Udhëtim në arealin dibran
Abstract
- Rreth librit të Prof. dr. Arian Kadiu “Dibra e Madhe dhe një vështrim në Dibrën e Vogël”
Autori synon të na paraqesë një panoramë të historikut të trevës dibrane duke gërmuar që në lashtësi. Që në shkrimet e historianëve të antikitetit: Herodotit, Tukedidit, Polibit dhe Tit Livit, gjen të dhëna shumë interesante që dëshmojnë për ekzistencën e qendrave të banuara në trojet ku kanë banuar dibranët, ku jeta ka gjalluar pa ndërprerje që nga periudha ilire e në vazhdimësi. Si troje të banuara prej shqiptarëve, ku është folur gjuha shqipe dhe është zhvilluar kultura shqiptare. Si troje ku kanë ndodhur ngjarje të mëdha historike të periudhave të luftërave romake-maqedonase dhe iliro-romake.
Mbështetur në shkrimet e historianëve, e gjen luginën e Drinit Zi dhe rrethinave si vendbanim të fisit ilir të penestëve.
“Penestia, thekson një autor, ky fis banonte gjithë valetën e sipërme të malit dhe Drinit Zi, kryeqyteti i tyre ka qenë Uskana (Dibra e vjetër)”.
Veç Uskanës, ka pasur dhe 11 qytete të tjera, gjë që tregon shumicën e popullsisë shqiptare të atëhershme.
Mbështetur në dëshmi historike, në libër gjejmë argumente në favor të autoktonisë së shqiptarëve në këto troje, argumente që hedhin poshtë të gjitha ato teza antishqiptare të historianëve serbo-maqedonas mbi zbritjen e shqiptarëve prej viseve malore. Moment i dytë i rëndësishëm këndvështrimi në historinë e trojeve dibrane është periudha mesjetare e kohës së Skënderbeut.
Në libër do të gjeni të dhëna interesante mbi këto 19 beteja – vendet ku ato janë zhvilluar, si: Oranik, Sfetigrad, Gryka e Rovikut, Modrisë, Meçad, Çidhën etj, në ndeshje kundër hordhive turke të komanduara prej: Ali Pashës, Firus Pashës, Mustafa Pashës, Hamza Pashës, Talip Pashës, Moisi Golemit, Sinan Pashës, Ballaban Pashës.
Autori ndalet në dy prej ngjarjeve më madhore të periudhës së Lidhjes së Prizrenit.
Së pari, analizon Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, mbajtur në Dibër më 1 nëntor 1878, ku nën kryesinë e Iliaz pashë Dibrës, potencohet problemi i autonomisë shqiptare.
Në kapitullin e 20-të (f. 357) të librit bëhet fjalë për Kongresin famëmadh të Dibrës (mbajtur më 25-29 korrik 1909), për të cilin autori shkruan: “Për kongresin e Dibrës, për fat të keq, ka pasur komente dashamirëse dhe dashakeqëse… Dashakeqëset kapen mbas faktit se ky kongres u thur nga xhonturqit”.
Në kapitullin “Burra të shquar”, autori nënvizon: ...nuk duhet anashkaluar asnjëherë edhe roli i pazëvendësueshëm i parisë së vendit dhe krahinës dhe në libër ju do të gjeni jetëshkrimin e 19 më kryesorëve: Iljaz Pashë Dibra, Said Najdeni, Vehbi Dibra (Agolli), Hafëz Sherif Lengu, Hafëz Raif Kadiu, Haxhi Hafëz Ismet Dibra, Faik Shatku, Haki Sharofi, Haki Stërmilli etj.
Kolana me personalitete të shquara nga trojet dibrane ende mund të zgjatohet me figura të tjera që lanë gjurmët e tyre në historinë e Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë. Shumë prej këtyre personazheve, veç të tjerash, punuan me përkushtim në predikimin e vlerave të larta të besimit islam dhe frymëzuan ndër shqiptarët ndjenjën më të lartë e sublime: dashurinë dhe besimin te Zoti, ndjenjë prej të cilës burojnë edhe gjithë ndjenjat e tjera të larta dhe humane.
Libri i prof. dr. Arian Kadiu është një vështrim panoramik në arealin dibran dhe përngjan me një mozaik perlash të qëmtuara me kujdes e mjeshtëri në historinë, kulturën dhe traditat.
Keywords:
Dibra, histori, kongresi, autoktonia, personaliteteDownloads
References
-
Prof. dr. Arian Kadiu, “Dibra e madhe dhe një vështrim në Dibrën e vogël” Tiranë, 2010.
References
Prof. dr. Arian Kadiu, “Dibra e madhe dhe një vështrim në Dibrën e vogël” Tiranë, 2010.