Trashëgimia kulturore me alfabet arab në Ballkan
Abstract
Më shumë se një shekull më parë, Sami Frashëri, eruditi i shquar, ideologu i Rilindjes Kombëtare dhe kolosi i kulturës shqiptare dhe osmane, theksonte se kulturat e krijuara në Ballkan nuk duhet të jenë mure ndarëse, por ura bashkëpunimi dhe miqësie midis popujve të këtij rajoni.
Si trashëgimi e kulturës së periudhës osmane në Shqipëri vijnë rreth 430 mbishkrime me shkrim arab që janë mbledhur me kujdes, transliteruar dhe përkthyer nga orientalisti i mirënjohur shqiptar, Vexhi Buharaja.
Këto mbishkrime janë gjetur në rrethet: Berat, Durrës, Kavajë, Peqin, Tiranë, Elbasan, Gjirokastër, Libohovë, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Krujë, Lezhë dhe Shkodër.
Në përgjithësi, ato janë kronograme, epitafe të shkruara në objektet e kultit islam, në xhami, në teqe, në pllaka varresh, si edhe epigrame në kështjella, në kulla sahatesh, në godina banimi, në vepra urbanistike, në çezma, në kroje dhe në mure rrethues.
Të shkruar në pllaka gurësh gëlqerorë, në pllaka apo kolona mermeri, në pjesë të suvatuara, në material drusor apo lëkure, mbishkrimet rrokin një hark të gjerë kohor, gati pesëshekullor, duke filluar nga viti 1446 dhe përfundojnë në vitin 1942.
Ballkani është një mozaik i bukur e mahnitës kulturash, shtetesh, gjuhësh, etnish të pikturuara me shije dhe mjeshtëri nga piktori universal me emrin kohë. Çdo element e ngjyrë e këtij mozaiku janë kombinuar në harmoni, me kontraste, raporte dhe dimensione të veta. Çdo përpjekje për prishjen dhe deformimin e këtij kombinacioni e raporte ngjyrash, çdo zmadhim i një ngjyre ndaj të tjerave do t’i fashiste dhe do t’i zbehte bukuritë e këtij mozaiku, si çdo përpjekje të popujve për t’u dhënë shkëlqime reale identiteteve të veta, do të ishte njëherazi shkëlqim i gjithë peizazhit të mozaikut.
Fati i vendosi ballkanasit pranë dhe afër jo për t’u grindur, por për të bashkëpunuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin. Më shumë se një shekull më parë, Sami Frashëri, eruditi i shquar, ideologu i Rilindjes Kombëtare dhe kolosi i kulturës shqiptare dhe osmane, theksonte se kulturat e krijuara në Ballkan nuk duhet të jenë mure ndarëse, por ura bashkëpunimi dhe miqësie midis popujve të këtij rajoni.
Ballkani është areal i banuar që nga zanafilla e shoqërisë njerëzore dhe ka njohur disa qytetërime. Ballkani është hapësirë e ashpër dhe e butë malore, e rrëpirët dhe e sheshtë, e nxehtë dhe e ftohtë, e lagur nga lotët e kripura të deteve që e qarkojnë nga tri anë; e rrokur prej erërave nga të gjitha pikat e horizontit, prej rrymave të acarta polare apo përkëdhelëse e të ngrohta jugore; e përshkuar prej ujërave që rrëmbyeshëm zbresin faqeve të maleve dhe rrjedhin herë butësisht, herë vrulltas drejt deteve. Mirësitë dhe resurset e Ballkanit, pozicioni strategjik i tij, prej kohësh kanë qenë të lakmuar prej popujve përtej deteve e përtej maleve, herë si pushtues e herë si miq ata kanë vërshuar drejt Ballkanit duke sjellë kultura e përvoja njerëzore nga më të ndryshmet.
Me kulturë e qytetërime të ardhura nga lindja e perëndimi, Ballkani përngjan me një pellg kulturash me nuanca diverse, por në përshtatje me koloritin e rajonit.
Gjatë mijëvjeçarit të dytë, Ballkanin e kapluan rryma të ardhura nga Lindja Islame. Kultura e ardhur nga bota islame përngjante me një dritë hëne që çante errësirën mesjetare, ku së bashku me Europën ishte zhytur edhe Ballkani. Si fjollë e kësaj drite shërbeu edhe alfabeti arab i përdorur për një kohë të gjatë në hapësirat e gjera nga oqeani Atlantik në Perëndim deri në Kinën e largët në Lindje, nga Deti i Zi e Kaspik në Veri deri në Oqeanin Indian në Jug. Me këtë alfabet, popujt e Ballkanit për disa shekuj qëndisën qilimin e tyre kulturor në harmoni e kombinim koloritesh autoktone.
Për të hulumtuar vlerat dhe bukuritë e këtij koloriti u zhvillua Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me temë: “Trashëgimia kulturore me alfabet arab në Ballkan”, organizuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam në bashkëpunim me Organizatën Botërore Islame për Kulturë, Arsim dhe Shkencë me qendër në Marok.
Është një privilegj i veçantë që kjo konferencë u zhvillua nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Shqipëri, me mbështetjen e Arkivit të Shtetit dhe të një numri të gjerë institucionesh nga Ballkani dhe rajoni.
Organizimi i një ngjarjeje të tillë shkencore synon të zbulojë atë trashëgimi të përbashkët që ka lënë komunikimi i popujve të Europës Lindore me kulturën arabe, perse e osmane dhe ndikimet e tyre në kulturën ballkanike, veçanërisht atë pjesë që ka të bëjë me ndikimin e gjuhës arabe dhe të alfabetit të saj në letërsinë, mënyrën e shkrimit të fjalimeve, letrave zyrtare, letrave të zakonshme, mbishkrimeve në objektet e kultit etj.
Punimet që u paraqitën, përbëjnë një kontribut të çmuar për njohjen e vlerave të trashëgimisë kulturore me alfabet arab, si dhe gatishmërinë e popujve ballkanas për të ruajtur vlerat e veta në ecjen e tyre drejt kulturave të përparuara të kohës, ashtu siç do të jenë ndihmëse në ndërtimin e urave lidhëse që i bashkon vendet e rajonit midis tyre dhe i ndihmon ato në ecjen drejt integrimit euro-atlantik.
Konferenca synoi rritjen e bashkëveprimeve dhe komunikimeve të ndërsjella që lindin si rezultat i së kaluarës dhe i së ardhmes sonë të përbashkët.