Banesat tradicionale gjakovare

Autorët

  • Prof. Dr. Emin Riza

Abstract

Në bashkësinë e ndërtimeve të Gjakovës, në të kaluarën, ashtu si dhe sot, vendin kryesor e zë gjinia e banesës. Edhe banesat tradicionale të Gjakovës, ashtu si shumica e atyre mbarëshqiptare në tiparet e tyre thelbësore projektuese, kompozicionale dhe teknike, ndjekin parimet tashmë të njohura.
Në qytetin e Gjakovës, prej gjurmimit të banesave të vjetra që ruheshin, apo ndeshen ende, vërejmë se ruhen katër tipa banesash tradicionale dhe pikërisht tipat e banesës me hajat, banesa me çardak, banesa me qoshk dhe kulla qytetare, krahas zgjidhjeve të veçanta, dukuri sa e njohur aq edhe e kuptueshme.
Nga vrojtimet e derisotme, mund të pohohet se radhitja e mësipërme e tipave është njëherazi një vendosje në kronologji relative. Të tre tipat e parë të banesës gjakovare, ndeshen në mbarë qytetet shqiptare të kohës, ndërsa kulla si banesë, paraqet një tip të përhapur vetëm në disa qytete të Kosovës.
Banesa tradicionale e Gjakovës, në mbarë tipologjinë e saj, përmban një repertor kthinash me funksione të ndryshme, kompozimi i të cilave nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me tipin e banesave. Këto kthina përgjithësisht të mbyllura si dhe ato të hapura (hajatit dhe çardakut) kanë kompozime me tipologji të qartë, duke qenë se janë kompozime me zhvillime në kohë.
Krahas ndarjes në kthina të hapura dhe të mbyllura, një ndarje tjetër paraqet ajo e kthinave të pabanuara dhe atyre të banuara.
Volumet formuese të banesës gjakovare janë: ahri, shtëpia e zjarrit, oda, qoshku, hapësira sanitare, hajati dhe çardaku.
Sipas kriterit kompozicional banesa tradicionale gjakovare ndahet në katër tipa, banesa me hajat, banesa me çardak, banesa me qoshk dhe kulla.
Banesa me hajat, është tipi më i lashtë i banesës gjakovare, ashtu si dhe i mbarë hapësirës ballkanike.
Banesa gjakovare me çardak është zhvillim i mëtejshëm volumor i banesës me hajat, duke shtuar një kat mbi përdhesin dhe duke pasur shpesh një nënkat të pjesshëm me funksione dytësore. Tipi i banesës me qoshk është një dukuri, krahasimisht e vonë që shfaqet rreth gjysmës së dytë të shek. XIX dhe pati përhapje të gjerë si në Gjakovë, ashtu edhe në mbarë qytetet shqiptare.
Banesa me qoshk është përdhese dhe me kat. Në të dy rastet kompozimi është i thjeshtë.
Kulla si banesë e fortifikuar, trekatëshe, ndeshet rrallë edhe në Gjakovë. Ndërtimi i kullave në qytete është dukuri e gjysmës së dytë të shek. XIX. Këto banesa, të shtresave të pasura, janë ndërtuar krejtësisht me mur guri, duke pasur katin përdhe të pabanuar, ndërsa të ndërmjetmin për familjen dhe të sipërmin për miqtë.
Si rezultat i kësaj banesa gjakovare ka akoma elementë të pazbuluar, të cilat duhen gjurmuar, restauruar dhe studiuar si një vlerë unike e krijimit historiko-kulturor shqiptar.

Keywords:

banesa, tradicional, kompozicion, kulla, volum

Downloads

Download data is not yet available.

References

  1. A.Bace, A.Meksi, E.Riza, Gj.Karaiskaj, P.Thomo, “Historia e arkitekturës shqiptare”, Tiranë, 1979.

  2. E.Riza, “Qyteti dhe banesa shqiptare e mesjetës së vonë”, Tiranë, 1991.

  3. E.Riza, Monumentet e arkitekturës dhe identifikimi i tyre, “Monumentet e Kosovës”, Prishtinë, 2004.

  4. E.Riza - N.Haliti “Banesa qytetare kosovare e shek. XVIII – XIX”, Prishtinë, 2006.

Published

2024-05-21

How to Cite

Riza, Prof. Dr. Emin. 2024. “Banesat Tradicionale Gjakovare”. Univers 11 (11):139-47. https://albanica.al/univers/article/view/4334.

Numër

Section

Horizonte Shoqërore