Përshkrimi i udhëtimeve të Evlija Çelebiut nëpër Çamëri e Mollosi
Abstract
Shehu helvetjan turk, Evlija Çelebiu qarkulloi tri herë nëpër tokën shqiptare, që asokohe ishte në përbërjen e Sulltanatit Osman dhe emërtohej Arnavutllùk: më 1660 nëpër pjesën e saj veriore, më 1662 nëpër të mesmen, ndërsa më 1670 nëpër jugun e saj. Kjo pjesë përbëhet nga Çamëria dhe Mollosia. Çamëria, ose brezi tokësor anës Detit Jon, zgjatet 110-115 km nga Gjiri i Prevezës drejt veriut dhe shtrihet 36 km nga buzëdeti drejt lindjes, duke u përmbledhur brenda një sipërfaqeje prej rreth 4140 km². Kurrizi malor lindor Dodonë-Mali i Gjerë e veçon nga Mollosia, trevë me sipërfaqe mbi 5000 km².
Evlija Çelebiu shëtiti anë e kënd nëpër tërë viset që asokohe përbënin trungun tokësor shqiptar, ashtu si asnjë udhëtar tjetër i huaj. Kjo i dha atij mundësi që të njihte me imtësi çdo shfaqje a sjellje të jetës së përditshme: gjuhën, prirjet, sidomos ato më të parapëlqyerat: burrërinë, trimërinë, besnikërinë ndaj fjalëdhënies, zemërgjerësinë, mëshirën etj. Shkurt, u bë njohësi më i mirë i tyre.
Ai vëren: "Tërë shqiptarët flasin shqip, gjuhë e pangjashme me asnjë gjuhë tjetër…Është gjuhë e mrekullueshme, të cilën ata e flasin me përkushtim (devocion) dhe mirësjellje kur njeri-tjetrit i drejtohen me nderim".
Ndër të tjera ai ngreh në qiell mikpritjen e shqiptarëve; Në "Sejjahatnamesi" thotë: "I huaji, qoftë edhe fare i panjohur, në Shqipëri është i mirëpritur në cilëndo shtëpi që të flasë dhe se ai mund të rrijë atje sa të dojë. Të zotit të shtëpisë, nëse i mungojnë ushqimet e domosdoshme për të kënaqur të ardhurin, arrin të lërë peng edhe pushkën –mjetin më të çmueshëm dhe jetik për të dhe familjen e tij- për të marrë ç’i duhet".
Vëzhgimet e veta ai i pasqyroi një për një në librin "Evlijja Çelebi Sejjahatnamesî". Në të shfaqen të gjitha dukuritë e jetës shoqërore dhe ekonomike të vendit tonë: histori, gjeografi, bujqësi, zejtari, tregti, organizim politik dhe fetar, zakone, kulturë, legjenda etj., të cilat i përshkruan me çiltërsì e hollësi të papritura. Libri, nga të gjitha pikëpamjet: shoqërore, ekonomike dhe politike, është një thesar i pasur për të hedhur dritë mbi historinë e popullit shqiptar dhe rajonet e tij që aktualisht janë jashtë kufijve politikë të Shqipërisë.
Evlija Çelebiu ka përshkruar gjithçka i ka zënë syri: Lartësitë e maleve, madhësinë e qyteteve e të fshatrave, ka matur me kujdes gjatësinë dhe gjërësinë e fortesave, të xhamive e të kishave, ka përshkruar me kujdes të veçantë e pa mungesa ndërtesat e kohës, ka vëzhguar me vëmendje jetën e popujve, gjuhën, fenë, zakonet. Ai është më i madhi i të gjithë turistëve muslimanë të Mesjetës, duke ua kaluar edhe Messeudiut, Ibn-i Fadlanit, Idrisìut, Ibn-i Metutas etj.
Keywords:
trojet shqiptare, Evlija Çelebiu, udhëtime, Çamëri, MollosiDownloads
References
-
Evlija Çelebi Serjjahatnamesi
-
Ibrahim D. Hoxha, Enciklopedì Jugshqiptare
-
Robert Elsie, "Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe viset fqinje: Kosovë, Mal i Zi, Òhër", Tiranë, 2008
References
Evlija Çelebi Serjjahatnamesi
Ibrahim D. Hoxha, Enciklopedì Jugshqiptare
Robert Elsie, "Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe viset fqinje: Kosovë, Mal i Zi, Òhër", Tiranë, 2008



