H. Abdullah Zëmblaku, fetar dhe atdhetar i shquar

Autorët

  • Dr. Hysen Kobellari

Abstract

Figura e atdhetarit, mësuesit, propaganduesit të dalluar të fesë islame, vjershëtorit e veprimtarit të shquar social, Sheh Hafiz Abdullah Zëmblaku, merr një rëndësi të veçantë në kohën tonë.
Kjo figurë shumë e dashur për njerëzit, kudo ku flitet e lexohet shqip e veçanërisht për besimtarët muslimanë, qëndron denjësisht përkrah mikut të tij të shquar, savantit Hafiz Ali Korça, të cilin Zëmblaku vetë e quante vëlla shpirtëror të tij. Por, ndërsa për H.A.Korçën është shkruar diçka; emrin e tij e mban me krenari një medrese në Kavajë, madje është botuar edhe një monografi për jetën dhe veprën e tij, për H.A. Zëmblakun pak është folur e shkruar. Të gjithë e njohin "Mevludin" e tij të famshëm, i cili këndohet në raste festash ose përkujtimesh; njohim mjaft vjersha dhe libra bestare në gjuhën shqipe, të vlefshëm edhe sot, pas gati një shekull nga koha kur janë shkruar e botuar.

Hafiz Zëmblaku ishte njeri i ditur, shembull i durimit, model i këmbënguljes në punën për përhapjen e fesë së vërtetë dhe arsimit në shqip, në propogandimin e dashurisë për atdheun, diturinë e shkencën, për të vërtetën, paqen dhe mirësinë njerëzore.
Hafiz Abdullah Zëmblaku e quan veten me krenari "Shërbëtor i Kombit Shqiptar” dhe "Misionar dhe mësues i Fesë Islame". Këto cilësime qëllimlarta ai u përpoq t'i përmbushte me punë të palodhur gjatë gjithë jetës së tij të frytshme, duke shkruar e botuar mbi 30 libra, duke i rënë kryq e tërthor qyteteve e fshatrave të atdheut, për të predikuar falas besimin e vërtetë, diturinë, atdhetarinë, paqen, të vërtetën dhe progresin. Është ndër të parët hartues dhe organizatorë të botimit të librave në gjuhën shqipe me përmbajtje fetare. Librat shkruheshin gegërisht dhe toskërisht dhe shpërndaheshin falas gjatë veprimtarive që organizonte shpesh H.A.Zëmblaku në veri ose në jug të vendit. Në librat e tij gjenden lista të gjata e të hollësishme për dhënësit e ndihmës përkatëse (sponsorizues) për këto botime nga besimtarë zemërbardhë e dashamirës.
Duke zotëruar disa gjuhë me mundësi të mëdha shprehëse si arabisht, turqisht, persisht, sllavisht, frëngjisht, etj., ai formoi një kulturë të plotë jo vetëm fetare por edhe letrare e shkencore. Bashkëpunoi me revista dhe gazeta të kohës, si me revistat "Zani i Naltë", "Kultura Islame", "Njeriu", etj., ku botoi shkrime të ndryshme. Përktheu vepra fetare, filozofike e mistike, disa prej të cilave mundi t'i shtypte e t’i shpërndante. Është ndër bejtexhinjtë e fundit, të cilët poeti ynë kombëtar Naim Frashëri i ka vlerësuar, duke thënë për Hasan Zyko Kamberin, etj., se është "Mbreti i Vjershëtorëve".

Po përse vallë për Sheh Hafiz Abdullah Zëmblakun kanë heshtur kaq padrejtësisht jo vetëm studiuesit dhe hulumtuesit, por edhe klerikët dhe drejtuesit e institucioneve fetare dje dhe sot?!
Mbase kjo ka ndodhur ndoshta nga që Sheh Abdullahu i përkiste një tarikati të veçantë. Siç thotë për veten në librin "Bilbili Paq", përmbledhje vjershash më të mira, viti 1940 "Misionar Islam dhe Mësues i Fesë Islame për shpirt (shëtitës), dhe Halifat i Tarikatit Nakshi dhe Hajati dhe Autor i librave fetare shqipe, Sheh Hafiz Abdullah Sëmlaku (Fatih), dalë nga medrese e naltë Darulhilafe dhe nga Shkolla e Naltë Darulfununi Sherijje (Universitete) e Stambollit." Si duket nga këto tarikate sot ka pak ose aspak njohës, përkrahës e ndjekës. Sheh Zëmblaku është ndoshta bejtexhiu i fundit, i cili u përpoq të kuptonte rrezikun e hyrjes pa doganë të fjalëve turke, arabe, persiane në gjuhën shqipe, të pakuptimta për popullin e thjeshtë, masën e gjerë, rrezikun e përzjerjes së gjuhëve deri në përçudnim. 
Hytbet e mbajtura nga H. A. Zëmblaku janë model i shkëlqyer i zbërthimit të Kuranit Famëlartë dhe Haditheve të Pejgamberit (a.s.), shembull arsyetimi dhe gërshetimi me problemet e kohës dhe gjendjen faktike të jetës tek ne. Ai propagandonte harmoninë fetare në vendin tonë, duke porositur besimtarët që të respektojnë fenë e tjetrit në të drejtë të tyre dhe duke adhuruar fenë e vet, duke u thelluar në Librin e Shenjtë e Praktikën Pejgamberike.
Për të përjetësuar emrin dhe veprën e H. A. Zëmblakut këto vite janë organizuar veprimtari përkujtimore - shkencore për nder të tij dhe veprës që ai la pas. Ai u nderua me Titullin “Qytetar Nderi” nga Komuna Pojan në Korçë, me nismën time dhe nën kujdesin e Kryekomunarit Alfred Berberi. Medreseja e re e Korçës mban emrin e nderuar të Sheh Hafiz Abdullah Zëmblakut. Mbase një monografi e posaçme do të ishte e vlerësuar dhe e mirëpritur prej të gjithëve.

Keywords:

atdhetar, fetar, Hafiz Abdullah Zëmblaku, misionar dhe mësues i fesë islame, shërbëtor i kombit shqiptar

Downloads

Download data is not yet available.

References

  1. Gjithë literatura e botuar nga H. A. Zëmblaku, e cila ndodhet në Bibliotekën “Thimi Mitko” në Korçë.

  2. Revista “Njeriu”, nr.2(14), gusht 1943, shënimi.

  3. “Bilbili i Prillit”, prill 1928.

  4. Revista “Zani i Naltë” nr.8, viti 1938.

  5. “Mevludi Paq” - Nuri Ahmedia, viti 1931, botim i dytë.

  6. “Bilbili Paq”, viti 1940, Përmbledhje vjershash më të mira.

  7. “Bilbili Shpirtnor” viti 1936, etj.

Published

2023-12-30

How to Cite

Kobellari, Dr. Hysen. 2023. “H. Abdullah Zëmblaku, Fetar Dhe Atdhetar I Shquar”. Univers 17 (17):91-101. https://albanica.al/univers/article/view/3150.

Numër

Section

Horizonte Shoqërore