Arsimi dhe aftësimi i të rriturve në Kosovë
DOI:
https://doi.org/10.62928/kp.v2i1.4421Abstract
Arsimi gjatë gjithë jetës (arsimi dhe aftësimi i të rriturve si pjesë integrale e tij) është përgjigje ndaj ndryshimeve të mëdha, të shpejta dhe të vazhdueshme shoqërore, duke synuar që të jetë në funksion të plotësimit të nevojave të individit karshi këtyre ndryshimeve. Zhvillimet tekniko-teknologjike patjetër që e rrisin nevojën për reforma të përgjithshme edhe në sistemin arsimor, e bashkë me këtë, gjithnjë e më tepër, rritet edhe nevoja për zhvillim të programeve arsimore dhe aftësuese për të rriturit. Filozofia e re të mësuarit, ku në qendër është individi dhe kompetencat e tij për jetë, bën që arsimi dhe aftësimi i të rriturve, me kompleksitetin dhe fleksibilitetin e tij, të jetë prijës i përgjigjeve ndaj ndryshimeve marramendëse shoqërore dhe tekniko-teknologjike. Cili ishte roli i arsimit dhe aftësimit të të rriturve në Kosovë në fillim të këtij shekulli? Menjëherë pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, shumë organizata ndërkombëtare ( meqenëse institucionet vendore ishin në fazën e konstituimit të tyre) filluan me realizimin e programeve joformale me fëmijët, por edhe të rriturit, në funksion të kapërcimit të pasojave dhe traumave të luftës. Organizatat që njihen më së shumti për këto aktivitete ishin UNICEF-i, “Save the Chlildren”, “Caritas”, “Terre des Homes”, “Women for Women” etj. Dhe, programet e tyre i orientonin kryesisht mbi nevojat imediate shoqërore, të cilat i realizonin financiarisht me donacione ndërkombëtare të dedikuara për Kosovën, por, në bashkëpunim edhe me vendorët, shpeshherë si bartës/realizues të aktiviteteve konkrete. Krahas funksionalizimit të institucioneve arsimore në Kosovë dhe fillimit të realizimit të proceseve arsimore nga to, edhe arsimi dhe aftësimi i të rriturve gjithnjë e më tepër fitoi rolin e tij mbështetës të këtij sistemi. Dalëngadalë, spektri i ofertave programore për arsimimin e të rriturve doli jashtë suazave të funksionit rehabilitues, duke u kaluar kompetencat tek institucionet vendore si planifikuese dhe bartëse të programeve përkatëse, kuptohet në bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme financiare nga organizatat ndërkombëtare që vepronin në Kosovë. Që në vitin 2001, bazuar në Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisje në Kosovë, Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin për Arsimin dhe Aftësimin e të rriturve, ligj ky që për bazë e ka definimin e qëllimit të arsimit për të rritur. Në vitin 2004, mbi bazën e këtij ligji, Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës, në bashkëpunim me organizatat vendore dhe ndërkombëtare, hartoi Strategjinë për Arsimin e të rriturve në Kosovës 2005-2015. Gjithashtu, në vitin 2006, për mbështetje dhe jetësim të Ligjit për Arsimin e të rriturve në Kosovë, MASHT-i e hartoi edhe një udhëzim administrativ, me të cilin planifikohej organizimi, plani dhe programi i punës, kriteret, procedurat e përzgjedhjes dhe regjistrimit të vijuesve, licencimi i institucioneve për arsim dhe aftësim, barasvlera dhe nostrifikimi i diplomave dhe certifikatave, mbajtja dhe ruajtja e të dhënave të vijuesve të arsimit dhe aftësimit të të rriturve etj. Dokumente të tjera të hartuara në funksion të organizimit dhe realizimit të arsimit të të rriturve në Kosovë janë edhe Ligji për arsimin në komunat e Republikës së Kosovës- 2006; Ligji për Arsimin dhe Aftësimin Profesional - 2001; Ligji për arsimin fillor dhe të mesëm në Kosovë- 2002; Ligji për Kualifikimet Kombëtare - 2008; Ligji për arsimin e lartë në Kosovë; Strategjia për integrimin e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë 2007-2017 etj. Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë e Kosovës kryesisht ka qenë dhe mbetet prijëse e realizimit të programeve për arsimin dhe aftësimin e të rriturve në Kosovë, por rol me rëndësi kanë luajtur edhe ministritë e tjera të Kosovës: Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, Ministria e Rinisë, e Kulturës dhe Sporteve, OJQ-të vendore dhe ndërkombëtare, institucionet relevante për fushën e arsimit në Kosovë etj. Cilat janë programet kryesore që u realizuan në fushën e arsimit dhe aftësimit të të rriturve në Kosovë? Programet në funksion të integrimit të komuniteteve joshumicë në Kosovë ishin dhe mbetën sfidë e intervenimeve të institucioneve vendore, sidomos të atyre ndërkombëtare, në fushën e arsimit dhe aftësimit të të rriturve në Kosovë. U realizuan programe intensive arsimore për integrimin e fëmijëve të komuniteteve RAE në sistemin arsimor të Kosovës, u realizuan kurse gjuhësore për të kthyerit nga diaspora (kryesisht për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e komuniteteve), programe për aftësitë bazë (shkrim-lexim dhe njohuri bazë matematikore) për gratë dhe bajzat e zonave rurale të Kosovës, u ofruan dhe vazhdojnë ende të jenë ofertë mjaft e rëndësishme programet për arsimimin dhe përgatitjen profesionale të të rriturve në shkollat profesionale të Kosovës, zhvillimi i programeve MASTER dhe DOKTORATURË në kuadër të Universitetit të Prishtinës, realizimi i Universiteteve Verore, programe universitare dhe trajnime për përgatitje dhe zhvillim profesional të mësimdhënësve pa shkëputje nga puna, realizim i kurseve gjuhësore, kurseve për njohuri të përdorimit të teknologjive të informacionit nga të rriturit etj. Cilat ishin mangësitë e përgjithshme që e përcollën realizimin e programeve të arsimit dhe aftësimit të të rriturve në Kosovë? Me siguri që, përveç sukseseve dhe sfidave që kishte realizimi i programeve të arsimit dhe aftësimit të të rriturve në Kosovë, këtë proces e kanë përcjellë edhe mangësi të theksuara. Përvoja jo edhe aq e pasur e institucioneve për orientimin edhe realizimin e programeve të kësaj fushe, mundësitë e limituara buxhetore të institucioneve të Kosovës për financim dhe udhëheqje të programeve të caktuara kanë bërë që shpeshherë të realizohen programe jo adekuate për momentin dhe nevojën. Gjithashtu, meqenëse realizimi i shumë programeve ka qenë i varur financiarisht nga donatorë të huaj, atëherë, me përfundimin e këtyre donacioneve, programet konkrete kanë mbetur të pa përfunduara dhe, bashkë me këtë, edhe vijueshmëria e këtyre programeve nga të rriturit nuk e ka arritur qëllimin e dëshiruar. Gjithashtu, përzierja e kompetencave, përgjegjësive dhe detyrave nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë ka bërë që shpeshherë të dyfishohen programe me përmbajtje të njëjtë programore, apo ka ndikuar në mosdefinimin e institucioneve udhëheqës dhe bartësve të aktiviteteve për arsimin dhe aftësimin e të rriturve dhe si pasojë mosrealizimi me sukses (apo mosrealizimi) i programeve të caktuara në kuadër të kësaj fushe. Mbetet sfidë e institucioneve vendore për t’i vënë në binarë të gjitha parregullsitë ekzistuese në këtë fushë, në mënyrë që arsimi dhe aftësimi i të rriturve të jetë mundësi për përgjigje të suksesshme ndaj kërkesave të kohës, në funksion të krijimit të shoqërisë së dijes, formimit të individëve me kompetenca të avancuara për jetën dhe shoqërinë në të ardhmen.Downloads
References
-
Employment and Skills Observaty of Kosova: Strategjia për arsimin e të rriturve në Kosovë 2005 – 2015, Prishtinë 2004.
-
Instituti Pedagogjik i Kosovës: Kërkime Pedagogjike-Përmbledhje punimesh, Prishtinë 2010.
-
Komisioni Evropian: Erwaksenenbildung - auf dem weg nach Europa, www.europa.eu.int. European Commission: European Community action programme in the field of education -Gateway to education 2000-06 , Luxemburg 2002.
-
MAShT (2004): Ligji mbi Arsimin Fillor dhe të Mesëm në Kosovë, Prishtinë.
-
MASHT (2007): Strategjia për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar 2007-2017, Prishtinë.
-
MASHT (2005): Ligji për Arsimin dhe Aftësimin e të rriturve, nr. 02/L-24.
-
MASHT (2007) : Strategjia për Zhvillimin e Arsimit të Lartë në Kosovë 2005- 2015.
-
MASHT (2008 ): Ligji për Kualifikimet Kombëtare, nr. 03/ L-060. MASHT (2005): Standardet Kombëtare për arsim dhe aftësim në ndërmarrësi, Prishtinë.
-
MASHT (2006): Ligji për Arsimin Profesional në Kosovë, nr. O2/L- 42, Prishtinë.
-
MASHT (2006): Ligji për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, nr. 02/L-42.
-
MASHT (2008): Ligji për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës, Prishtinë.
-
MASHT (2008): Ligji për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës, Prishtinë.
-
UNDP: Raporti i zhvillimit njerëzor, Kosovë 2006.
-
Uwe Gartenschlaeger - European Adult Education outside the EU, Bon 2009.
References
Employment and Skills Observaty of Kosova: Strategjia për arsimin e të rriturve në Kosovë 2005 – 2015, Prishtinë 2004.
Instituti Pedagogjik i Kosovës: Kërkime Pedagogjike-Përmbledhje punimesh, Prishtinë 2010.
Komisioni Evropian: Erwaksenenbildung - auf dem weg nach Europa, www.europa.eu.int. European Commission: European Community action programme in the field of education -Gateway to education 2000-06 , Luxemburg 2002.
MAShT (2004): Ligji mbi Arsimin Fillor dhe të Mesëm në Kosovë, Prishtinë.
MASHT (2007): Strategjia për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar 2007-2017, Prishtinë.
MASHT (2005): Ligji për Arsimin dhe Aftësimin e të rriturve, nr. 02/L-24.
MASHT (2007) : Strategjia për Zhvillimin e Arsimit të Lartë në Kosovë 2005- 2015.
MASHT (2008 ): Ligji për Kualifikimet Kombëtare, nr. 03/ L-060. MASHT (2005): Standardet Kombëtare për arsim dhe aftësim në ndërmarrësi, Prishtinë.
MASHT (2006): Ligji për Arsimin Profesional në Kosovë, nr. O2/L- 42, Prishtinë.
MASHT (2006): Ligji për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, nr. 02/L-42.
MASHT (2008): Ligji për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës, Prishtinë.
MASHT (2008): Ligji për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës, Prishtinë.
UNDP: Raporti i zhvillimit njerëzor, Kosovë 2006.
Uwe Gartenschlaeger - European Adult Education outside the EU, Bon 2009.
