Ligji Osman ndër shqiptarët e mesjetës së vonë

Autorët

  • Dritan Egro

Abstract

Për të njohur një formacion politik dhe më pas për ta analizuar atë, në mënyrë të pashmangshme, atij duhet t’i njohësh ligjin, t’i analizosh mekanizmin që e ngriti dhe e administroi; me fjalë të tjera, duhet njohur si produkt juridik që ka dalë nga kancelaria e tij, i cili në të gjitha rastet rezulton të jetë më shumë se i tillë, madje edhe më shumë se një dokument historik që fotografon vetëm një segment të caktuar kohor. Në këtë kuadër edhe njohja me Ligjin Osman, i cili ka sunduar relativisht gjatë në viset shqiptare, sot është më shumë se i domosdoshëm. Vetëm duke u njohur me të mund të gjykojmë se për natyrën e shtetit dhe të sundimit osman në përgjithsi, po aq edhe për veçoritë e këtij sundimi në rajonin e Ballkanit në tërësi dhe për politikën osmane të ndjekur në viset shqiptare në veçanti.
Ky edicion tekstual kritik përkthimi i shërben pikërisht këtij perceptimi për historinë e Perandorisë Osmane, njohjes së historisë së të drejtës dhe të institucioneve të saj.
Qysh herët kanunnametë osmane (ang.code of Ottoman law) kanë qenë në vëmendjen e autorit të këtij libri për vetë kompleksitetin e informacionit që ofrojnë, madje për t’u njohur më nga afër me të autori ka kryer një studim i cili ende nuk është publikuar. Por sa më shumë depërtonte në informacionin origjinal që vetëm ky lloj dokumenti ofron, aq më shumë i lindte autorit dëshira që ato t’ia paraqiste opinionit të gjerë shqiptar dhe sidomos lexuesit të kualifikuar.
Ndërsa sot ky vëllim me kode osmane po sheh dritën e botimit shqip, mbetet obligim i autorit të përfundojë edhe atë studim të filluar më shumë se një dekadë më parë, pra t’i jap lexuesit një panoramë të plotë analize të kanunnameve osmane, si në rrafsh kohor ashtu edhe në rrafsh hapësinor.
Disa ndër titujt dhe nëntitujt e përmbajtjes së këtij libri, me të cilat do të njihet lexuesi gjatë leximit janë: Kanunnameja organizative, Kanunnameja e timarit, Kanunnameja e sanxhakut të Shkodrës, Kanunnameja e sanxhakut të vilajetit të Malit të Zi, Kanunnameja e sanxhakut të Prizrenit, Vilajeti i Vushtrisë, Sanxhaku i Shkupit, Sanxhaku i Ohrit, Elbasanit, Manastirit, Vlorës etj.
Shpresojmë që ky edicion tekstual kritik përkthimi të shërbejë si një bazament i shëndoshë i ndërtuar mbi dokumentacion historik origjinal dhe themelor për studime sa njohëse aq edhe të thelluara në fushën e së drejtës që ka vepruar në viset shqiptare para, gjatë dhe pas shekujve të sundimit osman.
Autori falënderon të gjithë ata kolegë me të cilët ka bashkëbiseduar dhe ndarë mendime në lidhje me aspektet juridike dhe filologjike të këtij edicioni përkthimi.
Falëndëron në veçanti Prof. Asoc. Irakli Koçollarin, për durimin dhe kureshtjen shkencore me të cilin lexoi këtë punim. Vlerëson shkëmbimin e mendimeve me të dhe veçanërisht sugjerimet e tij për aspektet juridike të editimit të tekstit.
Falënderon gjithashtu Prof. Afërdita Onuzin dhe Prof. Ali Mukën për ndihmën e pakursyer që ofruan në lidhje me sqarimin e disa termave dhe të disa prej institucioneve të traditës shqiptare.
Falëndëron Dr. Ramiz Zekaj, komentet dhe sugjerimet e të cilit për aspektet teologjike islame të pasazheve të kanunnameve i konsideron shumë të rëndësishme.
Falëndëron gjithashtu kolegët e tij të Departamentit të Studimeve Mesjetare dhe Osmane pranë Institutit të Historisë për frymën konstruktive me të cilën e pritën dhe e vlerësuan këtë punë voluminoze: Prof. Pëllumb Xhufin, Prof. Ferit Dukën dhe Dr. Edmond Malajn.
Procesi i botimit të kësaj vepre u lehtësua falë angazhimit të drejtorit të Institutit të Historisë, Prof. Beqir Meta, i cili ndjek një politikë stimuluese ndaj botimeve shkencore.

Keywords:

studim juridik, kanunnametë osmane, formacion politik, ligji osman

Downloads

Download data is not yet available.

Published

2024-01-29

How to Cite

Egro, Dritan. 2024. “Ligji Osman ndër shqiptarët E mesjetës Së Vonë”. Univers 15 (15):267-68. https://albanica.al/univers/article/view/3693.

Numër

Section

Botime në fokus