Gjuha shqipe dhe globalizmi
Abstract
Problemi i vlerësimit me seriozitet të gjuhës nuk është një problem i ri, por as i vjetër, sepse për gjuhën kombëtare veçanërisht për ruajtjen, zhvillimin dhe pasurimin e saj, janë të interesuara e shqetësohen të gjithë shtresat e popullsisë në secilin vend.
Është e natyrshme se ky shqetësim është i pranishëm edhe te gjuhëtarët tanë, profesorët e kësaj lënde, mësuesit që e japin këtë lëndë me pasion, te shkrimtarët që e pasurojnë dhe nga një pjesë e mediave.
Por, gjuha shqipe nuk u përket vetëm atyre. Ajo është pasuri e gjithë kombit dhe, çdo njeri, që e quan veten shqiptar e ka për detyrim moral e atdhetar që të kujdeset për të, që herë pas here të mendojë për të, që, kur është e mundur të ndihmojë zhvillimin e saj në të gjitha format e mënyrat, në dobi të Atdheut.
Sa e sa herë është shkruar për bukurinë e gjuhës sonë, sa vargje e krijime të tjera i kushtohen asaj, sa atdhetarë kanë luftuar për të! Kujtoni vargjet e bukura e emocionuese edhe në ditët tona, si ato të Naimit, Fishtës, Mjedës e qindra të tjerëve.
Ajo është ndër shenjat kryesore që na bëjnë të ndihemi mirë, që edhe të tjerët ta njohin e ta dallojnë identitetin tonë kombëtar. Kjo lloj ndjenje nuk barazohet kurrsesi me nacionalizmin e sëmurë dhe as ka të bëjë me atë lloj krenarie të shtirur kombëtare, por është shenjë e vitalitetit dhe jetëgjatësisë së vlerave tona të vërteta që mbart gjithë populli.
Me një fjalë, të kujdesesh për gjuhën e vatanit tënd, nuk do të thotë në asnjë rast se nisemi nga ndjenja shoviniste.
Përkundrazi, këto janë ndjenja të kulluara atdhedashurie, ashtu sikurse ndodh në shumicën e popujve të botës.
Mund të themi se sot, ndërsa ka pasur e ka jo shumë njerëz që kishin mundësi të blinin e të përdornin në shtëpinë e vet ndonjë fjalor të madh ose enciklopedi, me shtimin e internetit nëpër zyra, në qendra pune e biznesi dhe deri në familje, kushdo, brenda disa sekondash mund të futet në sitet e enciklopedive “on-line” dhe të gjejë informacionin që i duhet.
Mund të thuhet gjithashtu, se edhe në komunikimin gjuhësor, sot, globalizimi vështrohet si dukuri që çon në rritjen marramendëse të ndikimit të anglishtes si gjuhë pune e informacioni me peshë aq të madhe në botë. Përkundër këtij ndikimi të anglishtes, i cili bëhet kryesisht përmes mediave dhe internetit, risitë teknologjike janë duke krijuar hapësira të reja edhe për përdorimin e gjuhëve të tjera të botës.
Globalizimi dhe proceset integruese janë të lidhura fort edhe me aspektet e zhvillimeve të përgjithshme politike, ekonomike, kulturore, letrare dhe, pa dyshim, gjuhësore, që kanë ndikuar edhe në larushinë apo llojshmërinë e ligjërimeve të sotme, duke i pasqyruar të gjitha këto procese ekonomike, politike dhe kulturore nëpër të cilat po kalon shoqëria shqiptare. Në këto rrethana, sigurisht, shqiptarëve u bie detyra që, ashtu si të gjitha kombet e tjera, krahas ecjes përpara në rrjedhat globalizuese, të mbahen edhe më me forcë në ruajtjen e mbërritjeve madhore të praktikës shkrimore dhe të normave të shqipes standarde. Në mënyrë të veçantë merr rëndësi njohja e kaheve të reja të kulturës së gjuhës shqipe mbas Kongresit të Drejtshkrimit (1972).
Kongresi i Drejtshkrimit mbetet ngjarje me rëndësi themelore në historinë e kombit shqiptar dhe përbën gurin e themelit të kaheve të reja të njësimit gjuhësor, kulturor e shpirtëror të shqiptarëve në të gjitha trojet e veta etnike dhe në diasporat e hershme e të reja në botë.
Prej kësaj ideje burojnë edhe vlerësimet e tjera e pikërisht: Drejtshkrimi i njësuar si bazë për praktikën shkrimore e botuese me karakter zyrtar e publik, po edhe si udhëheqës për vijën përbashkuese të drejtshqiptimit dhe të kaheve më largvajtëse të shqipes së folur. Karakteri gjithëkombëtar i zbatimit të drejtshkrimit të njësuar në praktikën shkrimore të Republikës së Shqipërisë, të Republikës së Kosovës dhe të mediave të shkruara e të folura në Maqedoni, në Mal të Zi e në diasporën arbëreshe të Italisë e më gjerë.
Të nxënit dhe përdorimi i gjerë i anglishtes dhe i gjuhëve të huaja të tjera, sidomos i italishtes, që përhapet shumë edhe nëpërmjet televizionit e radios, kanë sjellë dobi në përparimin e shkencës, të teknikës, po edhe në artin e në kulturën e intelektualëve shqiptarë, si në Shqipëri, ashtu edhe më gjerë; janë shtuar edhe përkthimet nga këto gjuhë dhe nga gjuhë të tjera, gjë që ka vënë në shërbim të shkollarëve e universitarëve shqiptarë ajkën e mbërritjeve të reja të shkencës e dijes botërore.
Ndërkaq, nga ana tjetër, kjo ka pasur edhe pasoja jo të mira në nxënien, vlerësimin dhe kujdesin për gjuhën shqipe. Në këtë vështrim, shqipja sikur bëhet shënjestër e globalizmit. Kudo ka rendje pas anglishtes, pëlqehen e blihen me ëndje librat dhe revistat në anglisht e në gjuhë të tjera të huaja, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për gjuhën shqipe. Përkundrazi, nuk mund (dhe s’ka pse) ta fshehim: ka pasur rënie të ndjeshme të kujdesit ndaj të nxënit të shqipes dhe, sidomos, mungesë vullneti e dëshire për ta pastruar, pasuruar dhe mbrojtur shqipen.
Në radhë të parë është për t’u kritikuar rënia e disiplinës së shtetit e të institucioneve shtetërore e shoqërore të lejuara prej tij ndaj gjuhës shqipe.
Nuk zbatohet drejtshkrimi i njësuar i shqipes, ka thyerje të rënda të normave të të shkruarit edhe në fushën akademike, duke u theksuar prirja për të shkruar me të madhe çdo lloj emërtimi, pa asnjë kriter drejtshkrimor.
Të gjitha rubrikat e reja të televizioneve shqiptare, ndërsa në Itali e gjetkë në Evropë, përkthehen nga anglishtja, si p.sh. “Grande Fratello”, “Ballando con le stelle” etj, tek ne , për fat të keq, përballen me zulmë e gëzim të pashpjegueshëm vetëm në anglisht: “Big Brother”, “Dancing with the stars”, për të mos folur edhe për rubrika të tjera, të gjitha në anglisht e pa nevojë, si “INSID”, “Tunicht” etj.
Thelbi i asaj që duhet të bëjë sot shoqëria shqiptare është, pra, të shkojmë drejt Evropës, të nxëmë anglishten dhe gjuhët e tjera, si mjete të domosdoshme e, madje, si shkallë të pamënjanueshme të bilingualitetit e bilinguizmit të domosdoshëm, por edhe të mbetemi shqiptarë, të ruhemi teprimet në qasjen e së huajës.



