Formimi I arkivistit si domosdoshmëri për përsosmërinë e punës me dokumente
Abstract
Figura e arkivistit është e lidhur ngushtë me traditën, kulturën dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe trashëgiminë e saj brezave të ardhshëm. Sa më i përgatitur profesionalisht të jetë një arkivist aq më evident bëhet pasqyrimi i kësaj trashëgimie. Nevoja për arkivistë të kualifikuar ka qenë kurdoherë e domosdoshme. Megjithëse arkivistika njihet përgjithësisht si shkencë manuale, kjo nuk do të thotë se ajo nuk mund t’i përqafojë ndryshimet teknologjike. Një arkivist i mirëformuar është gjithnjë një kapacitet i shtuar përballë dokumentacionit bashkëkohor dhe në vazhdim. Për të qenë një arkivist i specializuar nuk mjafton të jesh një arkivist tradicional, të
kesh asimiluar programin bazë të njohurive në fushën arkivore. Sot një arkivist i specializuar duhet të jetë i aftë t’i thyejë barrierat e ngritura midis dokumentit arkivor dhe studiuesit, midis traditës dhe teknologjisë së avancuar, midis dëshirës për hapjen e arkivave dhe garantimit të informacionit. Profesioni i arkivistit, sot më shumë se kurrë, ka nevojë për harmonizim të teorisë me praktikën, të parimeve bazë të arkivistikës, të disiplinave të ndryshme me arkivistikën dhe historinë.



