Mësimi në distancë

Autorët

  • Arbnesha Mexhuani Instituti Pedagogjik i Kosovës

DOI:

https://doi.org/10.62928/kp.v2i1.4415

Abstract

Kjo analizë paraqet një pasqyrë të mësimit në distancë, si metodë e re e mësimnxënies, që realizohet përmes teknologjisë së komunikimit, për të arsimuar njerëzit që ndodhen në vende të ndryshme. Po ashtu, analiza paraqet metodat e realizimit të arsimit në distancë dhe shkallën e zbatueshmërisë në Kosovë, duke bërë krahasimin me vendet e ndryshme evropiane. Përveç vlerësimit të gjendjes në lidhje me mësimin në distancë, në shkollat e Kosovës dhe në vendet e ndryshme evropiane, kjo analizë përshkruan edhe rolin e teknologjisë për aplikimin e mësimit në distancë.

Analiza e paraqitur mund të konsiderohet si përpjekje për informim për mësimin në distancë (E-learning), krijimin e mundësive për zbatim në shkollat e Kosovës dhe rëndësinë për mësimdhënie dhe nxënie.

Metoda e zgjedhur është hulumtimi përmes grumbullimit të informacioneve nga një numër raportesh ekzistuese, të cilat e prezantojnë përdorimin e teknologjive të informacionit dhe të komunikimit në vendet e ndryshme evropiane, si mjete për organizimin e mësimit nga distanca dhe mësimit elektronik, si dhe mënyrën e integrimit të tij në procesin e mësimdhënies dhe nxënies. Përveç hartimit të Strategjisë për E-learning, e cila nuk është miratuar ende, dhe trajnimit të mësimdhënësve për ECDL, shkollat e Kosovës për zbatimin e kësaj metode të re të mësimnxënies ende nuk kanë gatishmëri elektronike, d.m.th shkollat tona ende nuk janë të përgatitura për të marrë pjesë në rrjetet botërore të mësimit në distancë. Prandaj, arsimi te ne, krahas me reformimin përmbajtjesor, ka nevojë edhe për reformim teknik dhe një transformim multimedial.

Është shumë e nevojshme që shkollat ta kenë teknologjinë informative të komunikimit dhe nxënësit, së bashku me mësimdhënësit, ta përdorin për të gjitha lëndët mësimore. Kjo mund të bëhet me ndihmën e ministrive përkatëse dhe investime adekuate në teknologjinë nevojshme (kompjuterët, rrjetet, internetin) pa sigurimin e së cilës nuk mund të realizohet mësimdhënie cilësore moderne. Përderisa deri dje leximi dhe shkrimi në mënyrë tradicionale konsideroheshin si elemente kryesore të shkollimit, në botën e sotme shkollimi informativ kompjuterik dita-ditës po bëhet më i domosdoshëm për shkëmbimin e diturisë dhe bartjen e shkathtësive themelore te nxënësit.

Qeveria ka filluar të pajisë shkollat me kompjuterë, por duket që përdorimi i tyre i vërtetë është akoma i diskutueshëm. Mësimdhënësit janë duke u trajnuar, mirëpo trajnimi i tyre është duke u bërë për shkathtësi kompjuterike e jo për nevoja pedagogjike, gjë që nuk është e mjaftueshme. Nxënësit janë larg standardeve ndërkombëtare të edukimit, si dhe interesimi i shoqërisë dhe i individit nuk është në nivel të duhur që të ecë me hapat e zhvillimeve globale. Duke u bazuar në këtë gjendje, në këtë analizë janë të paraqitura edhe disa projekte që janë realizuar për mësimdhënie dhe nxënie përmes teknologjisë informative të komunikimit, si dhe praktika të shumta dhe iniciativa që duhen ndërmarrë nga Qeveria për realizimin e mësimdhënies në distancë, mbështetur në përvojat evropiane.

Duke u bazuar në rolin dhe rëndësinë që ka arsimi në distancë, qëllimi kryesor i kësaj analize është informimi dhe hulumtimi i përvojave dhe praktikave evropiane, për të gjetur mënyrën më të mirë për realizimin e tij. Bazuar në Strategjinë për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar 2007-2017, që në pikën 4.6.1, përshkruhet zbatimi i politikave dhe praktikave të E-learning (mësimit elektronik) në sistemin parauniversitar.

E-learning përfshin mësimdhënien, përdorimin e informacioneve dhe të teknologjisë informative dhe si një medium i veçantë i mësimdhënies dhe nxënies i mundëson studentit/nxënësit t’i kryen të gjitha aktivitetet i kryen nëpërmjet kompjuterit dhe lidhjes me internet, apo duke i kombinuar me metodat tradicionale të mësimit

Në shkollat e arsimit parauniversitar në Kosovë kjo metodë e të mësuarit ende nuk ka filluar, përderisa në botën e zhvilluar mësimdhënia pa internet nuk perceptohet. Analiza do të fillojë me historikun e arsimit nga distanca, si dhe rolin dhe rëndësinë e kompjuterëve dhe të internetit për mësimin elektronik. Duke u bazuar në literaturë dhe në hulumtime të realizuara për TIK-un në arsim në Kosovë dhe në disa vende evropiane, në analizë do t’i prezantoj disa përvoja dhe praktika të vendeve evropiane, për iniciativën e marrë për aplikimin e mësimit në distancë në shkolla, që kjo metodë, si metodë e re e mësimnxënies, ka rezultuar me vlerë, veçanërisht në shtetet e zhvilluara.

Downloads

Download data is not yet available.

References

  1. Fullan, Majkëll, Depërtim në thellësitë e reformës arsimore, Prishtinë, 2005.

  2. Gal, Ksenija. Zbatimi i Powerpointit për të arritur motivim më të mirë në orën e Gjuhës angleze me nxënësit e klasave të dyta të gjimnazit, Zagreb, 2006.

  3. Krasniqi Islam, Sisteme e Strategji të Mësimdhënies Bashkëkohore, Prishtinë, 2005.

  4. Komisioni Evropian, TIK në Arsim dhe në Trajnim, raport zhvillimi, 2003.

  5. Komisioni Evropian, Bazat e TIK-ut dhe të E-learning në edukim, program trajnimi, 2011

  6. Musai, Bardhyl, Mirjana, Mirjana Sinani, Pjerin Pepa, Yllka Grada (1997), “Aspekte të Mësimdhënies, Prishtinë, Koha, 1997.

  7. Musai Bardhyl, Ballhysa Abdullah, Gjakutaj Mimoza, Luljeta Kërçiku, Plangarica Tomor, Zisi Aurela, “Modele për mësimdhënie të suksesshme”, Tiranë, Edualba, 2001.

  8. Plani Strategjik i Arsimit të Kosovës, 2011-2016.

  9. Rowntree, D., ‘Preparing materials for open, distance and flexiblelearning’, 1995, Kongan Page, London.

  10. Varošanec Sanja, Zbatimi i kompjuterit në mësimin e matematikës, Sveučilište u Zagrebu (2007).

  11. www.mod.gov.al/botime/html/revista/, mars 2011. http://www.universities.com/Distance_Learning/, shkurt 2011. http://www.educationatlas.com/distance-learning-research.html, mars 2011.

  12. http://www.botasot.info/, prill 2011. www.itpilotproject.eu, maj 2011. http://www.edu.gov.mb.ca/k12/dl/, prill 2011

  13. Tomaš Suzana, Zbatimi i kompjuterit në mësimin e lëndës Natyra dhe Shoqëria (2008).

Downloads

Published

2024-05-15

How to Cite

Mexhuani, A. (2024). Mësimi në distancë. Kërkime Pedagogjike, 2(1), 7–31. https://doi.org/10.62928/kp.v2i1.4415