Krishtërimi dhe Islami në dheun e shqiptarëve
Abstract
Në këtë artikull trajtohet një temë e debatuar jo pak ndër vite nga studiues, politikanë, diplomatë, shkrimtarë e gazetarë shqiptarë e të huaj, ajo e pranisë apo praktimit të disa besimeve fetare dhe ekzistencës së mirëkuptimit për këtë fakt tek shqiptarët. Bazuar në dokumente origjinale të ruajtura në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë në punim pasi bëhet një historik i shkurtër i zhvillimeve politike e shoqërore në gadishullin Ballkanik e në veçanti në trevat shqiptare, shfaqen disa konsiderata e përfundime interesante rreth shkaqeve që detyruan shqiptarët të praktikojnë disa besime fetare.
Konvertimi i një numri të konsiderueshëm të shqiptarëve në besimin islam, sot besim mbizotërues në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, pra në të katërt shtetet kufitare ku banojnë shqiptarë, ka qenë dhe mbetet ende edhe sot objekt diskutimesh e debatesh të shumtë. Përveç dy arsyeve tashmë të pranuara prej të gjithëve se, dhuna e ushtruar nga pushtuesi i ri si edhe ruajtja e dhënia e privilegjeve, autorja mendon se është edhe një tjetër arsye që mund të ketë ndikuar jo pak në këtë proces konvertimi masiv të shqiptarëve në fenë e re që vinte nga Lindja. Trysnia e ushtruar nga fqinjët tanë të krishterë për të pushtuar trojet shqiptare përzënë, vrarë apo edhe asimiluar shqiptarët, i shtyn këta të fundit të zgjedhin një besim të ri fetar duke mos pranuar në këtë mënyrë të identifikoheshin serb, malazez, grek apo edhe maqedonas për shkak se praktikonin besimin e krishterë, të ritit ortodoks e latin.
Mbrojtja me çdo mjet e mënyrë identitetin tonë kombëtar, pra pavarësisht besimit fetar të praktikuar, i ka shndërruar shqiptarët në një shembull për t'u ndjekur. Mirëkuptimi ndërfetar ndër shqiptarët është një vlerë e jashtëzakonshme për mbarë botën.



