Terminologjia në tekstet shkollore si faktor i ngarkesës dhe i rezultateve të nxënësve në mësime (Biologji 6,7,8)
DOI:
https://doi.org/10.62928/kp.v7i1.6232Abstract
Terminologjia profesionale dhe shkencore e përdorur në tekstet shkollore, Biologji 6,7,8, sipas standardeve për tekstet shkollore të hartuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duhet të jetë në pajtueshmëri të plotë me moshën dhe nivelin e zhvillimit të nxënësve të klasës përkatëse. Lënda mësimore Biologji në shkolla nis të mësohet nga klasa e gjashtë, por që elementet e saj mësohen edhe më herët, duke filluar nga klasa e tretë, në lëndën Njeriu dhe natyra. Çështja e ngarkesës së nxënësve me përmbajtje mësimore ka qenë objekt hulumtimi nga autorë vendës dhe të huaj, por nuk kam hasur në ndonjë hulumtim specifik lidhur me terminologjinë në tekstet shkollore si element i ngarkesës së nxënësve në mësim. Biologjia si lëndë mësimore, por dhe si shkencë, është multidisiplinare, prandaj edhe terminologjia është e tillë. Në të njëjtën kohë kjo e shton mundësinë e përdorimit, në prezantimin e përmbajtjeve në kuadër të lëndës mësimore, të termave të cilët paraqesin vështirësi në të kuptuarit dhe të mbajturit mend të tyre për kohë më të gjatë. Ky ishte motivi kryesor që më shtyri t'i qasem një hulumtimi të këtillë. Për ta realizuar hulumtimin përdora dy qasje kryesore: e para, analiza fjalë për fjalë, e të tri teksteve të biologjisë (6,7,8), duke shënuar të gjithë termat për të cilët supozova se paraqesin vështirësi në të kuptuarit e tyre nga ana e nxënësve, dhe e dyta, nga ky numër i termave të identifikuar përzgjodha një mostër për secilën klasë. Këtë mostër termash e përdora në formë testi për vlerësimin e shkallës së njohjes të tyre nga ana e nxënësve të klasës përkatëse. Është interesante që termat që kam pritur se do të kenë frekuencë më të lartë të njohjes, doli që nxënësit për ta të ketë njohuri më të ulët. Gjithashtu trajtova edhe çështjen e prezencës ose jo të termave të përfshirë në test, në fjalorthin në fund të secilit tekst shkollor si dhe sqarimet e dhëna brenda tekstit. Por. identifikova edhe terma të cilët nuk përfshihen në asnjë fjalorthë shpjegues, në shqip ose në gjuhë tjetër të huaj. (323 fj).
