Fjala dhe bota orientale në poezinë popullore shqiptare
Abstract
Është e njohur se në gjuhën shqipe, ashtu si edhe në gjuhët e tjera të Ballkanit, kanë hyrë një numër i konsiderueshëm fjalësh me burim nga gjuhët orientale të fesë islame: arabishtja, turqishtja, persishtja.
Depërtimi i tyre lidhet, në radhë të parë, me shtrirjen e Perandorisë Osmane në Ballkan, me përhapjen e qytetërimit të saj dhe të fesë e të kulturës islame.
Për këtë shtresë fjalësh, të quajtura herë turqizma e herë orientalizma, ka shumë studime e botime.
Për shqipen, vepra themelore është ajo e orientalistit të shquar Tahir N. Dizdari (1900-1972) “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe”, e botuar pikërisht nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam më 2005.
Botimi i këtij fjalori solli një gjallërim të vërtetë të studimeve rreth orientalizmave në gjuhësinë shqiptare. Studiues të ndryshëm, që janë marrë me ndikimin gjuhësor të Perandorisë Osmane në Ballkan, kanë vërejtur se ai shtrihet sidomos në lëmin e urbanizmit oriental, d.m.th. në ekonominë qytetare dhe shtëpiake, në ndërtimin e qytetit e të shtëpisë, në jetën sociale, përfshirë fenë islame, në organizimin administrativ etj. Ky ndikim është bërë pjesë e kulturës kombëtare shqiptare që u zhvillua gjatë shekujve të përfshirjes së Shqipërisë në Perandorinë Osmane. Por orientalizmat, që kanë hyrë përgjithësisht si emërtime të nevojshme për sende e dukuri të këtyre sferave të jetës, kanë kaluar pak nga pak edhe në sferën e letërsisë gojore popullore, janë bërë pjesë e leksikut të saj, duke marrë dhe vlera stilistike.
Është e njohur se ndër shqiptarët në shek. XVII-XIX u zhvillua një letërsi e tërë e shkruar me alfabetin arab. Për karakterin dhe vlerat e saj vijon të shkruhet. Ajo ende nuk mund të vlerësohet në tërësinë e saj dhe me të gjitha vlerat e karakteristikat, sepse botimi kritik i veprave të kësaj letërsie, ashtu siç ka bërë, p.sh., studiuesja Genciana Abazi- Egro me botimin shembullor të veprës së Nezim Beratit, është ende në fillim.
Megjithatë disa studiues kanë folur për gjuhën e autorëve të kësaj letërsie dhe për orientalizmat që kanë përdorur ata. Këta autorë, si njerëz të shkolluar dhe njohës të mirë jo vetëm të turqishtes së kohës, po edhe të arabishtes e të persishtes si dhe të poetëve të këtyre gjuhëve, krahas orientalizmave që i kishte ligjërimi popullor, kanë përdorur edhe shumë fjalë të tjera, që i njihte një rreth deri diku i kufizuar njerëzish të shkolluar.
Është e njohur se gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kur politika gjuhësore e kësaj lëvizjeje ishte pjesë me rëndësi e përpjekjeve për një shtet shqiptar të mëvetësishëm, u kërkua të mënjanoheshin orientalizmat nga gjuha shqipe, sidomos nga gjuha e shkruar.
Naim Frashëri i ka lavdëruar poetët që kanë shkruar me alfabetin arab për talentin e tyre poetik, por i ka qortuar ashpër se kanë përdorur shumë fjalë të huaja (orientalizma) në vend të fjalëve shqipe.
Puna e rilindësve për pastërtinë e gjuhës solli një përtëritje rrënjësore të fjalorit të gjuhës shqipe dhe të vlerave të fjalës shqipe. Pas krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, në qëndrimin ndaj orientalizmave gjuhëtarët ndoqën në përgjithësi vijën e Rilindjes Kombëtare, por përdorimi i tyre në letërsi erdhi duke u shtuar.
Kjo lidhet edhe me kalimin e letërsisë shqipe nga rryma letrare e romantizmit në rrymën e realizmit, që kërkon edhe një realizëm gjuhësor. Por orientalizmat fituan ndërkohë edhe vlera stilistike. Kjo lidhet me luftën që u bë kundër tyre gjatë Rilindjes. Si pasojë, një pjesë e mirë e tyre pak nga pak doli nga gjuha letrare dhe mbeti në gjuhën e folur bisedore, pra rrafshi i tyre stilistik u ul. Për këtë arsye, ato u përdorën për të karakterizuar mjedise të kohëve të kaluara ose persona me mendësi të prapambetur, duke u bërë një mjet stilistik i parapëlqyer për gjininë e veprave satirike.
Por në raste të veçanta, sidomos në disa poezi të Fan Nolit, orientalizmat u përdorën edhe si fjalë të stilit të lartë e solemn. Në këtë kumtesë, unë kam zgjedhur të trajtoj fjalët me burim oriental që janë përdorur e përdoren në poezinë popullore shqiptare, d.m.th. atë shtresë orientalizmash që ka pasur shtrirje në shtresat e gjera të popullsisë qoftë qytetare, qoftë fshatare në të gjitha krahinat e vendit.
Gjuha shqipe ka një rrethanë të veçantë për të hulumtuar si kanë hyrë orientalizmat në poezinë tonë popullore pas takimeve me këto qytetërime, sidomos në kuadrin e Perandorisë Osmane dhe të shtrirjes së Islamit në Ballkan në përgjithësi e në trojet shqiptare në veçanti. Kjo rrethanë është krahasimi me poezinë popullore arbëreshe të Italisë, pasi dihet se kjo, në fushën e fjalorit, ruan në përgjithësi gjendjen gjuhësore të kohës së mërgimit të arbëreshëve, d.m.th. orientalizmat në të numërohen me gishtat e dorës. Krijimtaria poetike popullore, siç dihet, ndahet në dy gjini kryesore: këngë historike e legjendare dhe këngë lirike.
Te këngët historike e legjendare orientalizmat janë emërtime të sendeve e të dukurive të kohëve të kaluara, pra shfaqen si historizma ose arkaizma. Këto përbëjnë një shtresë kryesisht pasive në leksikun e sotëm të shqipes. Të tilla janë p.sh.: allajbeg “komandant xhandarmërie”, arzuhall “lutje”, asqer “ushtar”, baxhë “taksë për shitje bagëtish”, baxhaxhi “ai që mblidhte baxhën”, bidat “zakon a ligj i ri”, bimbash “major”, bylyk “një e katërta e taborit”, bitevi “krejt, gjithmbarë”, çipçi (çifshi) “bujk pa tokë”, danam (baj danam) “festë e madhe publike”, devrije “patrullë”, dylbi/turbi, eliherz “njeri i ndershëm”, ferman “urdhër me shkrim i sulltanit”, fesat “ngatërresë, grindje”, hallk-u “populli, njerëzia’, haps “i burgosur”, hapsane “burg”, haraç, hasm, hazine “thesar”, hordhi “ushtri”, hyqymet “qeveria, administrata shtetërore”, hyxhym “sulm”, iqindi “lutja e muslimanëve midis drekës dhe darkës”, irade “urdhër i lartë, urdhër perandorak”, (ja)tagan, javer “adjutant”, kaftan “xhybe e stolisur që mbanin funksionarët e lartë”, kaftanaz “ai që mbante kaftan”, kahreman “hero, fatos”, kajmekam “nënprefekt”, kapaklli “lloj pushke e vjetër”, karakoll “rojë, postëkomandë”, kaza “një ndarje administrative”, kishlla “kazermë”, kollxhi “rrojë i financës”, kura-ja “mosha e shërbimit ushtarak’, mazap “ushtar i rregullt në shërbim”, mehqeme “gjykatë”, meit “kufomë”, mejdan “shesh lufte”, mejtep “shkollë”, meteriz “llogore”, mexhele “kodi i Sheriatit”, milazim “nëntoger”, miralla-i “kolonel”, miri “mall i shtetit”, mustafez “ushtar rezervë”, myhlet “afat”, myhyrdar “sekretar i vezirit, mbajtës i vulës (myhyrit)”, mymleqet “krahinë, vendlindje”, mytesarif “prefekt”, myshir “mareshall’, niza-ja “luftë”, nizam “ushtar”, nobet “shërbim roje”, qafir “i pabesë, i pafe, armik”, qatip “sekretar”, qefil “dorëzanë”, redif “ushtar rezervist”, reis “kryetar”, resmi “me veshje zyrtare”, rixha “lutje”, sadrazem “kryeministër”, sanxhak “nënndarje e vilajetit”, saraj “pallat”, sefer “luftë”, sejmen “ai që shkonte pas një njeriu të fuqishëm”, selam “të fala”, sene “vit”, serasqer “komandant i përgjithshëm i një ushtrie”, spahi “kalorës në ushtrinë turke”, surdis “internoj, mërgoj”, suvari “kalorës”, sharapoll “lloj fortifikimi”, shehit “dëshmor”, shishane “lloj pushke e vjetër”, tabe “fortifikatë e vogël”jatagan taborr “formacion ushtarak me 1000 ushtarë”, taim “racion ushqimi i ushtarit”, talim “stërvitje”, tapanxhë “lloj kobureje me strall”, depojë/tebojë “depo armësh”, teftis “shkreh papandehur”, tevabi-të “ata që i shkonin mbrapa një personi të pushtetshëm”, tyxhar “tregtar i madh”, vezir, vilajet, xhelep, xhelepçi, xhemat “grumbull njerëzish, bashkësi”, xhephane “municion, depo municioni”, ylefe “rrogë”, yrysh “sulm”, yzbash “kapiten”, zabit “oficer”, zeman “kohë” etj.



