Orientalistika dhe orientalistët shqiptarë
Abstrakti
Orientalistika si disiplinë shkencore ka zënë fill shumë herët në Evropë. Rrjedh nga periudha para luftërave të kryqëzatave, i mbjellë nga personeli kishtar, porse pas dështimit të Kryqëzatave kjo disiplinë intensifikohet sistematikisht nën përkujdesjen e organeve kompetente politike, fetare e shkencore të shteteve evropiane.
Orientalistika është disiplinë shkencore e cila bazohet në rezultate të nxjerra nga hulumtimet në fushën e mjedisit oriental, qofshin ato fetare, historike, filologjike, kulturore, arkeologjike, antropologjike etj., varësisht nga qendrat e kërkimit. Kjo disiplinë merret me kërkimin dhe studimin e historisë, fesë, gjuhës, letërsisë, etnologjisë, etnografisë dhe kulturës në përgjithësi të popullit të orientit në kuptimin e gjerë ose të ngushtë, sipas mundësive financiare dhe njerëzore.
Ajo konsiderohet si një disiplinë teorike doktrinare dhe i shqyrton proceset në botën lindore-orientale më tepër nga këndvështrimi ideologjik dhe politik sesa ai historik dhe filologjik.
Te shqiptarët, për orientalistikë mund të flitet pas shpërbërjes së Sulltanatit osman, që do të thotë nga dekada e dytë e shekullit njëzet, për të cilën do të bëhet fjalë në pjesën e dytë të këtij kontributi modest. Në fjalorët standardë të gjuhës shqipe termi orientalistikë, orientalizëm as orientalist dhe islamistikë, nuk figuron fare, përkundra faktit se kur është botuar ky fjalor, në hapësirën shqiptare dega e orientalistikës në Prishtinë i kishte dhënë frytet e para. Ndërkaq në fjalorët e fjalëve dhe shprehjeve të huaja në gjuhën shqipe ka disa shpiegime, por ato janë të mangëta. Këto fakte na detyrojnë edhe më tepër që të trasojmë një rrugë korrekte, e cila do të shërbejë për ribotimet a përpilimet e fjalorëve të ardhshëm.
Duke parë që kohëve të fundit disa tekste publicistike e ngatrrojnë nocionin islamist me orientalist, aq më tepër kur është e pranishme tendenca për ngritjen e këtyre teksteve në nivel të teksteve shkencore, mendoj se është e domosdoshme që të vendosim një vij dalluese ndërmjet këtyre dy nocioneve.
Me këtë rast duhet pas parasysh faktin se Islami, si fe, është pjesë e Orientit, gjegjësisht orientalistikës. Prandaj, të gjithë orientalistët, nuk janë domosdoshmërisht edhe islamistë, kurse islamisti është pjesë e orientalistit. Duhet bërë e qartë se orientalisti mund të jetë islamist, kurse islamisti për të qenë orientalist duhet të plotësojë edhe disa parakushte që tani më janë kodifikuar në praktikën shkencore të qarqeve evropiane e ballkanike, rrjedhimisht edhe shqiptare.
Për çështje islame kanë shkruar edhe politologë, historianë, publicistë, etj., por ata, pa ua mohuar kontributin konkret, nuk mund të quhen islamistë as orientalistë, përderisa ata nuk kanë njohuri të mjaftueshme për gjuhën arabe, për shkak se burimi islam është Kurani kerimi, e ai është në gjuhën arabe.
Derisa islamistit i mjafton njohuria e gjuhës arabe, orientalisti duhet të zotërojë, përveç gjuhës arabe edhe njërën nga dy gjuhët e qarkut islam: gjuhën turke ose gjuhën perse. Në hapësirën ballkanike janë të rralla rastet që dikush të zotërojë të tria këto gjuhë.
Arsyeja përse në titullin e këtij kontributi qëndron viti 1970 si vit i fillimit ka të bëjë me faktin se me kalimin e prof.dr. Hasan Kaleshit në Fakultetin filozofik për të mbajtur lëndën e osmanishtes, në katedrën e historisë, fillon përgatitja e studimeve orientale në nivel universitar në Kosovë. Kjo rezultoi me themelimin e Degës së Orientalistikës në Fakultetin filozofik me 1973 në Prishtinë.
Prandaj mendojmë se nuk gabojmë kur themi se orientalistika shqiptare, duke filluar nga viti 1973, në mënyrë sistematike ka qenë e pranishme në mënyrë aktive në aktivitetet shkencore të organizuara nga institucione shkencore në nivel ndërkombëtar dhe kanë qenë në funksion të afirmimit të kulturës kombëtare në bëtë.
Fjalët kyçe:
disiplinë shkencore, orientalistikë, hulumtime, këndvështrim ideologjik, kulturë kombëtareShkarkimet
References
-
Hyrje në filologji orientale, Prishtinë, 2004.
-
Norman Cigar, The role of Serbian orientalistes in justification of gjenocide against of the Balkans, (Roli i orientalistëve serbë për justifikimin e gjenocidit ndaj myslimanëve në Ballkan), Shkup - Prishtinë - Tiranë.
-
Vehbi Sulejman Gavoçi, Orientalistika kundër Islamit, Shkup, 1993.
References
Hyrje në filologji orientale, Prishtinë, 2004.
Norman Cigar, The role of Serbian orientalistes in justification of gjenocide against of the Balkans, (Roli i orientalistëve serbë për justifikimin e gjenocidit ndaj myslimanëve në Ballkan), Shkup - Prishtinë - Tiranë.
Vehbi Sulejman Gavoçi, Orientalistika kundër Islamit, Shkup, 1993.