Një fjalor i ri anglisht-shqip
Abstract
Kohë më parë doli nga shtypi “Fjalor anglisht-shqip”, hartuar nga prof. dr. Hajri Shehu, punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë.
Me kënaqësi mund të them se fjalori ka mëtime të larta, trajtim leksikografik shkencor, vlera shkencore njohëse, praktike e didaktike e pse jo, edhe përkthimore. Është interesante dhe domethënëse të theksohet se autori ia ka kushtuar veprën e tij nxënësve dhe studentëve të tij.
Fjalori ka mbi 30 000 fjalë, mbi 90 000 kuptime dhe mbi 150 000 thënie ilustruese. Fjalori është edhe për ata që dinë shumë, edhe për ata që dinë më pak, apo pak. Ai shpalos anglishten standarde dhe, sigurisht, edhe shqipen standarde në shtyllën përkthimore. Ai e ndihmon përdoruesin të lexojë, të flasë e të shkruajë në gjuhën angleze.
Si përfundim, mendoj se ky fjalor i jep përdoruesit edhe edukatën gjuhësore e sidomos leksikografike, domethënë e ndihmon përdoruesin ta njohë gjuhën angleze, ta përdorë fjalorin e veçanërisht të dijë si ta përdorë fjalën, ç’janë shënimet që kufizojnë përdorimin e një fjale, të një kuptimi etj. Duke e përfunduar vlerësimin tim, do të doja të thosha se është vërtet një fjalor që ndihmon për të mësuar gjuhën angleze në kuptimin e plotë të fjalës. Për këtë arsye, besoj se do të përdoret gjerësisht.



