Dr. Ibrahim Gashi, veprimtar i përkushtuar për shqiptarizmin
Abstract
Në 4-vjetorin e ndarjes nga jeta, autori ia kushton shkrimin e tij dr. Ibrahim Gashit.
Në fillim, tregohen lidhjet e tyre miqësore, për një periudhë disavjeçare. Në vijim ndalemi në punën e përkushtuar të tij në fushën e arsimit dhe kulturës kombëtare shqiptare; spikasin veprimtaritë e palodhura të tij si aktivist shoqëror sidomos me disa botime të çmuara. Më tej, tregohet se dr.Ibrahim Gashi lindi më 23 gusht 1935, në rrethin e Krujës, ku më parë kishin ardhur prindërit e tij nga fshati Skënderaj i Kosovës, si të përndjekur nga regjimi serb. Studimet e larta Dr. Ibrahimi i përfundoi në Universitetin e Tiranës. Vite me radhë, ishte mësimdhënës në shkollat e mesme të vendlindjes dhe gjatë periudhës 1984-1990 dha leksione si pedagog i jashtëm, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës.
Gjatë jetës, ai kreu me përkushtim edhe disa detyra shoqërore. Ndër të tjera, ishte bashkëpunëtor aktiv i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qyteterimit Islam (AIITC). Nga janari 1993 dhe deri në shtator 1996, Dr. I.Gashi kryeu detyrën e diplomatit (sekretar i dytë) në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Slloveni. Doli në pension në vitin 1996, por përsëri dr.Ibrahim Gashi e vijoi pandërprerje punën kërkimore, studimore dhe botuese.
Përveç shumë artikujve shkencorë e metodikë, për lëndët metematikë e astronomi dhe me temë shoqërore, botoi 11 libra dhe la në dorëshkrim disa të tjerë, dy prej të cilëve kanë objekt kronologjinë shqiptare.
U nda nga jeta i nderuar dhe i respektuar, më 9 maj 2012.



