Arkivi Shqiptar nga Suedia
Abstract
Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, në Suedi (SHSHASHS), si asociacion i themeluar më 26 nëntor 2011 në Förslöv të Suedisë, ka filluar të merret me grumbullimin, ruajtjen, sistemimin dhe pjesërisht edhe me botimin (sepse ke ende të pa botuara) e dokumenteve e të dorëshkrimeve me vlerë historike për pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe çështjes kombëtare shqiptare. Themelimi i SHSHASHS është shndërruar si asociacioni më qendror, si Arkiv historik, me fondin e materialeve arkivore marrë nga asociacionet dhe veprimtarë të dalluar në Suedi. I tërë fondi i arkivit, i grumbulluar nga kryesia e SHSHASHS për tetë vjet me radhë ruhet në zyrën e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, në Suedi, kurse të digjitalizuara për 9 thesaret e botuar i janë dorëzuar, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar për bashkëpunim, Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Institutit Albanologjik – Prishtinë. Në 10 numrat e librit Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi, janë botuar 3908 dokumente, të cilat janë dëshmia më e mirë e përpjekjeve të mërgimtarëve shqiptarë në Suedi për çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në përgjithësi. Ato dokumente përbëjnë: Lista të ndihmave për Kosovën, të nënshkruara nga komisione të caktuara; Fletëpagesa të protokolluara e të vulosura; Raporte të Fondit qeveritar të 3%; Raporte të Komisionit Qendror të Fondit të 3%; Raporte të Komisioneve Rajonale në Suedi; Fletë deklarime; Procesverbale; Vendime të ndryshme nga Kuvendet Themeluese; Lista nga fillimi i shkollave të para në Suedi; Dega e LDK–së me nëndegë të saj; Shkrime të rëndësishme nga mediet suedeze; Fotografi nga vendi i ngjarjeve. Libri Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në 10 vëllime, ka mbi 6300 (gjashtëmijë e treqind) faqe. Ato janë punuar nga 124 grupe, anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Në këtë punim, jam përqendruar në 10 vëllime të librit Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare, të cilët përmbajnë një arkiv të veçantë në vete. Kam vlerësuar se ndriçimi i fakteve që janë botuar në këtë libër janë me interes për studiues të fushave të ndryshme, të cilët mund të vazhdojnë kërkimet në të mire të historisë dhe pasurimit të arkivave shqiptare.



