Mbi krijimtarinë e Molla Hysen Dobraçit

Autorët

  • Edmir Ballgjati

Abstrakti

Molla Hysen Dobraçi është një figurë relativisht pak e njohur, i përmendur kryesisht si një ndër përfaqësuesit e letërsisë së ashtuquajtur të bejtexhinjve. Krijimtaria e tij ende sot mbetet përgjithësisht e panjohur dhe e pastudiuar, pavarësisht vlerësimit të lartë me të cilin e pati përmendur Zef Jubani në përmbledhjen e vet të vitit 1871. Angazhimi i Dobraçit me muzikë dhe veçanërisht autorësia e disa këngëve që i është njohur, i jep figurës së tij edhe një dimension shtesë, duke e shënuar atë si autorin më të hershëm të dokumentuar në ahengun shkodran e madje edhe të këngës qytetare shqiptare në tërësi. Krahas përpjekjes për t’i dhënë përgjigje disa pikëpyetjeve të ngritura nga studimet tona filologjike në lidhje me aspektin biografik të këtij autori, në këtë artikull gjurmohet ajo pjesë e krijimtarisë së Dobraçit e cila ka kaluar dhe është trashëguar si pjesë e traditës së këngës qytetare shkodrane. Përmes krahasimit të burimeve dokumentare në dispozicion, identifikohen tetë këngë të autorit, të cilat analizohen pastaj në planin tekstor, muzikor dhe social-kulturor. Në planin tekstor vërehet se krijimtaria e Dobraçit shpalos dukshëm karakteristikat e kodit poetik oriental që dalloi letërsinë e bejtexhinjve përgjithësisht. Në planin muzikor konstatohet prirja për një konceptim më kompleks melodik dhe modal, si dhe disa veçori tipike që flasin për një “stil” individual. Në planin kulturor vihet në dukje roli i letërsisë së bejtexhinjve si kanal përçues i kulturës së lartë islame, duke i arsyetuar disa prej veçorive të krijimtarisë së Dobraçit në këtë kontekst të gjerë. Për vetë faktin se veçoritë tipike të ahengut shkodran gjenden plotësisht të kristalizuara në këngët e këtij autori, konkludohet se fillesat e repertorit duhet të shtyhen para shekullit XVIII.

Fjalët kyçe:

Molla Hysen Dobraçi, letërsia e bejtexhinjve, ahengu shkodran, etnomuzikologji historike

Shkarkimet

Download data is not yet available.

Downloads

Botuar

2023-05-12

Si të citoni

Ballgjati, E. (2023). Mbi krijimtarinë e Molla Hysen Dobraçit. Antropologji, 2(1), 77–101. Retrieved from https://albanica.al/antropologji/article/view/733