Marrëdhëniet shqiptaro-austriake në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës (gjysma e dytë e shek. XIX dhe gjysma e parë e shek. XX)

Autorët

  • Prof. dr. Mahir Hoti

Abstract

Për Shqipërinë dhe shqiptarët, Austria përbën një emër disi të veçantë edhe në planin historik si faktor i jashtëm më i rëndësishmi në çështjen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Qëndrimi i Austro- Hungarisë spikat veçanërisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913 rreth kufijve tanë.
Nuk është e rastit që në Vjenë ruhen simbolet e luftës për liri e identitet kombëtar të popullit shqiptar, shpata dhe përkrenarja e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti (Skënderbeu).
Një dokumentacion i pasur arkivor e botues tregon marrëdhëniet politike, ekonomike, fetare, kulturore, arsimore e shkencore të Shqipërisë me Austrinë, të nisura shekuj më parë.
Është e njohur nga të gjithë edhe kontributi i shquar i albanologëve austriakë në mbrojtjen e tezës autoktone të shqiptarëve dhe origjinës së tyre nga ilirët.
Një dëshmi e qartë e lidhjeve të hershme mes dy popujve tanë janë arkivat e fondit austro-hungarez dhe në veçanti ai austriak në Arkivin Qendror të Shtetit, në bibliotekat dhe institucionet shkencore të vendit tonë.
Fototeka “Marubi” në Shkodër është një nga të veçantat me 3000 negativë në xham (Glasnegativen).
Krahas albanologjisë, shkencëtarët, diplomatët, publicistët austro-hungarezë kanë dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në fusha të tjera të shkencës.
Këto studime kishin interes për Austrinë dhe politikat e saj në Evropën juglindore dhe në Ballkan.
Ato patën interes dhe qenë me vlera të gjithanshme për Shqipërinë. e asaj kohe dhe më vonë do të shërbenin si fond i artë i literaturës së huaj për studimet mbi Shqipërinë. Por, vetëm në fund të shekullit të 19-të mund të bëhet fjalë për një kërkim të planifikuar shkencor në Shqipëri.
Shkurtimisht do të përmendim disa prej fushave të studimeve dhe autorët e tyre.
Bazat e kërkimeve arkeologjike janë hedhur nga Kamilo Prashniker, i cili, rezultatet e gjurmimeve të tij me vlera, i botoi në veprën “Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi” (Vjenë, 1919), si dhe nga Karl Patsch (K. Paç), i cili, rezultatet e kërkimeve e gjurmimeve të tij në Apoloni, Bylis, Orikum e Amantia, i pasqyroi në librin ”Sanxhaku i Beratit” (Vjenë, 1904), "Ilirët” (1923). Patsch, në vitet 1920-1924, punoi në Shqipëri si organizator kryesor i ngritjes së Muzeut Kombëtar Shqiptar.
Një vend të veçantë zë në studimet shqiptare Teodor Ippen, i cili vlerësohet si historian, etnolog dhe gjeograf. Ippen-i qe me detyrë Konsull i Përgjithshëm në Shkodër. Duhen vlerësuar 24 shkrime e botime të tij për Shqipërinë nga fusha e arkeologjisë, monumenteve historiko kulturore, nga fusha e etnografisë, e gjeografisë, madje dhe e gjeologjisë.
Një kulm për kërkimin shkencor të Austrisë përbën regjistrimi i parë i përgjithshëm i popullsisë së Shqipërisë nga Franc Seiner në vitin 1923, që mbetet edhe sot një material i vyer mbështetës për studimet me vlera shkencore demografike.
Studimet gjeologjike për Shqipërinë në formën më të plotë shkencore për kohën, por aktuale dhe pikë referimi edhe në ditët e sotme, janë bërë nga Franz Nopça - gjeolog, paleontolog, gjeograf i madh dhe njëherësh albanolog i njohur.
Ai është quajtur nga gjeologët tanë “Themeluesi i gjeologjisë së Shqipërisë”.

Keywords:

Austri, Shqipëri, shkencë, kulturë, arsim

Downloads

Download data is not yet available.

Downloads

Published

2024-05-07

How to Cite

Hoti, Prof. dr. Mahir. 2024. “Marrëdhëniet Shqiptaro-Austriake Në fushën E Arsimit, kulturës Dhe shkencës (gjysma E Dytë E Shek. XIX Dhe Gjysma E Parë E Shek. XX) ”. Univers 12 (12):32-39. https://albanica.al/univers/article/view/4103.

Numër

Section

Studime