Koleksioni i fotografive në arkivin e Kosovës
dokumente për njohjen e Kosovës të shekullit të kaluar
Abstrakti
Në kuadër të veprimtarisë së vet, Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës ka edhe njësinë e saj të veçantë, Fototekën, e cila ka një koleksion të rëndësishëm të fotografive. Ndonëse Fototeka e Arkivit të Kosovës, në të vërtetë, si njësi e veçantë është krijuar relativisht vonë (në vitin 2000), megjithatë ajo ka arritur të mbledhë dhe të promovojë një fond të konsiderueshëm të fotografive të cilat sot kalojnë numrin 1 500. Në këtë koleksion të fotografive, shumica sosh, i takojnë periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, por nuk mungojnë edhe fotografi të viteve të mëhershme. Ky koleksion është i rëndësishëm dhe merr vlera edhe më të mëdha, për faktin se në të ruhen fotografi të personaliteteve të ndryshme të kohës, të ngjarjeve kryesore që kanë shënuar atë epokë, të monumenteve e objek-teve që kishin filluar të ndërtoheshin dhe të atyre që, fatkeqësisht, janë shkatërruar dhe për to sot dimë vetëm përmes këtyre fotografive; ruhen fotografi të lagjeve, çarshive, shtëpive e rrugëve të vjetra të qyteteve tona, sidomos të Prishtinës, që sot nuk ekzistojnë, fotografi të zejeve dhe zej-tarëve që dikur ushtronin veprimtarinë e tyre në qytetet tona, që tashmë kanë shkuar në histori dhe, meqë ato kanë pushuar së vepruari, ato i njohim pikërisht vetëm përmes këtyre fotografive etj. Prandaj, duke u nisur nga ky fakt, punimi ynë bën fjalë për vlerën dhe rëndësinë e koleksionit të fotografive që ruhen në Arkivin e Kosovës dhe i cili ndihmon sidomos për njohjen vizuale të Kosovës në gjysmën e dytë të shek. XX. Punimi bën fjalë edhe për përmbajtjen e këtij koleksioni, për vlerat e tij të shumëfishta, gjithsesi edhe për mënyrën e ruajtjes, rregu-llimit, sistemimit, shfrytëzimit e digjitalizimit dhe ofrimit të tij sa më të lehtë te studiuesit dhe të interesuarit e tjerë.