Rreth librit "Larg dhe Afër: Saga e një familjeje"
Abstract
Letrat shqipe kanë përjetuar një nga periudhat e veta më të ndritura në vitet ’20 – ’30 të shekullit të kaluar. Janë me dhjetëra shkrimtarët, poetët dhe publicistët, të cilët, të ndikuar nga fryma e modernitetit dhe idetë kombëtare, prodhuan letërsi dhe publicistikë të një niveli të lartë, jo vetëm për kohën, por edhe për periudhat e më pastajme.
Një nga përfaqësuesit më tipikë të këtyre zhvillimeve ishte Ismet Toto, gazetar, letrar, biograf e përkthyes. Së bashku me pjesën tjetër të familjes, vëllezërit Ethem dhe Selahudin Toto, do të ishin disa nga intelektualët më të guximshëm të kohës, që u angazhuan me penën dhe veprimtarinë e tyre në përpjekjet për modernizimin e shoqërisë shqiptare dhe përparimin e saj, krahas vendeve të tjera europiane. Si pasojë e kundërshtisë me pushtetet në fuqi, fundi i tyre do të ishte tragjik dhe vepra e tyre do të lihej në harresë përgjatë kohës së regjimit komunist, por edhe në demokraci nuk do të njihej sa duhet.
Tashmë kjo vepër publicistike vjen në formën e një libri voluminoz të titulluar “Larg dhe afër: Saga e një familjeje”.
Materiali i librit është mbledhur nën kujdesin e historianes Prof. Dr. Nevila Nika, e cila ka shkruar edhe parathënien e tij në cilësinë e pasardhëses së familjes Toto. Sipas saj, puna për botimin e një përmbledhjeje të tillë zë fill në vitin 1947, kur prof. Selahudin Toto, asokohe deputet dhe titullar i Institutit të Shkencave, kishte përgatitur, e ndoshta edhe shtypur, të parën përmbledhje të punëve të vëllait të tij, Ismetit. Por kjo vepër u dogj nga regjimi komunist, së bashku pjesën tjetër të veprave të tij, si shqipërimi i librit “Njëzetë vjet ngatërresa në Ballkan” të Edit Durhamit, apo libri biografik për Ismet Totën “Bota e një djaloshi revolucionar”.
Përpjekje të tjera janë bërë nga studiuesit Ibrahim Gani dhe Halil Qendro, të cilët kanë arritur të botojnë për herë të parë një përmbledhje të shkrimeve të Ismet Totos me titull “Bota e një djaloshi kryengritës”, në vitin 1997. Ndërsa botimi i tanishëm është më i plotë, sepse përmban edhe shkrime të pabotuara më parë, duke zbuluar pothuaj tërësisht krijimtarinë e Ismet dhe Selahudin Totos.
Libri mban për autorësi emrin e Ismet Totos, sepse në pjesën më të madhe është publicistikë e shkruar prej tij në faqet e shtypit të viteve ‘30, kryesisht në gazetat “Shekulli i ri”, “Gazeta e re”, “Gazeta shqiptare”, “Arbënia”, “Rilindja e Arbënisë”, revistat “Minerva”, “Illyria”, etj. Artikujt janë kryesisht me karakter politik, gjeopolitik, ekonomik, por edhe social. Shqetësimi i tij më i madh lidhej me ndërgjegjësimin e rinisë ose të “djalërisë” – siç e quan ai, për të marrë në dorë fatet e vendit. Veçanërisht këto shqetësime shfaqen qartë në shkrime me tituj të tillë si: “Agonia e ideologjisë së vjetër”, “Shigjeta në erë”, “Melodia e kukuvajkave”, “Shteti dhe shtypi”, “Të heshtim?”, “Organizma qeveritare dhe buka”, “Plagët e bujkut”, etj.
Ja se çfarë shkruante në një artikull: “Duhen, po, duhen përkrahur elementët e pastërta që premtojnë se do të bahen të ndershëm dhe të denjë. Kemi nevojë për një brez të ri të kthjelltë dhe të virtutëshmë, aq bukur dallon racën Shqiptare. Duhen përkrahur prej gjithë Shqiptarve organizata e djelmnis. Çdo nënshtetas duhet të bëjë dishka në të mirën e përgjithshme të Kombit”, revista “Ora”, në 26 shkurt 1930.
Një kapitull më vete zënë letra, raportime e telegrame të Ismet Totos për eprorët e tij dhe për Mbretin Zog mbi problematika të ndryshme rreth detyrës së tij si nënprefekt i Matit, mbajtur në vitet e fundit të jetës së tij të shkurtër. Krijimtaria letrare e përfshirë në botim, janë skica dhe vizatime letrare, poezi e proza meditative, të cilat i botoi në pjesën më të madhe nën pseudonimin Borealis, por dhe Arbërori, Spero, Tomorri, etj. Ajo pasqyron dallgëzimet shpirtërore, baticat dhe zbaticat nëpër të cilat kaloi Ismeti dhe zbulojnë shpirtin e tij artistik, duke shfaqur më shumë ide e mendime kurajoze, sesa ndjenja e mbresa. Ndërsa veprat e Selahudin Totos në libër janë kryesisht shkrime me karakter letrar, të botuara në revistat “Illyria”, “Laboremus”, “Shekulli XX”, “Minerva”, “Demokratia”, “Shkëndija” etj. Kurse pjesa e shkrimeve të Ethem Totos zë një vend të vogël dhe përbëhet nga disa letra drejtuar eprorëve, gjatë kohës që ai mbante disa poste drejtuese, por të mjaftueshme për të kuptuar nivelin e tij intelektual.
Në tërësinë e tij, libri “Larg dhe afër: Saga e një familjeje”, me publicistikën, eseistikën, mendimin filozofik letrar dhe social që paraqet në 540 faqet e tij, është një homazh i denjë që u bëhet bijve të familjes intelektuale e patriotike Toto.



