Estetika e artit islam
Abstract
Sipas Titus Burchkardt-it, substanca e artit është bukuria.
Në termat e fesë islame, kjo është një cilësi hyjnore dhe në këtillësinë e saj, ka një aspekt dyjar: në botë është pamja, është veshja që mbështjell qenien e bukur dhe gjërat e bukura. Ndërsa te Zoti, sakaq, apo në vetvete, ajo është bukuri kullueshmërisht e brendshme; është cilësia hyjnore, që, mes të gjitha cilësive hyjnore të manifestuara në botë, risjell ndërmend më drejtpërdrejt Qenien e kulluar.
Pikërisht në sajë të përkujtimit dhe përmendjes së Qenies lindi dhe u zhvillua arti islam; si një zgjatim apo mishërim i vetë Islamit apo i të vërtetave që ai synon të përçojë te njerëzit.
Duke pasur parasysh këtë, mund të pohojmë se nuk është e vërtetë ajo që shkruan më pas po Burchkardt-i: “Ishte, në fakt, braktisja e mjedisit primitiv arab dhe përballja me trashëgiminë artistike të popujve të pushtuar apo të konvertuar që e bëri të nevojshme lindjen e një arti përshtat Islamit dhe që e bëri të mundur që kjo të ndodhë”. Nuk është e vërtetë, pasi arti islam buroi dhe u shfaq natyrshëm, pra pashmangshëm, natyrisht në rrethana të caktuara dhe të ndryshme nga njëra hapësirë islame në tjetrën, si një nevojë e përjetuar nga njerëz të caktuar (artistët) për të demonstruar të vërtetën, ndryshe nga arti europian apo perëndimor në përgjithësi që është në kërkim të saj.
Pikërisht për këtë arsye arti perëndimor është aq i ndryshëm nga arti islam në veçanti dhe nga ai lindor në përgjithësi, sepse kanë qëllime të ndryshme, sepse i qasen krejt ndryshe njeriut dhe jetës.
Për artistin musliman, bota e jashtme është ashtu siç është, pasi të tillë e ka krijuar Krijuesi, dhe mbi të gjitha ajo është e pajisur me një telos, i cili do përmbushet, sidoqoftë. Por, çështja është se sa i bashkëngjitet kësaj përmbushjeje edhe qenia më e veçuar në të, pra njeriu.
Në një rast Kurani na tregon se si reflekton qenia kur del nga prangosja me harresë, pikërisht kur kjo qenie i drejtohet Qenies duke thënë: “Zoti ynë, ti nuk e krijove më kot gjithë këtë!” Pra, Zoti nuk është tërhequr diku mënjanë për të lënë universin po mënjanë, as nuk ka hyrë në (këtë) historinë tonë për t’u vetëflijuar për ne dhe as nuk ka vdekur për të na lënë të vetëm, sikurse ka ndodhur dhe ndodh në mendimin dhe mendësinë perëndimore.
Së këndejmi edhe mimesis-i, meqë bota/natyra na qenka e rastësishme, pa qëllim (telos), ajo mund të ndërrohet; ligjësitë dhe pamja e saj mund të ndryshojnë si të duam ne, meqë kjo është e vetmja pronë e mundësi që kemi.
Prandaj dhe arti islam shfaqet gjithherë në harmoni me natyrën, pasi, ashtu si kjo e fundit, ai i bën lavd Qenies si përkujtim për qeniet. Pikërisht ky është telos-i i natyrës dhe i njeriut si i përkohshëm në të.
Keywords:
arti, feja islame, e bukura, Zoti, natyraDownloads
References
-
Ajvazogllu, B. (2009) Estetika islame. Përkth.: Ali Pajaziti. Shkup: Logos-A.
-
Burchkardt, T. (2012) Arti i Islamit - gjuha dhe kuptimet. Përkth.: Vehap Kola, Shkup: Logos-A.
-
Faruki, I. (2006) Transcendenca hyjnore dhe shprehja e saj, f. 60. Përkth.: Edvin Cami. Tiranë: Erasmus.
-
Kthesa shpirtërore e Kandinsky-t, E. Çeraj, 2012.
References
Ajvazogllu, B. (2009) Estetika islame. Përkth.: Ali Pajaziti. Shkup: Logos-A.
Burchkardt, T. (2012) Arti i Islamit - gjuha dhe kuptimet. Përkth.: Vehap Kola, Shkup: Logos-A.
Faruki, I. (2006) Transcendenca hyjnore dhe shprehja e saj, f. 60. Përkth.: Edvin Cami. Tiranë: Erasmus.
Kthesa shpirtërore e Kandinsky-t, E. Çeraj, 2012.



