Marrëdhëniet ndërmjet toponimeve dhe fjalëve të trashëguara të Shqipes sipas analizës së zhvillimit të tyre fonetik dhe faktorëve të tjerë ndikues
DOI:
https://doi.org/10.62006/sf.v75i1-2.1097Abstract
Toponimet dhe hidronimet e lashta në gjuhën shqipe sillen shpesh si argumente qoftë nga përkrahësit e teorisë së autoktonisë së shqiptarëve, qoftë nga kundërshtarët e saj. Janë të shumta punimet mbi këtë çështje dhe mbi gjendjen gjuhësore të Ballkanit të lashtë. Në disa ndihmesa të kohëve të fundit albanologu dhe indoeuropianisti austriak J. Matzinger ka sjellë këndvështrime të reja dhe interesante mbi këto çështje, të cilat do t’i diskutojmë në këtë trajtesë, duke u përpjekur t’i plotësojmë dhe t’i zhvillojmë më tej.
Në analizën e zhvillimit fonetik të toponimeve dhe apelativëve në gjuhën shqipe, një procedim i rëndësishëm i së cilës është rindërtimi gjuhësor i formave të padëshmuara, duhet mbajtur parasysh një dallim themelor që i takon rrafshit të përdorimit gjuhësor: fjalët e trashëguara kanë evoluar fonetikisht duke u përdorur vetëm në fazat e njëpasnjëshme të një gjuhe të vetme, nga parashqipja në shqipen e sotme, sipas rregullave të fonetikës historike të shqipes, ndërsa toponimet, në një trevë të karakterizuar pothuajse gjithmonë nga shumëgjuhësia, kanë pësuar ndikime nga disa gjuhë, në veçanti nga ato mbizotëruese në përdorim. Ky parametër, i cili mund të sjellë zhvillime fonetike divergjente në krahasim me fjalët e trashëguara, nuk duhet shpërfillur në këtë proces. Në vijim do të përpiqemi të krahasojmë procesin e zhvillimit fonetik të fjalëve të trashëguara dhe të toponimeve, duke marrë në shqyrtim, për të ilustruar dallimet ndërmjet të parave dhe të dytave, zhvillimin fonetik të apelativëve dallëndyshe e ngjalë, të cilët shfaqen në emrat e fiseve të lashta ilire të Taulantëve dhe Enkelejve e më pas do të rimarrim në shqyrtim analizën e disa prej toponimeve, oikonimeve, oronimeve e hidronimeve më të njohura të shqipes, duke mbajtur parasysh parametrin e cekur më sipër.
Downloads
Downloads
Published
How to Cite
Numër
Section
License
Copyright (c) 2023 Akademia e Studimeve Albanologjike

This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial-ShareAlike 4.0 International License.
