Bixhozi, si u tentua të ndalohej në vitet ’20 -’30 dhe frika për fenomenin amerikan të “prohibicionizmit”
DOI:
https://doi.org/10.59164/univers.v20i20.2614Abstrakti
Bixhozi është konsideruar ndër vite një plagë sociale për shoqërinë shqiptare. Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1912, rezulton se kafenetë kanë qenë kryesisht vendet ku zhvillohej më shumë kjo veprimtari, por nuk kanë munguar rastet kur personazhe të pushtetshëm të asaj periudhe i kishin kthyer shtëpitë në “kazino” shumë të frekuentuara. Kjo problematikë është evidentuar shpesh në shtypin e kohës, e madje Lumo Skëndo në shkrimet e tij i konsideronte kafenetë si “fole demoralizimi” e si “çerdhe përtimi”. E në këtë kontekst, nuk kanë munguar as përpjekjet e vazhdueshme për frenimin e këtij fenomeni në Shqipëri. Përpjekjet e atyre viteve kanë qenë në dy drejtime: nga njëra anë ka pasur tentativa për ndalimin e bixhozit e nga ana tjetër për vendosjen e tij nën kontroll.
Shqipëria ka ndërmarrë vazhdimisht iniciativa ligjore për ndalimin e lojërave të fatit duke filluar nga viti 1914 nga forcat ushtarake holandeze që ishin në Shqipëri për ruajtjen e rendit publik dhe riorganizimin e xhandarmërisë shqiptare, në kuadër të marrëveshjes ndërkombëtare që solli princ Vidi në drejtimin e vendit.
Në shtatorin e vitit 1921, në seancë plenare do të diskutohej statuti i federatës “Atdheu” të ideuar nga Avni Rustemi, i cili kishte bashkuar në këtë federatë 25 shoqëri. Kjo federatë do të kërkonte nga parlamenti jo vetëm miratimin e një fondi financiar për funksionimin e saj, por gjithashtu do të paraqiste edhe një seri kërkesash e masash që duheshin marrë për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit.
Në vitin 1922, Komisioni i Drejtësisë diskutoi projekt-amendamentin e Kodit Penal Osman, i cili ishte ende në fuqi në Shqipëri pasi kodi i ri nuk ishte miratuar ende. Propozimi parashikonte ndryshimin e nenit 242 duke forcuar sanksionet kundër lojërave të fatit jo vetëm për lojtarët por edhe për shikuesit. Pavarësisht përpjekjeve të mëparshme për ndalimin e lojërave të fatit, ai vazhdoi edhe në vitet në vijim dhe në vend të ndalimit të tij u kërkua masa për të kontrolluar shitjen e kartave të lojërave të fatit.
Me kalimin e viteve bixhozi dhe tendenca për të luajtur lojëra të ndryshme në kafene dhe ambiente të tjera publike u kthyen sërish në një problem serioz, ndaj parlamenti bëri një propozim konkret për të ndaluar të gjitha lojërat, të paktën gjatë orarit të punës. Projektligji parashikonte dy dënime: burgim dhe gjobë.
Një nismë tjetër u ndërmor në vitin 1937, ku Ministria e Brendshme nxori urdhrin për ndalimin e plotë të lojërave të fatit për popullatën dhe nëpunësit civilë. Në këto kushte, kryeministri shqiptar lëshoi një qarkore për të gjitha ministritë dhe drejtoritë e rëndësishme, përfshirë Drejtorinë e Reformës Agrare, duke urdhëruar rreptësisht të gjithë punonjësit që të mos luanin bixhoz.
Fjalët kyçe:
bixhoz, vitet ’20-’30, ndalim, fenomeni “prohibicionizmit”References
Kalendari Kombiar, viti 1926, f. 93-94/ Hylli i Dritës, korrik 1923.
Raportim gazetaresk i vitit 1914 te “Përlindja e Shqipëniës”.
Seancë plenare, 17.09.1921/Bisedim mbi federatën “Atdheu”/Botime parlamentare 1920-1921.
Bisedimet e Këshillit Kombëtar/Bisedime Parlamentare 1922/2.
Bisedime Parlamentare, 1927.
Hylli i Dritës, raportim i vitit 1937.
Revista “Përpjekja”, prill 1937.