Bashkëpunimi i agjencisë shtetërore të arkivave të Kosovës me arkivat në rajon pas vitit 1999
Abstrakti
Fatmirësisht në shumë vende është në rritje interesimi për bashkëpunim në mes të arkivave, bibliotekave dhe muzeve. Bashkëpunimi në mes të institucioneve të ndryshme sidomos ai në mes të arkivave është i një rëndësie të veçantë, pasi u ofron njerëzve qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në trashëgiminë kulturore. Andaj, kjo kumtesë në vete paraqet Marrëveshjet e Bashkëpunimit të ASHAK-së pas vitit 1999, të cilat i ka të nënshkruara me Arkivat e Rajonit. Veçanërisht trajton format dhe mënyrat e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të institucioneve të lartpërmendura. Vendosja e marrëdhënieve të bashkëpunimit të ndërsjellë me arkivat të tjera kërkon dhe objektivisht kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në suksesin dhe cilësinë e qëllimeve dhe objektivave të çdo arkivi. Përveç pasurimit të fondeve arkivore, shkëmbimit të literaturës, ekspertëve e përvojave, të cilat kryesisht janë pika kyçe në Marrëveshjet e Bashkëpunimit, po ashtu duhet theksuar se njëri ndër qëllimet kryesore të bashkëpunimit të arkivave është që t’u ofrojmë njerëzve mundësinë për të hulumtuar arkivat me procedura më të thjeshta dhe më të lehta.