Monografia “Banesat shqiptare me qoshk” e Prof. Dr. Emin Riza – Dëshmi e zhvillimit të arkitekturës shqiptare
DOI:
https://doi.org/10.59164/univers.v21i21.1317Abstrakti
Prof. Dr. Emin Riza është një ndër emrat më të shquar të restauruesve shqiptarë dhe njohës i mirë i monumenteve kulturore në Shqipëri. Me një eksperiencë të gjatë pune në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, apo si specialist restaurues në Institutin e Monumenteve të Kulturës, fitoi një përvojë të madhe në fushën e ndërtimeve të vjetra, gjë që i shërbeu edhe për realizimin e 18 monografive.
Duke qenë për disa vite kryeredaktor i revistës “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, botoi edhe një sërë artikujsh në këto dy revista. Akademiku Emin Riza njihet si nismëtar dhe pjesë e grupit të punës së Ligjit “Për trashëgiminë kulturore” dhe kryesues i grupit të punës që përgatitën dosjen e Gjirokastrës dhe Beratit për në UNESKO, si pasuri botërore. Ka marrë vlerësime të shumta, mes të cilëve edhe “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe i Beratit. Monografia e tij me titull “Banesa shqiptare me qoshk”, botuar në fund të vitit 2018, nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, përbën një studim që përmbush nevojën e trajtimit të veçantë të kësaj lloj banese, për të shtjelluar më gjerësisht vlerat kompozicionale të elementeve arkitekturore, strukturave teknike, materialeve ndërtimore etj.
Prof. Dr. Emin Riza mbetet mjaft aktiv edhe në ditët e sotme, për kontributin e tij të madh në misionin e ruajtjes së monumenteve të kulturës dhe banesave të vjetra, si pjesë e pandarë e trashëgimisë sonë materiale. Këtë shqetësim ai e ngre edhe në këtë libër, ku thekson: “Ndërtimet e kultit apo kalatë mbrojtëse përgjithësisht ruhen në rrjedhën e kohës për funksionin që ato kryenin dikur, ndërsa banesat popullore, pavarësisht rëndësisë së tyre, janë pre’ e natyrshme e zhvillimeve jetësore dhe e ndryshimeve, prandaj mbrojtja dhe ruajtja e tyre është e një rëndësie të veçantë”. Autori e konsideron monografinë “Banesa popullore shqiptare me qoshk”, si përmbyllje të veprimtarisë së tij 55-vjeçare të pandërprerë vlerësuese të ndërtesave në hapësirat e Shqipërisë dhe Kosovës.