Fondi i dorëshkrimeve me alfabet arab në AQSH

Autorët

  • Ermal Nurja

Abstract

Në Arkivin Qendror të Shtetit, përveç pasurive dokumentare kryesisht në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhë të ndryshme të perëndimit, ruhen edhe burime dokumentare në gjuhët orientale. Ato mund t’i klasifikojmë në burime arkivore dokumentare osmane, në dorëshkrime dhe në shtypshkrime në gjuhët orientale: në arabisht, në turqishten osmane dhe në persisht.
Burimet dokumentare kapin shifrën e një milion dokumenteve dhe kanë rëndësi për studimin e historisë së Shqipërisë gjatë sundimit osman, dorëshkrimet kapin shifrën 400 dhe po aq janë edhe shtypshkrime në gjuhët orientale.
Ruajtja e një numri të madh dorëshkrimesh, pjesa më e madhe e tyre me vlera kaligrafike dhe përmbajtje të pasur, është trajtuar si një çudi që ngjante në periferi të Perandorisë Osmane. Një qasje e tillë vihet re edhe te studimet e kryera në lidhje me arkitekturën e kultit islam në këto treva. Kjo buron nga mënyra e konceptimit dhe vendi që u është dhënë në skenën e zhvillimeve perandorake trevave shqiptare duke u nisur më shumë nga realitet e krijuara pas Luftës së Parë Botërore dhe mungesës së dokumentacionit në gjuhën osmane të vënë në dispozicion të studiuesve.
Dorëshkrimet hedhin dritë mbi historinë e kulturës së shkruar në trevat shqiptare në gjuhët orientale, nëpërmjet të dhënave që na japin me anë të origjinës së tyre, autorëve dhe dorëshkruesve të tyre. Humbja apo shqyerja e kapakëve apo fletëve të para dhe të fundit të dorëshkrimeve na privojnë nga grumbullimi i të dhënave që hedhin dritë mbi rrugëtimin e dorëshkrimeve.
Dorëshkrimet janë libra (kitap), traktate (risale), komentarë (sherh), përmbledhje (mexhmua), kompendium (muhtasar) dhe antologji.

Keywords:

Arkivi i Shtetit, burime dokumentare, dorëshkrime me alfabet arab, periudha e sundimit osman

Downloads

Download data is not yet available.

Published

2024-05-07

How to Cite

Nurja, Ermal. 2024. “Fondi I dorëshkrimeve Me Alfabet Arab Në AQSH”. Univers 13 (13):64-75. https://albanica.al/univers/article/view/3899.

Numër

Section

Studime