Libër për një epokë të ndritshme në historinë shqiptare
Abstrakti
Kulturat dhe arsimi janë forcat kryesore që shtyjnë popujt dhe kombet drejt zhvillimeve dhe qytetërimeve. Arsimimi është lëvizje për të dalë nga errësira në dritë.
Këtë premisë ka pasur parasysh studiuesi skrupuloz Prof.dr.Hysni Myzyri në librin e tij “Arsimi Kombëtar gjatë Rilindjes Shqiptare 1844-1912”, ku me mjeshtri prej historiani të zhdërvjelltë shpalos momentet më interesante që lidhen me arsimin dhe sakrificat e shqiptarëve për shkollën shqipe dhe identitetin kombëtar gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe në fillimet e shek. XX.
Fillimisht autori na jep një tablo të përpjekjeve për shkollën shqipe në fillimet e Rilindjes Kombëtare duke evidentuar figurat kryesore të kësaj lëvizjeje si dhe përpjekjet për krijimin e shoqërisë kulturore kombëtare.
Ai thekson se këto vite që shënojnë etapën e fundit dhe më të lartë të Rilindjes Shqiptare, janë kurorëzimi i një lëvizje të madhe që u përhap në të gjitha trevat etnike shqiptare, nga jugu në veri e nga lindja në perëndim, të përfshirë në katër vilajetet e atëhershme osmane (Shkodër, Kosovë, Manastir dhe Janinë).
Autori dokumenton rreth 100 shkolla shqipe të hapura gjatë viteve 1908-1912 dhe dëshmon përpjekjet për futjen e mësimit të gjuhës shqipe në 75 shkolla të huaja. Lëvizja për arsimim kombëtar ishte përpjekje për zhvillim e përparim, por njëheri edhe rezistencë ndaj presionit propagandistik e kulturor të shteteve të huaja, sidomos të atyre fqinje për copëtimin e kombit shqiptar dhe asimilimin e tij.
Kjo periudhë dëshmoi se përhapja e arsimit dhe mësimi i gjuhës amtare ishte pjesë e pandarë e luftës së popullit shqiptar për çlirimin dhe përparimin e atdheut.
Rruga nëpër të cilën kaloi arsimi kombëtar gjatë viteve 1908-1912 ashtu si dhe gjatë gjithë periudhës pararendëse është heroike dhe e vështirë. U zhvillua në kushtet e sundimit të huaj, por edhe të presioneve dhe të tendencave për të mbajtur popullin shqiptar në prapambetje dhe errësirë. Përpjekjet në këtë fushë nuk kufizohen vetëm në veprimtarinë e patriotëve të shquar, por ajo mori dimensionet e një lëvizje ku i gjithë populli u ngrit për të dhënë kontributin e tij për ruajtjen dhe mësimin gjuhës amtare. Me këtë lëvizje epokale shqiptarët do të bashkoheshin e të renditeshin përkrah popujve përparimtarë me interesa të njëjta.
Lëvizja nuk u kufizua vetëm brenda trojeve etnike shqiptare, por edhe me gjerë, kudo ku kishte grumbullime të mërguarish shqiptarë si: në Rumani, Bullgari, Turqi, Egjipt, SHBA. Kudo u krijuan shoqëri kulturore shqiptare.
Kjo lëvizje e madhe është pasqyrua gjerësisht në librin e Prof. Hysniut, i cili duke shpalosur dokumenta të shumtë dhe shtypin e kohës i bën jehonë të gjerë çështjes së përhapjes së mësimit dhe të shkollës në gjuhën shqipe, por dhe evidenton e pasqyron çdo arritje e çdo vështirësi në rrugën e ecjes drejt arsimit shqiptar që e gëzojmë ne sot.
Gjatë viteve 1908-1912, pasojnë njëra tjetrën ngjarje të mëdha vazhdimisht në ngritje. Rilindësit ndezën shkëndijën e parë, treguan rrugët e zgjimit, por ata që e kthyen shkëndijen në flakë, qenë protagonistët që vepruan gjatë këtyre viteve.
Libri “Arsimi Kombëtar gjatë Rilindjes Shqiptare 1844-1912”, është shpalosje e vlerave madhore kombëtare shqiptare si popull, që në rrugën e historisë ka ecur me identitet shpirtëror, territorial, historik, kulturor e arsimor, të pamohueshëm dhe të patjetërsueshëm.
Për botimin e këtij libri në gjuhën angleze, falënderoj dhe shpreh mirënjohjen e thellë për z. Juma Al Majid i cili është një ndër përsonalitetet më të njohura që dekada me radhë është duke u shërbyer kulturave të popujve kudo në botë. Pasi me porosi të tij dhe në kuadër të bashkëpunimit që Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam ka me Qendrën Juma Al Majid për Kulturë dhe Trashëgimi (Juma Al Majid Centre for Culture and Heritage) në Dubai, u realizua ky botim, i cili do të mundësojë që kjo histori tashmë e përkthyer në gjuhën angleze të lexohet nga një rreth më i gjerë popujsh e studiuesish, në mënyrë që të njihet më mirë historia e arsimit shqiptar, e njërit ndër popujt më të lashtë të Europës Lindore.