Rreth drejtshkrimit të turqizmave dhe emrave vetjakë me origjinë turke
Abstract
Në punime të ndryshme shkencore turqizmat përkufizohen si njësi të ardhura drejtpërdrejt nga gjuha turke, d.m.th. pa ndërmjetësim dhe ç’është më e rëndësishmja, si fjalë për të cilat nuk dyshohet se i përkasin kësaj gjuhe.
Ajo që perceptohet sot me togfjalëshin “gjuha turke” nuk ka qenë as në kohë dhe as në hapësirë një entitet i vetëm, unik e homogjen, por një repertor variantesh, kund më të afërta e kund më të largëta prej njëratjetrës.
Mund të thoshim pa drojë se po gabojmë që në të vërtetë jemi përballë një continuum-i gjuhësor me vijimësi territoriale ku kriteri i kuptueshmërisë së ndërsjellë mes dy varianteve të njëpasnjëshme nuk komprometohet, pavarësisht prej lëkundjeve të aty-këtushme. Që këtej nuk është e vështirë të kuptohet se, edhe në raport me shqipen, turqishtja nuk ka qenë dhe s’mund të ishte e njëtrajtshme.
Nga ana tjetër, e jo vetëm për hir të etiketave, jemi të shtrënguar të bëjmë edhe dallimin me natyrë kronologjike mes një turqishteje të vjetër dhe një turqishteje të re.
Siç e vumë re edhe më lart, mbi bazën e kriterit diatopik mund të dallojmë një turqishte të Turqisë dhe një turqishte të të ashtuquajturave republika turke, si fjala vjen Azerbajxhani, Turkmenia, Uzbekistani etj.
Afërmendsh që shqipja ka pasur marrëdhënie në përdorimin e saj të folur e të shkruar me të gjitha këto entitete, së paku gjatë periudhës së kontakteve më intensive mes “dy gjuhëve”.
Një problem tjetër me rëndësi në këtë kuadër të trajtimit tonë është edhe ai i të ashtuquajturave huazime të dyfishta. Është pikërisht rasti i Ramazan e Ramadan në gjuhën shqipe, ku njëra ka prejardhje turke e tjetra ka prejardhje arabe. Fjala ka hyrë si emër i përveçëm për vetat dhe për muajin e agjërimit. Është e vërtetë se ramazan e gjen me të dyja kuptimet, ndërsa Ramadan vetëm me njërin. Ky lloj diferencimi kuptimor për nga rezultatet, por jo për nga origjina, duhet të jetë shkaku i ndjesisë së gjallë edhe sot ndër shqipfolësit se kemi të bëjmë me dy fjalë të ndryshme, edhe pse kjo nuk i përgjigjet së vërtetës. Edhe më interesant bëhet rasti në fjalë kur konstatojmë se njësinë ramadan e gjen vetëm në arabisht dhe jo në turqisht.
Për sa i takon drejtshkrimit të emrave të përveçëm me prejardhje turko-arabo-perse në gjuhën shqipe ka një traditë që s’mund të anashkalohet, e cila do të donte që emra të tillë si Muhamet, Ahmet, Mehmet, Servet të shkruhen me -t në fund (ashtu sikundër është kushtëzuar në Rregullat e Drejtshkrimit) dhe jo me -d, duke respektuar edhe shqiptimin e gjuhës nga kanë hyrë në gjuhën shqipe, gjë që përbën edhe një normë drejtshkrimore të gjuhës sonë në lidhje me emrat e përveçëm të huaj.
Në pamje të parë duket se një qëndrim i tillë është më se normal, kur në të vërtetë ndodh e kundërta. Këta emra shqipja i ka huazuar drejtpërdrejt nga turqishtja, gjuhë në të cilën shfaqen me -t dhe jo me -d.
Por, edhe sikur ky argument të mos mjaftonte, në anën tonë qëndron një traditë e begatë, e denjë për t’u mbajtur gjallë edhe më tej.
Në lidhje me drejtshkrimin e emrave të përveçëm me origjinë orientale që kanë një traditë në gjuhën shqipe, duhet respektuar ajo traditë pavarësisht nga problemet që mund të ketë edhe më tej kjo kategori emrash.
Së fundi, duhen theksuar edhe një varg huazimesh orientale në gjuhën shqipe. Sikundër është vënë re edhe nga dialektologët, disa fjalë me origjinë turke, ndërsa në turqisht kanë qenë me theks fundor p.sh. kafé, penxheré, tenxheré, babá etj, në gjuhën shqipe standarde shkruhen pa shenjën e theksit, megjithëse dihet se në toskërisht dhe në trajtën standarde kanë shqiptim oksiton si në gjuhën prej nga janë huazuar. Ndërkaq, në gegërisht kjo kategori fjalësh ka përfunduar kryesisht me theks parafundor.
Nga sa thamë, kuptohet që forma me të cilën huazimet nga turqishtja shfaqen në shqipen e sotme përcaktohet nga faktorë të natyrave të ndryshme, ndër të cilët mund të përmendim arealin turqishtfolës të origjinës, faktin nëse njësia e huazuar i takon turqishtes së re a të vjetrës, pa lënë mënjanë edhe formën me të cilën i njëjti huazim shfaqet në gjuhë të tjera të Ballkanit, por edhe veprimin e ligjësive të brendshme të shqipes, siç është rasti i rregullimit mekanik të theksit që haset në një numër jo të vogël huazimesh nga kjo gjuhë.
Keywords:
turqizma, gjuha turke, huazim, drejtshkrim, traditaDownloads
References
-
- Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Tiranë 1973.
-
- Fjalori Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe, Tiranë 1974.
-
- Tahir Dizdari, Fjalor i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, Tiranë 2008.
-
- E. Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, Tiranë 1982.
-
- I. Ajeti, Kërkime Gjuhësore, Prishtinë 1978.
-
- Jani Thomai, Leksikologjia e Gjuhës Shqipe, Tiranë 2006.
-
- Gjovalin Shkurtaj, Si të shkruajmë shqip, Tiranë 2008.
-
- Gjovalin Shkurtaj, Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran, Shblu, Tıranë 1988.
-
- Ahmet Ercilasun, Başlangıçtan Yirminci Yüzlıla Türk Dili Tarihi, Ankara 2005.
-
- Özönder F. Sema Barutçu, Eski Türklerde Dil ve Edebiyat, Ankara 2002.
-
- Özkan Mustafa, Türk Dilinin Gelişme Alanları, İstanbul 1995.
-
- Battulga Tsendiyn, Moğolistan’da Yeni Bulunan Göktürk Yazıtları, Ankara 2002.
-
- Gabain A. Von , Eski Türkçenin Grameri, TDK. Ankara 1988.
-
- Talat Tekin, Hunların Dili, Ankara 1993.
-
- Thonsen V., Orhon Yazıtları Araştırmaları, TDK. Ankara 2002.
References
- Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Tiranë 1973.
- Fjalori Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe, Tiranë 1974.
- Tahir Dizdari, Fjalor i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, Tiranë 2008.
- E. Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, Tiranë 1982.
- I. Ajeti, Kërkime Gjuhësore, Prishtinë 1978.
- Jani Thomai, Leksikologjia e Gjuhës Shqipe, Tiranë 2006.
- Gjovalin Shkurtaj, Si të shkruajmë shqip, Tiranë 2008.
- Gjovalin Shkurtaj, Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran, Shblu, Tıranë 1988.
- Ahmet Ercilasun, Başlangıçtan Yirminci Yüzlıla Türk Dili Tarihi, Ankara 2005.
- Özönder F. Sema Barutçu, Eski Türklerde Dil ve Edebiyat, Ankara 2002.
- Özkan Mustafa, Türk Dilinin Gelişme Alanları, İstanbul 1995.
- Battulga Tsendiyn, Moğolistan’da Yeni Bulunan Göktürk Yazıtları, Ankara 2002.
- Gabain A. Von , Eski Türkçenin Grameri, TDK. Ankara 1988.
- Talat Tekin, Hunların Dili, Ankara 1993.
- Thonsen V., Orhon Yazıtları Araştırmaları, TDK. Ankara 2002.



