Dialogu – i vetmi mjet për të arritur paqen dhe mirëkuptimin ndërfetar
Abstract
Është koha për të shmangur të gjitha kundërshtitë, të cilat ndonjëherë shfaqen alarmuese, mes civilizimit perëndimor dhe atij islam, që duket sikur kanë për mision të përjashtojnë njëra-tjetrën. Edhe pse të rralla, ka pasur shfaqje e dukuri që krijojnë ngacmime shpirtërore, reagime të pavend dhe tërheqje të vëmendjes nga punët e dobishme, për të cilat ka aq shumë nevojë njerëzimi. Ngjarjet e padëshirueshme, përplasjet midis besimeve fetare, kanë nxjerrë në rend të ditës nevojën për zhvillimin e “dialogut mes civilizimeve”, por edhe brenda të njëjtit civilizim. Kur bëjmë fjalë për rrafshin e teorisë së “dialogimit mes civilizimeve”, kuptojmë dëgjimin dhe respektimin e njëri-tjetrit, në çdo kohë dhe në të gjitha drejtimet. Konflikti i shkaktuar pas keqpërdorimit të besimeve të ndërsjella, mund të shmanget vetëm përmes një dialogu të mirëfilltë dhe pa hile mes dy civilizimeve kryesore, atij perëndimor dhe atij islam. Për të pasur sukses në këtë çështje, merr përparësi toleranca. Dihet që toleranca, dashuria dhe mëshira janë vlerat e vërteta të Islamit, të cilat muslimanët e kanë për detyrë t’ia përcjellin botës moderne, për t’i bërë cilësi të tilla pronë të të gjithë njerëzimit. Siç thotë M. Fethullah Gylen, toleranca është streha më e sigurt dhe fortesa jonë kundër pengesave që lindin prej përçarjes, fraksioneve dhe vështirësive të natyrshme në arritjen e një harmonie të ndërsjellë. Nëse mungon toleranca, sikur vetëm nga njëra palë, është e pamundur të flasësh për zhvillimin e mëtejshëm të mjeteve të komunikimit masiv, për të vënë në themel të shoqërisë njerëzore mendimin e përparuar apo kryerjen e veprimtarive që i shërbejnë kësaj çështjeje. Gjithçka është e qartë. Atëherë, çfarë duhet të bëjmë për të arritur civilizimin e kërkuar? Ka shumë punë për të bërë. Natyrisht, ky civilizim nuk mund të arrihet shpejt, nëse në krye të arritjes së këtij dialogu do të qëndrojnë vetëm politikanët, kudo qofshin ata, për shkak se historia ka provuar që ata shohin, në radhë të parë, interesat e tyre vetjake apo të një grupi të caktuar njerëzish, që janë pasuruar dhe vazhdojnë të pasurohen në kurriz të qytetarëve, duke i mbajtur ata nën tutelë, dhe, pse jo, edhe në varfëri, e cila, në ndonjë rast i kalon kufijtë ekstremë. Njerëzit e politikës duhet të çlirohen nga dëliri i madhështisë, të çlirojnë shpirtin nga ambicia për pasuri dhe autoritet të detyruar, të hedhin poshtë mendjemadhësinë dhe urrejtjen, sepse ajo i bren nga brenda. Shpesh, njerëz të tillë nuk e kuptojnë drejt konceptin e lirisë për t’u shprehur, për të lëvizur, për të folur, për të besuar etj. Liria e tjetrit nuk mund të jetë ajo që dikton ti. Nevoja për besimin te Zoti, në atë fuqi ku është e nevojshme të mbështetet njeriu, nevoja për të baraspeshuar elementet përbërëse të qenies sonë, tashmë duket se është kthyer në domosdoshmëri. Kjo edhe për faktin se humbja e harmonisë, mes asaj që quhet shpirtërore dhe asaj materiale, për më tepër kur prioritet i jepet së dytës, e ka hutuar krejtësisht njeriun, madje, e ka hedhur atë në një shkretëtirë jete. Për pasojë, rritet revolta, pasi nuk pranojnë t’u shkelet shpirti i tyre, në një kohë që ana materiale është e pamëshirshme ndaj jetës njerëzore, duke humbur shpesh herë edhe arsyen. E drejta e besimit të njerëzve, si një e drejtë e jetës private, njihet dhe mbrohet në të gjitha dokumentet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Por, që liria e besimit të mos mbetet deklarative, që ajo të ushtrohet me të vërtetë e lirë, është nevoja që të vërë dorë dhe shteti, i cili ka për detyrë të marrë masat e nevojshme për të garantuar gëzimin real të kësaj lirie, për ta mbrojtur atë, sidomos nga ndërhyrjet, të cilat synojnë të nxisin deformime, prirje ekstremiste apo çdo shfaqjeje tjetër ashpërsie në mjediset e besimtarëve, që herë-herë bëhen të rrezikshme dhe sjellin pasoja mjaft negative, të cilat kërkojnë kohë të gjatë për t’u korrigjuar.Keywords:
qytetërim, dialog, besim, globalizëmDownloads
Download data is not yet available.
Published
2024-05-07
How to Cite
Dragoj, Nuri. 2024. “Dialogu – I Vetmi Mjet për Të Arritur Paqen Dhe mirëkuptimin ndërfetar”. Univers 13 (13):234-54. https://albanica.al/univers/article/view/3915.
Numër
Section
Opinione