Formësimi i identiteteve
Abstract
Identiteti, edhe pse në thelb ka vetëm një kuptim semantik (të qenët i veçantë nga të tjerët dhe i njëjtë vetëm me vetveten në disa veçori e tipare që shërbejnë për t’u njohur pa vështirësi si i tillë) është parë në këndvështrime të ndryshme, përgjatë rrjedhës historike.
Gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, gjithnjë ekzistonte një armik imagjinar dhe për këtë arsye, i kushtohej rëndësi e madhe përgatitjes ushtarake dhe mbrojtjes nga “pushtuesit”. Kjo rëndësi shtrihej jo vetëm në ushtri, por depërtonte deri në botën e pavetëdijshme të njerëzve, sepse pushteti totalitar kishte shpallur luftë të hapur ndaj prirjeve revizioniste e borgjeze, gjë e cila shkaktonte terror tek shoqëria shqiptare. Në këtë rast, mbrojtja e identitetit politik, kombëtar e kulturor ishte e imponuar dhe si e tillë, dukej sikur njeriu ishte zhveshur nga brendia e shpirtit të tij duke u kthyer në një parullë sipërfaqësore. Pasojat ishin katastrofike për këdo që nuk punonte për pastërtinë vetjake dhe kombëtare nga prurjet e huaja.
Sistemi diktatorial preu të gjitha rrjedhat ndërlidhëse e jetëdhënëse me botën e jashtme. Kjo bëri që krejtësisht në mënyrë të kundërt të ndryshonte raporti i mënyrës së konceptimit të identitetit pas viteve ‘90. Vitet e tranzicionit shqiptar janë shoqëruar me një varg nismash e konkretizimesh, të cilat kanë si kryefjalë: Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nëse në komunizëm bëhej gjithçka në emër të largimit nga BE dhe Perëndimi, sot krejtësisht në antitezë, çdo gjë bëhet për t’u afruar dhe për të arritur standardet e kërkuara prej tyre. Teoria e largimit u zëvendësua me teorinë e afrimit.
Sot, identiteti mund përkufizohet si relacion ndaj të tjerëve, ku herë mbizotëron qëndrimi përjashtues dhe më pas, qëndrimi antagonist përqafues ndaj asaj që është tipar i identitetit të huaj. Këto qëndrime reflektohen në rrafshin praktik, në aspektin kulturor, gjuhësor dhe psikologjik. Gjithnjë e më tepër shqiptarët janë afruar me modelet e gatshme të shoqërive të ndryshme evropiane, modele të cilat shpesh nuk kanë arritur t’i perceptojnë siç duhet dhe kjo ka shkaktuar lëkundjen e fuqishme të themeleve të identitetit, sikurse është njohja e gjuhës amtare. Vlen të përmendim këtu pasurimin leksikologjik dhe sintaksor të gjuhës shqipe me elemente të huaja, krejtësisht të panevojshme, apo shprishjen e ekuilibrave identifikues në muzikë, letërsi, e në të gjithë përbërësit e tjerë kulturorë.
Asnjë fenomen nuk është më i “përbotshëm” se sa formimi i identiteteve kombëtare. Ky paradoks është me peshë, përderisa veçanësia e pamohueshme e çdo identiteti kombëtar ka qenë e mbetet objekt përplasjesh dhe njëkohësisht, shkëmbimesh të vazhdueshme. Pavarësisht kontakteve aktive të shumëfishta midis shteteve, tiparet thelbësore të identitetit mbeten të njëjta. Gjithçka mund të ndryshojë përveç kombit: ai është pika e sigurt e referimit, që lejon manifestimin e një vazhdimësie në fytyrë të të gjitha ndryshimeve që ndodhin. Përsëritja e kultit të traditës, kremtimi i trashëgimisë së të parëve kanë qenë një kundërpeshë efikase, e cila i ka mundësuar shoqërisë njerëzore zbatimin e ndryshimeve rrënjësore pa rënë në pështjellim.
Kombi, meqenëse vendos një vëllazëri laike dhe për rrjedhojë, një solidaritet parimor ndërmjet trashëgimtarëve të së njëjtës pasuri të pandashme, pohon qenësinë e një interesi kolektiv. Ai është një ideal dhe një autoritet mbrojtës, i dhënë si më i larti ndaj solidariteteve që rezultojnë nga identitete të tjera: brezi, gjinia, feja, gjendja shoqërore.
Prirja e luftimit kundër identitetit të huaj, prirje e cila mbartet më tepër në situatat e krizës së luftës, është reflektuar edhe midis Kosovës dhe Serbisë. Formësimi i këtyre identiteteve, ambiguiteti i tyre, bëhet gjithmonë brenda veçantisë së ngjarjeve historike. Duke qenë se politika serbe ushqente imazhin e superioritetit kulturor dhe historik ndaj shqiptarëve, këta të fundit kërkonin rrënjët dhe madhështinë e së kaluarës.
Kërkimi i identitetit shqiptar në rrënjët e së kaluarës për kosovarët ishte një përfytyrim me sharmin e “mollës së ndaluar”. Nëse në tekstet shkollore të historisë së Shqipërisë theksohej e kaluara e ndritur dhe e stërlashtë e shqiptarëve, ne tekstet e shqiptarëve të Kosovës, por edhe të Maqedonisë dhe të Malit të Zi mohohej vendosja e provave të kësaj ekzistence së stërlashtë. Në rrjedhën e formësimit të identiteteve politike e kulturore të popujve të Ballkanit qarqet shoviniste krijojnë konflikte të ndërsjella në projektin e tyre që të sajojnë shtete, kufijtë e të cilave të përputheshin me banorët që do të kishin një identitet homogjen kombëtar. Këto identitete janë vështruar nga historianët, politikanët etj, herë si identitete atavike, fisnore e të prapambetura e herë si tërësisht artificiale, si pengesë për pajtimin e interesave racionale politike e ekonomike të banorëve të shteteve të porsakrijuara në fillim të shek. XX.
Çështja e identitetit për shqiptarët ka qenë dhe vazhdon të mbetet në fokusin e polemikave dhe diskutimeve të pafundme. Mbi bazën e rrethanave historike është vërvitur edhe epiqendra tematike, duke nisur nga mbrojtja e identitetit kombëtar prej pushtuesve të ndryshëm e deri te ruajtja e identitetit kulturor shqiptar në kohën e sotme, prej prirjeve të larmishme të kulturave bashkëvepruese të hapjes së Shqipërisë me botën.