100 Vjet pavarësi, 100 figura dibranësh

Autorët

  • Islam Sharofi

Abstract

Viti 2012 ishte viti i 100 vjetorit, viti kur një shekull më parë me 28 nëntor 1912, në Vlorë, patrioti i madh Ismail Qemali, ngriti flamurin.
Ky ishte një përfundim i atyre përpjekjeve të mëdha dhe sakfrificave, që kishin bërë shqiptarët gjatë shekujve për liri dhe pavarësi.
Pikërisht këtë qëllim kishte edhe organizimi i promovimit të librit “100 vjet pavarësi, 100 figura dibranësh” nga Prof. Dr. Arian Kadiu.
Që në fillim të librit tërheq vëmendjen hyrja: “Thëngjij nga prushi i Dibrës”, zbulohet se : në përfytyrimin e autorit, Dibra është një vatër, nga ku dalin dhe shkëlqejnë njerëzit e saj.
Në këtë prush (zjarr) të Dibrës ka thëngjij që shndërrisin fort, por ka edhe të tjerë, që ende digjen, me sigurinë e plotë, se nesër do të bëhen prush me thëngjij të mëdhenj. Vatra e zjarrit në Dibër asnjëherë nuk është shuar e as nuk do të shuhet, sepse dibranët me mendjen, duart dhe djersën e tyre e fryjnë zjarrin të mos shuhet.
Është e vështirë ndërmarrja, për të paraqitur 100 figura të dibranëve në vite, por autori ia ka dalë me sukses. Sa herë interesohesh, për jetën e tyre e gërmon në të, aq më shumë shtohet numri i atyre figurave, që të nxisin të vazhdosh më tej. Kjo ndodh se dibranët e tij, ata të spikaturit, shtohen çdo ditë, aq sa lista të gjata nuk mund t’i përmblidhnin, pasi për cilindo ke se çfarë të paraqesësh. Kjo ka edhe një domethënie tjetër, atë se pas këtij botimi, botime të tjerë do të pasojnë, sepse çdo dibran i meriton disa rreshta për të.
Në këtë botim që kemi në dorë do njihemi me figura të shquara të trevës së Dibrës si: V.Agolli (Dibra), S.Alliu, A.Alibali, J.Bagëri, L. Basha, I.Bellova, I. Krosi, Y. Çausholli, I.Pashë Dibra, A. Dibra, R.Daci, Xh. Dibra, A.Fida, A.Greva, D.Hima, L. Hanku, Z.Hima, E.Isufi, T.Jegeni, D.N.Kaçorri, F.Kaba, R.Kadiu, I. Krosi, Sh. Langu, S.Najdeni, H.Muglica, G. Ostreni, S. Ohri, S.Rusi, L.Pustina, Y.Pustina, S.Pitarka, N. Pilku, H.Sharofi, L.Strazimiri, I.Shatku (Dibra), I.Tershana, K.Traja, E.Tershana, V.Turkeshi, S.Tomçini etj.
Merita tjetër e autorit është se në këtë vëllim na paraqiten edhe figura të shquara, që deri sot ishin të panjohura, se Partia e diktaturës së proletariatit, i anashkalonte gjithmonë, që kur ata kishin dhënë djersën e gjakun në ndërtimin e vendit si p.sh Dine Beg Maqellara, Edip Tershana, Njazi Pilku, Lutfi Strazimiri etj.
Profesor Lufti Hanku thekson se në mënyrë të përmbledhur do të veçojmë atë që shpirti i tij krijues në botën e artit sapo botoi, në prag të festës jubilare librin “100 vjet pavarësi, 100 figura dibranësh”, e pritur mjaft mirë, e që dëshmon dashurinë e shkrimtarit. Edhe këtu buzëqeshja e tij përzgjodhi 100 personalitete, që me vetëdijen demokrate të autorit e meritojnë të jenë në një libër, sepse autori nuk dremit në ëndrra, apo mbi sirtarët e ndërgjegjes së plagosur nga sistemi komunist.
Këto personalitete dibre, me veti fisnike mblidhen në muzeun e kujtesës, me një korab vlerash vitale dhe historia zbukurohet, Dibra ringjallet dhe lexuesve u rrinë pranë. Krijuesi i botës së artit të shkruar ka ndjesi të veçantë që, kur ndërgjegjësohet e përjeton realitetin e ngjarjen dhe e hedh në letër me emocione e frymëzim, larg pompozitetit të fjalës dhe me pastërtinë e gjuhës. Kështu Ariani mbledh mençurinë e trimërinë e Dibrës si në një muze magjik, ku personazhet prezantojnë tek lexuesi profilin e lirisë e të dijeve. Marshimi në botën e studiuesit dhe krijuesit jehon dhe skanohet nga autori duke u veshur me mençuri dhe humanizëm. Dibra e meriton një botim të tillë për 100 figura dibrane... Pastaj vijuan diskutimet dhe fjalët përshëndetëse ku veçojmë: Njazi Kosovrasti, Mësuesi i Popullit Ismet Bellova, aktorja Adivije Alibali (Sharofi) dhe Dr. Ramiz Zekaj etj. Ata vlerësuan punën e madhe të Prof. Arian Kadiu për vlerat e kësaj vepre, që paraqet personalitete të shquara dibrane, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Këto figura na shprehin trimërinë e ndershmërinë e dibranëve, për mbrojtjen e trojeve amtare, si dhe përpjekjet e shquara, që kanë bërë në dobi të atdheut”. Edhe krahinës së Dibrës i duken plagët e brengave të zgalemëve që e munduan me klane e mure gjaku, me mure ndarës fataliteti të historisë në trupin tonë dhe më tokën tonë. Kujtdo i troket me dhimbje në kujtesë brenga e shpirtit. E vret akoma ajo, sepse “Shqipëria është ndarë për gjysmë me Drinin” (L.Poradeci). Në këtë fatalitet të rëndë e të hidhur, profesori ynë ka ditur të çmojë vlerat e personaliteteve, të cilëvë nuk u tretet ashti, as truri dhe gjaku i kombit tonë në shekuj. Prandaj nuk derdhet copacopa dashuria për komb e flamur, se Ariani, me dy veprat e fundit si dy binjakë i ka sjellë për të dëgjuar himnin epik të demokracisë, si magjinë e shpirtit atdhetar për t’u miqësuar me figurat e 100 dibranëve, me të cilët do të ndihet zëri poetik i fjalës, si një ideal demokratik, si dy libra motra që këndojnë për komb e flamur.

Keywords:

viti 2012, Ismail Qemali, flamur, Dibra, 100 vjet pavarësi

Downloads

Download data is not yet available.

Published

2024-01-29

How to Cite

Sharofi, Islam. 2024. “100 Vjet pavarësi, 100 Figura dibranësh”. Univers 15 (15):264-66. https://albanica.al/univers/article/view/3692.

Numër

Section

Botime në fokus