Një monografi për zhvillimin e kulturës shqiptare me ndikime orientale
DOI:
https://doi.org/10.59164/univers.v20i20.2656Abstrakti
Mbi librin e Nehat Krasniqit, “Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale prej shekullit XVIII deri në fillimet e Rilindjes Kombëtare”. Instituti Albanologjik. Prishtinë, 2017
Ky libër i Prof. Dr. Nehat Krasniqit, hulumtues i njohur i periudhës osmane në historinë dhe kulturën e shqiptarëve, përfaqëson një monografi të mirëfilltë shkencore për temën përkatëse. Pasqyra e lëndës tregon se autori e ka rrokur temën në vështrim të gjerë: Kreu I - Sfondi historik i ndikimeve orientale në kulturën shqiptare (f. 35-94); Kreu II - Bazat ekonomike-shoqërore dhe politike të zhvillimit të kulturës shqiptare në fillim të shek. XVIII (f. 95-186); Kreu III - Roli i fisnikërisë vendëse në zhvillimin e kulturës shqiptare me ndikime orientale islame (f. 187-223); Kreu IV - Themelimi i institucioneve arsimore, edukative dhe kulturore (f. 225-260); Kreu V - Gjuha letrare shqipe dhe gjuhësia shqiptare në krijimtarinë Alamiado (f. 261-278); Kreu VI - Letërsia shqiptare me ndikime orientale (f. 279-422); Kreu VII - Urbanistika dhe arkitektura (f. 423-454); Kreu VIII - Kultura popullore me ndikime orientale (f. 455-477); më tej vijnë përfundimet shqip dhe anglisht (f. 479-507); Burimet dhe literatura (f. 509-538); Treguesi i emrave të personave (f. 539-575).
Vepra është fryt i një pune studimore të kujdesshme shumëvjeçare në dhjetëra vepra e artikuj të cituar në pjesët e saj dhe gjithashtu i hulumtimeve nëpër arkiva, ku ruhen dorëshkrime të vyera që lidhen me temën. Për këtë dëshmon edhe bibliografia shumë e pasur prej 30 faqesh, po ashtu edhe treguesi i emrave prej 37 faqesh në fund të punimit. Vepra ka edhe karakterin e një sinteze e të një përgjithësimi të studimeve dhe njohjeve të deritanishme në këtë fushë. Vetë autori shprehet se në veprën e tij paraqitet në vija të përgjithshme kultura shqiptare me frymë orientale islame, sepse një studim shterues i kësaj teme është ende i parakohshëm.
Kultura shqiptare me ndikime orientale islame ka mbetur si diçka anësore në interesat e historiografisë shqiptare dhe të albanologjisë përgjithësisht, duke u lënë të trajtohet si trashëgimi kulturore turke. Autori vlerëson se një qëndrim i tillë e ka varfëruar dhe dëmtuar vetë kulturën kombëtare shqiptare dhe njëherësh e ka mjegulluar kujtesën kombëtare shqiptare.
Prandaj libri i tij duhet parë si një përpjekje për ta tejkaluar këtë gjendje.