Vëll. 1 No. 1 (2023): Kërkime Pedagogjike

Ky  numër  i  revistës  Kërkime  Pedagogjike  është  vazhdimësi  e publikimeve vjetore të Institutit Pedagogjik. Këtë vit, si rezultat i projekteve të shumta kërkimore, Kërkime del në dy vëllime. Tematikat që janë trajtuar nga hulumtuesit e IPK-së janë të larmishme dhe me interes për fusha të caktuara arsimore. Disa nga tematikat e hulumtuara janë nga fusha e mësimdhënies ose e zhvillimit profesional të mësimdhënësve, si një nevojë e vazhdueshme për ngritjen e cilësisë në arsim.

Klima pozitive në shkollë del të jetë faktor i rëndësishëm për shkallën e kënaqësisë së mësimdhënësve në punë. Një temë e tillë nuk është e hulumtuar sa e si duhet në mjedisin tonë arsimor. Po lidhur me mësimdhënësin, si faktor kryesor i procesit mësimor në shkollë, është trajtuar çështja e parapërgatitjes akademike të mësimdhënësve. Analizë e thelluar  u  është  bërë  programeve  të  fakulteteve  që  përgatisin mësimdhënësit e ardhshëm, e cila është me interes si për fakultetet ashtu edhe për sistemin e përgatitjes në përgjithësi.

Përgatitja e materialeve didaktike nga mësimdhënësit, në funksion të konkretizimit të mësimeve, është çështje që nuk shteron së trajtuari, prandaj një temë e tillë është shqyrtuar nëpërmjet analizës së praktikave të mira në shkollë. Faktorët që ndikojnë në qëndrimet e nxënësve ndaj procesit të të nxënit në shkollë, si dhe përvojat e shkollave për t’i ndihmuar nxënësit për orientim në karrierë, janë aktuale dhe të rëndësishme për teorinë dhe praktikat e organizimit të punës me nxënës në shkollë.

Organizimi i aktiviteteve artistike, si pjesë të përmbajtjeve mësimore ose në formë të aktiviteteve të lira, paraqet një mjet dhe mekanizëm frymëzues për të rritur ndjenjën e përmbushjes së nxënësve në shkollë. Prandaj, përfshirja e dramës dhe aktiviteteve të tjera artistike në shkollë ndikon, sipas hulumtimit, në qasjen pozitive të nxënësve ndaj shkollës, por edhe në ndryshimin dhe kultivimin e sjelljeve të nxënësve.

Çështja e përmbajtjeve kurrikulare, përfshirja dhe adresimi i teknologjisë në to, është bërë temë qendrore e diskutimeve dhe është trajtuar në kuadër të analizës së fushave kurrikulare dhe lëndëve përkatëse. Dy çështje të tjera më specifike, të trajtuara nga hulumtuesit, lidhen me përmbajtjet e gjuhës në arsimin special, si dhe praktikat e vlerësimit të performancës së drejtorëve të shkollave publike. Si të tilla, ato paraqesin mundësi për reflektim për këto çështje me interes për shkollën.

Çështjet dhe tematikat e trajtuara në këtë numër të revistës Kërkime Pedagogjike, në formë të qasjes kërkimore, sasiore dhe cilësore, paraqesin një burim të rëndësishëm për të gjithë të interesuarit e arsimit dhe kërkimit në fushat e edukimit. Gjithashtu, kërkimet dhe rezultatet e tyre paraqesin një adresë të duhur për studime më të thelluara të çështjeve të përfshira në këtë numër.

Kërkime Pedagogjike
ISSN: 3006-9572
Vëll. 1 No. 1 (2023)
Botuar: 2024-03-09