Shkencëtari dhe pedagogu i shquar, Prof. Dr. Shefik Osmani - Fisniku i shkencës, themeluesi dhe këshilltari i AIITC, nxitësi i pasioneve për punë
Abstract
Fisniku i shkencës, themeluesi dhe këshilltari i AIITC, nxitësi i pasioneve për punë, Prof. Dr. Shefik Osmani
Të flasësh për fisnikun e shkencës, themeluesin e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC) Prof. Shefik Osmani është shumë e vështirë. Ai është një shkencëtar shqiptar që mbart një përvojë mbi gjysëm shekullore, në shërbim të kulturës dhe arsimit mbarëkombëtar. Brezat e mësuesve e studiuesve që do të vijnë, do të gjejnë frymëzimin tek puna e palodhur e këtij shkencëtari, i cili të gjitha aftësitë e tij mendore e fizike ia përkushtoi edukimit të brezave, në Shqipëri, Kosovë e kudo ku ka shqiptarë në Ballkan e botë, me një qëllim të vetëm, përparimin e kombit tonë.
Prof. Shefik Osmani ishte i pari që bashkë me piktorin e popullit Sadik Kaceli, Prof.Shefqet Ndroqin e një sërë emrash të intelektualëve të tjerë shqiptarë, na nxitën për themelimn e AIITC në vitin 1996. Profesor Shefiku ishte shumë pasionant në punë. Ishin: përvoja e çmuar, aftësia organizative, mendja e zgjuar dhe takti në komunikim të prof. Shefikut që punët në Institutin tonë të shkonin drejt një ngritjeje të vazhdueshme akademike. Falë udhëzimeve dhe këshillave të prof. Shefikut e gjithë veprimtaria jonë u ndërtua mbi projekte, strategji dhe objektiva, realizimi i të cilave shkallë-shkallë çoi në kapjen e niveleve shkencore. Ishte meritë e prof. Shefikut që punët të orientoheshin drejt studimeve në pistat e shkencës, artit dhe kulturës shqiptare.
Gjithashtu, ishte merita e prof. Shefikut fokusimi i hulumtimeve dhe kërkimeve në fushën e shkencës dhe të kulturës islame, si pjesë e konsiderueshme përbërëse e kulturës kombëtare shqiptare, si vlera dhe arritje, si trashëgimi e çmuar, si shprehje e aftësive krijuese të popullit shqiptar.
Ndihmesën absolute të prof. Shefikut e ndeshim në të gjithë spektrin e botimeve të AIITC, shumë prej të cilave në nivele të kënaqshme akademike, si Fjalori i Orientalizmave dhe Fjalori Arabisht-Shqip, për të vazhduar më tej me seri botimesh me përmbajtje historike – letrare të autorëve botërorë apo shqiptarë. Gjithsecili prej tyre do të kalonte nën lupën e profesorit tonë për të bërë plotësime e përmirësime si në përmbajtje ashtu edhe në formë.
Mjafton të shfletosh botimet tona përgjatë 14 viteve dhe do të gjeni në to emrin e profesorit, herë si recensent, herë si kryeredaktor e shpeshherë të padukshëm, por të pranishëm në çdo rresht të botimeve tona. Mjafton të shfletojmë revistën kulturore-shkencore “Univers” – botim i AIITC, dhe do të gjeni emrin e tij në redaksinë e revistës që në numrin e saj të parë.
Si një revistë e natyrës gjithëpërfshirëse me punime në fushën e shkencës, artit, kulturës, historisë, letërsisë dhe publicistikës, kjo revistë që në numrin e parë e deri në atë të fundit ndjeu nevojën e mendjes erudite të profesorit si autor shkrimesh dhe artikujsh të niveleve cilësore si nga informacioni që ato sjellin, por edhe nga stili i bukur dhe i përsosur i shkrimit që e karakterizonte profesorin.
Kontributin, aftësitë organizative, vizionin, erudicionin e profesorit i gjejmë të ngjizura në gamën e gjithë veprimtarive të institutit tonë, si: sesione, simpoziume dhe konferenca shkencore të zhvilluara brenda e jashtë vendit, si në ideimin e këtyre aktiviteteve, ashtu edhe në përcaktimin e tematikave, në përzgjedhjen e referuesve, në redaktimin e kumtesave, duke qenë në këtë mënyrë si zemra e Institutit, e cila e çon gjakun në çdo qelizë të tij. Në shumë prej këtyre veprimtarive ai ka mbajtur kumtesa, p.sh., për Hasan Tahsinin, Ali Ulqinakun, shkrimtarët e moçëm shqiptarë të Alhamiadës, për shkollën e arsimin shqip etj. Referatet e tij priteshin dhe dëgjoheshin me interes prej auditorit, sepse kurdoherë sillte informacion të ri dhe interesant, prezantonte konkluzione dhe fakte, shkruante me një stil të kuptueshëm, konciz e me fjalor të përzgjedhur. Veçanërisht insistonte në gjuhën shqipe, duke cituar fjalët e Naim Frashërit se “të përdorësh fjalët e huaja kur ke fjalët e gjuhës sate, është njëlloj sikur të kesh vrarë nënën tënde me duart e tua”.
Episodet dhe kujtimet me profesor Shefikun nuk kanë të mbaruar dhe shpresoj që ato t’i paraqesim në punime më të veçanta e specifike në të ardhmen, pasi për drejtorin e AIITC dhe stafin e tij që punuan gjatë me të i ka drejtuar në jetë dhe në profesion, i ka orientuar që aftësitë t’i vinin në shërbim të kulturës dhe shkencës së vendit e atdheut. Ai i mësoi me shembullin tij të bëhen të dobishëm dhe të përkushtuar për shoqërinë dhe familjen. Në dimensionin e tij si studiues prestigjioz i kulturës me ndikime orientale, ai meriton që të jetë përkrah mësuesve më të shquar të arsimit e të zërë vendin e vet të merituar në radhët e orientalistëve shqiptarë.



