A mund të afrohen popujt e Ballkanit?
Abstract
Tashmë, popujt e Ballkanit kanë tendencë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Ata janë në një proces integrimi me vendet më të njohura të Europës.
Ka filluar një epokë e re, e cila, shpresojmë, do të zgjasë për një kohë të gjatë.
Në këtë rast, është e kuptueshme që kërkohet nga këto vende që të rishikojnë historinë e tyre, duke u larguar nga tekstet që denigrojnë shpirtin dhe promovojnë urrejtjen ndërmjet kombësive.
Në fakt, kërkesa për të riparë dhe rishkruar tekstet e historisë së popujve të Ballkanit për klasat e ulëta ka pasur edhe më parë nga Bashkimi Europian.
Kosova ishte e para që përmbushi kërkesën e Bashkimit Evropian, për të rishikuar dhe rishkruar tekstet historike të kombeve ballkanike për shkollat e nivelit të ulët.
Nga specialistët përkatës u përgatitën dhe u botuan edhe tekstet e klasave të ulëta të vendeve të Ballkanit.
Sigurisht, qëllimi nuk ishte për të rishkruar të deformuar historinë e popujve të Ballkanit, përkundrazi, popujt e Ballkanit janë në proces integrimi në Bashkimin Europian dhe është e kuptueshme që në këtë rast, të shtrohet edhe kërkesa që të rishihet historia e tyre për të përdorur terminologji të njëjtë, për t’u hequr atyre frymën denigruese dhe urrejtjen midis popujve.
Botimi i këtyre teksteve nuk solli asnjë shqetësim. Përkundrazi, tekstet u diskutuan midis komisioneve të vendeve përkatëse dhe u ribotuan për të plotësuar kërkesat e shkollës.
Kërkesa e shtruar në Prishtinë nga ministri turk i Arsimit nuk ka pse të shkaktojë këtë reagim të ashpër të intelektualëve shqiptarë, që vëmë re në shkrimet e autorëve shqiptarë.
Popujt e Ballkanit kanë një histori mjaft të trishtë. Shqiptarët në mënyrë të veçantë, ndonëse një popull i vogël, kanë luftuar për lirinë dhe pavarësinë e tyre; ata kanë derdhur gjak për të mbrojtur tokat e tyre dhe kanë pësuar pushtime të ndryshme gjatë historisë së tyre kombëtare nga popujt e tjerë.
Që këtej, mendojmë ne, rrjedh edhe shqetësimi i intelektualëve shqiptarë për të ruajtur me çdo kusht historinë tonë kombëtare.
Kërkesa dhe shqetësimi i tyre është i drejtë; historianët kanë detyrë ta shkruajnë historinë mbi bazën e fakteve dhe dokumenteve dhe jashtë frymës së përbuzjes e urrejtjes për popujt e tjerë fqinj. Një kërkesë të tillë të drejtë duhet të ketë çdo intelektual shqiptar.
Dihet se historia nuk përsëritet më njëlloj si më parë. Marrëdhëniet midis vendeve dhe popujve të Ballkanit kanë ndryshuar; këto marrëdhënie zhvillohen në dobi të frymës së bashkëpunimit dhe integrimit europian.
Në këto kushte, shumë formulime të vjetra të historisë së popujve të Ballkanit mund të rishihen dhe të korrigjohen, pa qenë nevoja të shkaktojnë polemika të ashpra, nisur nga pozitat e një nacionalizmi të theksuar karakteristik për periudhën e diktaturës komuniste.
Historia ka nevojë për historianët me formim të gjerë profesional. Populli është i ndjeshëm ndaj historisë së tij; detyra e historianëve është të shkruajnë drejt dhe të pasurojnë historinë tonë, pa nxitur shqetësimin dhe zemërimin e popullit.
Sot, historianët janë të lirë të shkruajnë historinë. Asnjë historian nuk është në “presion politik” për të deformuar historinë e vendit dhe të personaliteteve të shquara të historisë së tij kombëtare. Kjo kohë tashmë për historianët ka kaluar njëherë e mirë pas proceseve demokratike të viteve ’90, që çliruan historiografinë shqiptare nga pozitat e politizimit dhe të deformimit të dhunshëm komunist.



