, "Berati historia dhe arkitektura", Tiranë, 1988.
A. Baçe, A. Meksi, E. Riza, Gj. Karaiskaj, P. Thomo, "Historia e arkitekturës shqiptare", Tiranë, 1980.
A. Meksi, "Tri Kisha bizantine të Beratit", Monumentet, 2/1974.
A. Meksi, "Ndërtimet e kultit mysliman në Shqipëri", Studime historike, Tiranë, 1/1980.
E. Riza, "Qyteti-muze i Beratit, arritje dhe perspektiva", Monumentet, 2/1990.
E. Riza, "Lagjja Mangalem, një ansambël me vlera madhore", Monumentet, 2003.