Gjithësia dhe njeriu në optikën e filozofisë dhe të doktrinës islame
Abstract
Filozofia islame dallon e veçohet prej gjithë rrymave dhe shkollave të shumta filozofike që kanë lulëzuar prej kohëve më të hershme deri në ditët tona. Dallohet, sepse shigjeta e saj magnetike orientohet nga Kurani fisnik, si libër i të vërtetave absolute e universale, dhe nga Hadithi – fjalët e veprat e profetit Muhamed a.s., si personaliteti që qëndron përmbi filozofët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Mbështetur në këto dokumente madhore burimore, prej kësaj filozofie marrin përgjigje më të drejta pyetjet që kanë trallisur mendjet më të shquara njerëzore, të cilat, duke mos e disponuar këtë busull, janë hallakatur në enigmat dhe në të fshehtat e gjithësisë.
Kështu, filozofia islame merr përsipër përgjegjësinë për t’iu përgjigjur pyetjes “Pse ka ndodhur krijimi?”-, para së cilës ngecin filozofët dhe shkencëtarët më të shquar. Prej shpjegimit të drejtë të procesit të Krijimit morën vrull në botën islame shkencat ekzakte si astronomia, kimia, matematika e fizika dhe bota muslimane në terrin e mesjetës përngjante me dritën e hënës. Filozofia islame nuk ka rënë ndesh me shkencat. Kampionët e filozofisë islame El-Kindiu, El-Farabiu, Ibn Sinai etj. ishin edhe matematikanë, fizikanë, astronomë, kimistë etj. Në botën muslimane filozofët dhe shkencëtarët nuk u dënuan me kupën e helmit, si Sokrati i lashtësisë apo në turrën e druve, si Xhordano Bruno. Filozofët islamë nuk ranë ndesh me shkencat dhe në mbrojtje të pikëpamjeve dhe tezave të tyre shkuan deri tek shkaku i parë i Krijimit dhe i çdo dukurie. E udhëhequr nga libri i shenjtë i Kuranit, kjo filozofi islame e hedh vështrimin mbi njeriun si Halife - Mëkëmbësi i Zotit në Tokë, që do të thotë se njeriu është realitet specifik i botës, qëllimi dhe akti i fundit i gjithë krijimit, krijesë cilësisht e dallueshme prej gjithë krijesave të tjera dhe i ngarkuar me një mision të caktuar. Angazhimi i njeriut për plotësimin e këtij misioni, pa dyshim, sjell si rezultat një qenie të bukur e të ndershme që meriton kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin prej Tij në të dy botët. Tipari më thelbësor i qenies njeri nuk mund të kërkohet e të gjendet në pjesën materiale, në dukjen e jashtme të kësaj qenieje që është e përkohshme e ndryshueshme dhe e shumëllojshme. Thelbi i qenies njeri gjendet në botën shpirtërore si esencë e esencës dhe e ekzistencës. E mira primare dhe kryesore në botën shpirtërore është ndjenja e besimit dhe e dashurisë në Zot; të mirat e tjera janë rrjedhojë.
Doktrinat teologjike shpjegojnë se në gjithçka që është krijuar dhe ekziston ndodhet vepra e Zotit, d.m.th. objekti absolut dhe i vetëm, ku gjendet e vërteta. Gjithësia është një orë universale e shpikur dhe e krijuar nga intelekti hyjnor dhe akrepat e kësaj ore tregojnë kohën dhe ligjet e ekzistencës dhe lëvizjes. Njohja e gjithësisë të çon në njohjen e veprës së Zotit. Nisur nga këto porosi, doktrina islame motivon drejt procesin e njohjes si mision dhe përgjegjësi. Nga ky konceptim i drejtë ndërvaret edhe suksesi në këtë fushë. Kështu shpjegohet edhe fakti i lulëzimit të dijeve dhe i përparimit të shkencave në botën islame, të cilat kushtëzuan edhe epërsitë dhe shtrirjen e Islamit në Europë dhe më gjerë.
Bota muslimane sot, liderët dhe dijetarët islamë duhet të kuptojnë se sukseset apo disfatat në Islam e kanë zanafillën në qëndrimin ndaj dijes. Shumë dijetarë muslimanë në librat e tyre shprehin shqetësimin për gjendjen e Islamit sot dhe pranojnë një prapambetje, një inferioritet të popujve muslimanë dhe shtrohet pyetja: Përse bota muslimane mbeti mbrapa dhe përse shekujve të fundit nuk shënon progres? Çfarë humbi bota në dobësimin e muslimanëve? Ku kemi gabuar? Rizgjimi islam, që shtrohet sot si problem për zgjidhje do të vijë si qëndrim ndaj arsimimit. Nyja që duhet zgjidhur qëndron pikërisht aty: ajo çka thuhet në Kuran për dijet dhe shkencën të mos mbetet një frazë e zbrazët dhe vetëm recitim i bukur, por të kthehet në realitet.



